Nga Eva Gjura
Diplomati i njohur, Presidenti i Akademisë Diplomatike Shqiptarë Prof. Dr. Lisen Bashkurti komenton për “tesheshi.com”, zhvillimet më të fundit në Kosovë, Maqedoni dhe në Shqipëri.
Duke u ndalur tek zhvillimet në Kosovë, z. Bashkurti shprehet se opozita në Kosovë duhet të rishikojë qëndrimin e saj. Sipas tij, ajo duhet të përdorë parlamentarizmin dhe bashkëpunimin aktiv, permanent ndërkombëtar, pa hequr dorë nga roli i saj si përfaqësuese e popullit pa pushtet.
Diplomati i njohur shprehet më tej se kjo situatë e tejzgjatur e krizës nuk i shërben Kosovës, por po e lodh popullin njësoj si gjendja e pas luftës. Ai kërkon që qeveria dhe opozita të mos harxhojnë energji kundër njëra-tjetrës por kundër Serbisë, duke e detyruar këtë të fundit të ndryshojë Kushtetutën lidhur me Kosovën.
Duke mos e vlerësuar si gjë të mirë krizën, diplomati thekson se ajo pengon Kosovën të bëjë progres drejt integrimit Euro-Atlantik.
Kritika të ashpra, z. Bashkurti hedh edhe ndaj politikës në Maqedoni dhe kryesisht nga klasës politike shqiptare atje, duke u shprehur se, paaftësia, mungesa e patriotizmit, integriteti i ulët moral dhe papërgjegjshmëria i ka shndërruar liderët e dy partive më të mëdha shqiptare në kukulla të regjimit të Gruevskit.
Në lidhje me debatin që po bëhet në Shqipëri për reformën në drejtësi, diplomati preferon që debatin konkret t’jua lërë profesionistëve të fushës, por shprehet se mënyra sesi bëhen reformat përcaktojnë edhe zbatimin në praktikë.
Situata politike në Kosovë është mjaft e nderë, siç pamë edhe para pak ditësh nëpërmjet protestave të dhunshme opozita kërkon largimin e kësaj qeverie dhe zgjedhje të parakohshme. A është kjo rruga e duhur?
Kriza politike në Kosovë vazhdon. Mesa duket shkaqet janë shumë të thella. Burimet janë të komplikuara. Aktorët janë të dukshëm dhe të padukshëm. Mazhoranca është mjaft e tronditur dhe konfuze. Opozita vijon të jetë aktive, populiste, si dhe e paqartë dhe e papërgatitur për zgjidhjen e problemeve që ngre publikisht. Manifestimet e popullit opozitar janë kudo të gjendura dhe të mirëpritura. Mirëpo, ato lypet të jetë të mirëadresuara në problematikat e kohës dhe alternativat e zgjidhjes së tyre, sesa të jenë gjithnjë maksimaliste, vetëm për përmbysje dhe marrje pushteti. Sidoqoftë, mazhoranca, qeveria nevojitet të dëgjojnë zërin opozitar dhe atë qytetar përgjithësisht.
Mësimi i parë në politikë është “mëso të dëgjosh”. Qeveria lypet të dëgjojë më mirë dhe të kundërshtojë më pak. Opozita në Kosovë, nga ana e saj, ka zbehur luftën parlamentare dhe ka zgjedhur rrugën populiste. Kjo nuk është qasje e duhur demokratike. Opozita ka refuzuar dialogun dhe ka zgjedhur protestën. Opozita ka kundërshtuar negocimin me mazhorancën dhe po preferon konfrontimin. Opozita ka hequr dorë nga bashkëpunimi ndërkombëtar dhe po parapëlqen vetë margjinalizimin. Mendoj se opozita e Kosovës nevojitet të rishikojë qëndrimin e saj, metodat e luftës politike, përdorimin e parlamentarizmit dhe bashkëpunimin aktiv dhe permanent ndërkombëtar, pa hequr dorë nga roli i saj si përfaqësuese e popullit pa pushtet.
Kujt i shërben kjo situatë?
Një situatë e tillë e tejzgjatur e krizës nuk i shërben as Kosovës dhe as qytetarëve të saj. Krizat janë komplekse, por zgjidhjet janë më të thjeshta. Nëse kanë vullnet dhe vizion palët në konflikt ka edhe zgjidhje, madje me mjaft opsione. Nëse vullneti dhe vizionet mungojnë, atëherë palët zhyten keq e më keq dhe koston e paguan i gjithë vendi dhe në të gjitha fushat. Kjo krizë e ka lodhur aq shumë Kosovën dhe popullin e saj, gati-gati në nivelet e pasluftës.
Çfarë duhet të bëjë klasa politike në Kosovë për të dalë nga kjo gjendje dhe për t’i kthyer një politike normale?
Nuk ka shkop magjik për dalje nga kriza. Mazhoranca dhe opozita janë të dyja legjitime në Kosovë. Ato lypet të konkurrojnë, por edhe të bashkëpunojnë. Ato nevojitet të bazojnë luftën politike vetëm në Kushtetutë dhe ligj, në parime dhe norma demokratike, në instrumenta dhe mjete politike. Mendoj se të dy palët, pa hequr dorë nga alternativat duhet të bëjnë nga nja hap prapa: qeveria të jetë më tolerante dhe e duruar, opozita më e vetëpërmbajtur dhe bashkëpunuese. Të dy palët kanë përpara tekstet e marrëveshjeve dhe kanë interpretimin e Gjykatës Kushtetuese. Mbi këto tekste juridike le të ulen të bisedojnë, të ofrojnë opsionet e veta, të analizojnë konseguencat e çdo opsioni, të përllogarisin koston për çdo konseguencë dhe të afrohen drejt një kompromisi prej të cilit të fitojë Kosova dhe populli i saj.
I qëndroj pikëpamjes se, sidomos, teksti i draft-marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe lypet të shikohet me shumë kujdes. Të dy palët do të bënin mirë që të kërkonin më shumë te BE që Serbia të ndryshojë Kushtetutën lidhur me qasjen ndaj Kosovës. Madje si kusht për të vijuar negociatat për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe për të themeluar Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë duhej të ishte pikërisht ndryshimi i Kushtetutës së Serbisë lidhur me Kosovën. Vetëm mbas këtij ndryshimi Kosova do të duhej të vijonte dialogun e të mendonte për themelimin e Asociacionit. Përndryshe, konseguencat mund të jenë të paparashikueshme dhe të rrezikshme. Të dy palët e politikes në Kosovë, qeveria dhe opozita të mos harxhojnë energji përkundër njera-tjetrës, por të dyja së bashku përkundër Serbisë, me qëllim që t’i kërkojnë asaj direkt dhe përmes BE që të ndryshojë Kushtetutën në qasjen ndaj Kosovës.
E pengon kjo Kosovën për të ecur drejt rrugës euro-atlantike?
Kriza aktuale e pengon Kosovën të bëjë progres në të gjitha fushat, duke përfshirë edhe integrimet Euro-Atlantike. Por kriza nuk mund të anashkalohet dhe as të injorohet. Kriza duhet njohur, analizuar dhe zgjidhur. Kjo është kryekëput përgjegjësi e aktorëve politike, mazhorancës dhe opozitës në Kosovë. Faktori ndërkombëtar ka rëndësinë e vet, qoftë edhe me ndërmjetësues të aftë e me ndikim, por gjithnjë është më mirë, me e arsyeshme më e dobishme dhe më e drejtë që kriza të gjejë zgjidhje nga aktorët dhe faktorët vendore. Një zgjidhje buruar nga brenda është më e qëndrueshme dhe më legjitime. Natyrisht, bashkëpunimi me faktorët ndërkombëtar, ShBA dhe BE është i domosdoshëm për Kosovën. Kryesore mendoj është që të dy palët lypet të unifikojnë qasjet ndaj Serbisë dhe jo të rreken për formula politike të brendshme.
Politika në Maqedoni është përfshirë në një debat të nxehtë lidhur me zgjedhjen e Toni Naunovskit në komisionin për antidiskriminimin. E kanë quajnë Pazar të ulët politik të BDI-së. Çfarë po ndodh? Pse ky shtet nuk arrin të gjejë rrugën e funksionimit normal? Çfarë duhet të bëjnë shqiptarët e Maqedonisë që të kenë vendin që ju takon?
Maqedonia prej vitesh ka hyrë në një krizë vicioze të mbyllur. Dimensionet e krizës maqedonase janë politike, ndër-etnike, institucionale, social-ekonomike dhe gjeopolitike. Kjo është krizë e akumuluar prej kohësh dhe do të dojë kohë që të zgjidhet. Qeveria Gruevski me gjithë partnerët e saj në koalicion mbajnë përgjegjësi të rëndë historike për Maqedoninë dhe qytetarët e saj. Vendi ka kolapsuar. Dorëheqja e Gruevskit dhe krijimi i një qeverie teknike deri në zgjedhje është vetëm fillimi i rrugëzgjidhjes. Por, indikacioni me i qartë do duket në vetë zgjedhjet, nëse do jenë të lira e të ndershme apo të manipuluara e të korruptuara sikundër kanë qenë bërë deri tani.
Është për të ardhur keq që edhe partitë politike shqiptare dhe liderët kryesorë të tyre kane dështuar deri tani në realizimin e projektit madhor të Marrëveshjes Kuadër të Ohrit. Gruevski dhe partneri i tij i koalicionit, Ahmeti e kanë shndërruar këtë marrëveshje në një pazar horrash. Diskriminimi i shqiptarëve është kudo i pranishëm, vetëm te liderët shqiptarë nuk është. Ato tanimë janë pjesë e benifiteve të një pushteti të korruptuar fund e krye. Paaftësia, mungesa e patriotizmit, integriteti i ulët moral dhe e papërgjegjshmëria i ka shndërruar liderët e dy partive më të mëdha shqiptarë në kukulla të regjimit të Gruevskit dhe garniturës së tij. Qytetarët shqiptarë po bëjnë hapa mbrapa. Është koha për vëmendje më të lartë politike të qytetarëve shqiptarë në zgjedhjet që vijnë.
Kudo ku ka shqiptarë ka situata të pa qëndrueshme politike. Çfarë nuk shkon me ne?
Shqiptarët kanë histori tragjike në Ballkanin Perëndimor, kur në fakt janë populli me i vjetër dhe autokton në këtë nën-rajon. Ato kanë përjetuar një histori zgjidhjesh të gabuara ndërkombëtare kundër tyre. Por kanë vuajtur në kurriz edhe politika shovene të Kombeve përreth tyre. Si pasojë, shqiptarët vijojnë të jenë të shpërndarë në shumë shtete; të jetojnë në statuse të ndryshme; të kenë arritur nivele të ndryshme zhvillimi; të kenë stade të ndryshme demokracie dhe integrimi. Pavarësisht progresit të madh që kanë shqiptarët duke arritur të kenë dy shtete të pavarura dhe sovrane, si dhe të kenë mundësi e hapësira më të mëdha politike, ekonomike, sociale, demokracie dhe integrimi – sërish vetë tabloja e përgjithme e tyre paraqitet komplekse dhe e vështirë. Shqiptarët me sllavët e jugur (serbët, maqedonët e malazezët) dhe grekët, kanë histori të gjatë armiqësie. Tani do të duhet të krijojnë një histori miqësie. Kalimi nga armiqësia në miqësi është shumë i vështirë. Është sfidë e madhe. Mendoj se shqiptarët po e shtrijnë pa hezitim dorën e miqësisë. Janë serbët, maqedonët, malazezët dhe grekët që vuajnë akoma nga sindromat e albanofobise, sindroma që vijon të zënë vend në politikat dhe institucionet zyrtare në Serbi, Maqedoni, Mal të Zi dhe Greqi. Nga një studim i gjatë që kam bërë mbi ksenofobitë në Ballkan, rezulton se serbët janë të parët albanofobë, pastaj vijnë grekët, maqedonët dhe malazezët. Nga hulumtime, sondazhe dhe raporte ndërkombëtare shume kredibile, rezulton se te shqiptarët ksenofobitë janë në nivelin më të ulët.
Pra, shqiptarët e kanë pranuar bashkëjetesën në mjaft shtete përreth Shqipërisë dhe Kosovës, por ata nuk mund të pajtohen me diskriminimin e tyre njerëzor dhe etnik që është shkaku kryesor i problemeve me të cilat hasen shqiptërët. Përgjegjësi më të mëdha lypet të marrin dy shtetet shqiptare për përmirësimin e situatës së shqiptarëve kudo në Ballkanin Perëndimor. Shqipëria dhe Kosova duhet t’i konsiderojnë në çdo agjendë të tyre të brendshme dhe ndërkombëtare shqiptarët në Rajon e në botë. Shqipëria dhe Kosova janë dy shtete të vogla, por që kanë mbi supe një popullsi shumë të madhe jashtë kufijve të tyre politik. Kjo popullsi që shkon në 20 milion banorë është pasuria më e madhe dhe fuqia më e pathyeshme e Kombit Shqiptar. Shqipëria dhe Kosova kanë përgjegjësinë kryesore për mobilizimin e këtij burimi njerëzor.
Shqipëria është përfshirë në debatin për reformën në drejtësi. Nuk duan apo vërtet nuk po munden ta realizojnë këtë reformë?
Shqipëria duket se po e lë pas tranzicionin. Është një ndarje e dhimbshme me shumë problematika politike, ekonomike, sociale, demokracie dhe integrimi. Hapat e Shqipërisë kanë qenë të mëdha. Nuk ka të krahasuar Shqipëria e viteve ’90-të më të sotmen. Por sfidat përpara vijojnë të jenë të konsiderueshme. Kështu është demokracia, gjithnjë në kërkim e zhvillim. Dy reformat madhore: dekriminalizimi i politikës dhe institucioneve publike, si dhe reforma në drejtësi, janë themeltaret për ecjen e Shqipërisë drejt hapjes së negociatave për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian. Unë nuk jam ekspert në këto fusha dhe dijet e mija nuk me lejojnë të flas e të shkruaj shumë për këto dy reforma. Ajo që mund të them është se mënyra sesi bëhen reformat përcaktojnë edhe përmbajtjen e tyre dhe garancinë e zbatimit në praktikë.
Kërkohet të respektohen katër parime të mëdha që këto dy reforma të jenë të arsyeshme, të dobishme dhe të drejta: transparenca, gjithëpërfshirja, përgjegjshmëria dhe bashkëpunimi ndërkombëtar. Pa këto parime asnjë nga këto reforma nuk realizohet. Mirëpo këto janë reforma pa alternativa. Ato duhen bërë. Dhe do të bëhen patjetër. Në pyetje është vetëm koha. Sa me shpejtë të bëhen aq më mirë është për vendin dhe integrimin e tij ne BE. Madje është më e mirë edhe për vetë ato që i tremben këtyre reformave dhe për këtë arsye përpiqen t’i zvarrisin ato. Personalisht mendoj se Shqipëria do i zgjidhë këto dy sfida të mëdha dhe brenda vitit 2016 do të trokasë në portat e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Këtë e duan shqiptarët dhe politika do t’ia ofrojë atë. /tesheshi.com/