Nga Blendi Gashi
Që nga përfundimi i luftës, në Kosovë kanë funksionuar katër legjislatura, por e tanishmja, e pesta, llogaritet të jetë më e dobëta që ka pasur vendi gjatë pluralizmit politik, dhe padyshim se do mbahet mend si legjislatura e gazit dhe tymit.
Ndërkohë, është një kontigjent deputetësh, nga dy kahjet, të cilëve nuk iu dëgjua zëri; kjo në kuptimin negativ të fjalës, pasi nuk e morrën kurrë fjalën sa qenë në sallë, duke zgjedhur vetëm të ngrejnë duart sa herë i urdhëroi partia.
Dhe kush janë deputetët “memecë”:
Avdyl Imeri nga PDK- ndonëse mori në zgjedhjet e fundit 8549 vota, shumë pak për të mos thënë hiç iu dëgjua zëri të ngrejë shqetësimet të qytetarëve. Krejt për çfarë mbahet mend ai është sharja që i bëri deputetin të VV-së Fisnik Ismaili në seancën e 27 tetorit të këtij viti. Ai në këtë seancë poashtu shprehi dhe revoltën e tij për arrestimet ndaj ushtarëve të UÇK-së. Por, në seancat tjera edhe pse i rregullt në pjesëmarrje nuk është bërë i “gjallë”, dhe sigurisht se emri i tij kujtohet nga qytetarët.
Agim Ademaj – deputet i LDK-së që në zgjedhjet e fundit mori 8009 vota gjatë vitit 2016 vetëm ka ngrohur karrigen dhe ka ngritu dorën për partinë por pothuajse asnëherë nuk ka ngritur çështje që preokuprojnë qytetarët. Padyshim se po të pyeten qytetarët nëse e njohin do t’i ngritin supet në shenjë habie.
Agim Kikaj – është një tjetër deputet i LDK-së për të cilin qytetarët vështirë mund të jenë në dijeni se është deputet. Dhe kjo si pasojë e mosangazhimit të tij. Mbahet mend të ketë marrë fjalën në interpelancën e kryeministrit më datë 27 mars 2015 ku gjatë leximit të fjalimit për Gjykatën Speciale hasi në probleme të shumta në lexim. Ka marrë hiç më pak se 7772 vota në zgjedhjet e fundit.
Bislim Zogaj – u bë deputet i PDK-së në shkurt të 2016-tës pasi që Rrustem Mustafa – Remi, dorëzoi mandatin e deputetit, meqë Gjykata e Apelit ia kofirmoi dënimin me 4 vjet burg për krime lufte.
Për dhjetë muaj Zogaj nuk u dëgjua fare në Kuvend, duke mos ngritur pothuasje asnjë preokupim të qytetarëve edhe pse mori 8500 vota të qytetarëve.
Zogaj padyshim se do kujtohet si një prej deputetëve që tërheqi nënshkrimin e dhënë për seancë të jashtëzakonshme për vdekjen e aktivistit të VV-së Astrit Dehari.
Blerim Shala – ish-deputet i AAK-së tani pa grup parlamentar gjatë gjithë vitin vetëm ka ngrohur karrigen dhe ka marrë pagën prej deputetit dhe privilegje tjera, por nuk ka ngritu asnjëherë zërin. Në një kolumne për mediat kosovare në maj të vitit 2015 shkrujati se vizat do hiqet më 2016-të por as këtu nuk ia qëlloi. Ndërsa është pothuajse i rregullut në bisedimet që zhvillohen në Bruksel.
Danush Ademi – deputet që përfaqëson komunitetin ashkalinj poashtu ka qenë i heshtur gjatë 2016-tës pasi nuk e ka ngritur zërin sa duhet për të mbrojtur komunitetin e tij për çka është votuar. Ja vlen të përmendet një takim që zhvilloi në shkurt me presidenten Atifete Jahjaga dhe deklarimi se mbështet protestat e RAE që duan më shumë punë.
Doruntinë Maloku – deputete për herë të parë nga LDK. Mori 7193 vota por asnjëherë nuk arsyetoi besimin e dhënë pasi zëri i saj nuk u dëgjua pothuajse fare në Kuvend. Qëndroi në sallë në seancën e 26 shkurtit kur u votua Thaçi por deklaroi se nuk do e votoi. Ndërsa, e ngriti zërin vetëm në seancën e 28 tetorit ku kërkoi të hetohen sulmet ndaj gazetarëve.
Flora Brovina – deputetja 66-vjeçare e PDK-së poashtu është një prej tyre që shumë pak i është dëgjuar zëri. Krejt për çfarë do mbahet mend ajo më 2016-të është largimi nga ulësja e zakonshme pranë bashkëpartiakëve të saj pas fyerjeve që ju bën në skandalin e përgjimeve nga Adem Grabovci e Bekim Haxhiu. Por, vetëm në një seancë u ul afër deputetëve të pavarur dhe më pas u rikthye në vendin e saj.
Fatmir Xhelili – është poashtu një prej deputetëve të PDK-së që i është dëgjuar shumë pak por të mos thënë hiç zëri.
Zëvendësoi Enver Hoxhajn më 6 maj në postin e deputetit por nuk mbahet mend të ketë ngritur ndonjë problematikë.
Fatmir Shurdhaj – u bë deputet në muajin nëntor të vitit të kaluar pasi zëvendësoi Fadil Demakun që la postin e deputetit pas dënimit me burg.
Gjatë dy muajve deputeti nga Malisheva ka zgjedhur heshtjen. Megjithatë mbetet të shihet këtë vit nëse do ngrit ndonjë shqetësim të qytetarëve.
Hatim Baxhaku – është një nga deputet “memecë” të LDK-së që nuk iu dëgjua zëri. Për vitin 2016-të do mbahet mend vetëm për mos pjesëmarrjen në seancën e 26 shkurtit kur u zgjodh Thaçi president.
Kimete Bytyqi – zëvendësoi Alma Lamën në muajin shtator duke u bërë deputete e LDK-së. Nga tre seanca sa ka marrë pjesë ajo nuk ka ngritur asnjëherë ndonjë problematikë që përballet banorët e komunës së Suharekës nga vjen edhe ajo.
Krejt çfarë do mbahet mend më 2016-të është “sulmi” që i bëri deputetit të VV-së Glauk Konjufca, ku për pak nuk i çeroi fizikisht hesapet me të.
Mirjeta Kalludra – në muajin prill zëvendësoi Teuta Sahatçiën që u emërua ambasadore, duke u bërë deptuetja më e re e LDK-së. Edhe pse mori pjesë në 16 nga 17 seanca, ajo në asnjërën prej tyre nuk e ngriti të paktën një herë zërin. Qytetarët mund ta kenë parë vetëm kur u ngrit në këmbë kur u betua si deputete por asnëherë më. Cilësohet si femra më e bukur e Kuvendit, por ajo është zgjedhur për të shprehur brengat e qytetarëve, por edhe pse mori 6135 vota në zgjedhet e fundit asnjëherë nuk u mërzit të shpreh ndonjë brengë të votuesve të saj.
Luljeta Veseli-Gutaj – ndonëse deputete e partisë më të madhe, pra PDK-së ajo vështirë se mund të jetë e njohur për opinionin pasi ka qenë zë i heshtur. Deputetja nga Prizreni edhe pse mori 5763 vota në zgjedhje nuk është parë të ketë çarë fort kokën për hallet e votuesve të saj.
Mexhide Mjaku-Topalli – është deputetja tjetër e PDK-së që vështirë se mund ta njohin qytetarët dhe kjo për fajin e saj pasi ka qenë tejet passive më 2016-të.
Mori saktësisht 7620 vota në zgjedhet e fundit por nuk ngriti shqetësimet e votuesve të saj.
Milazim Haliti – poashtu deputet i LDK-së është emër i panjohur nga qytetarët dhe fajin sigurisht e ka vetë pasi gjatë vitit të kaluar zgjedhi heshtjen e jo punën, pra ngritjen e shqetësimeve të qytetarëve, të paktën atyre 6325 votuesve që e bën përfaqësues të popullit.
Murat Hoxha – deputet i LDK-së nga Gjilani është ligjvënësi i radhës që hynë në grupin e “memecëve”, dhe atyre që e ngrohën gjatë gjithë vitit karrigen por nuk arsyetuan pagat e marra nga shteti.
Nezir Çoçaj – është deputeti i radhës nga PDK që qytetarët vështirë se mund ta njohin. Heshtu pothuajse gjatë gjithë vitit 2016-të. U bë i gjallë krejt në fund të vitit, kur në seancën e 20 dhjetorit në një fjalim të tij akuzoi Vetëvendosje-n se nuk pranon asgjë të Kosovës, vetëm paratë e saj.
Nehat Baftiu – në muajin shtator u bë deputet i PDK-së pasi zëvendësoi Ramiz Kelmendin. Anesteziologu nga Ferizaj gjatë dy muajve nuk është dëgjuar të ketë ngritur ndonjë shqetësim.
Mbetet të shihet nëse do bëhet i “gjallë” këtë vit.
Naim Fetahu – nga Podujeva është një tjetër deputet i PDK-së që ka heshtur më 2016-të. Ndonëse mori 10747 vota në zgjedhje ai nuk e pa të rrugës të ngrit në Kuvend ndonjë brengë të votuesve të tij, por sigurisht mori pagën e mëditjet.
Nuredin Lushtaku – edhe pse mori 10739 vota dhe u zgjedh deputet i PDK-së ai padyshim se është në mesin e “memecëve”, pasi nuk mbahet mend të ketë ngritur ndonjë hall sidomos për banorët e Skenderajt prej nga vjen.
Rafet Rama – deputet i PDK-së poashtu është një prej ligjvënësve që nuk ka shpaguar me punën e tij 15442 votat që mori në zgjedhet e fundit.
Ky deputet më 2016-të do mbahet mend vetëm si kundërkandidat i Thaçit për president, por që sigurisht iu bë rival vetëm sa për formalitet.
Synavere Rysha – është një tejtër deputete e LDK-së që gjatë 2016-tës mori pagëne privilegjet por nuk e pa të arsyeshme asnjëherë të flas për hallet e votuesve të saj.
Salihe Mustafa – është deputetja më passive e PDK-së. Ndonëse mori 4801 vota nga qytetarët asaj asnjëherë nuk iu dëgjua zëri. Sigurisht po të pyeten qytetarët nëse e njohin këtë deputete përgjigja sigurisht do jetë një “JO”.
Teuta Rugova – deputete e LDK-së, njëherit vajza e presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova, padyshim se është deputetja më e heshtur e legjislaturës së pestë. Ajo gjatë vitit 2016 vetëm një herë mori fjalën. Këtë e bëri në seancën e 9 qershorit, ku në cilësinë e nënkryetares së Komisionit për Punë të Jashtme, paraqiti rekomandimin e këtij komisioni për projektligjin për ratifikimin e Konventës për heqjen e Kërkesës për legalizimin e dokumenteve zyrtare të huaja. /tesheshi.com/