Nga Muhittin Ataman*, Daily Sabah
Lindja e Mesme po vuan pasojat e gjenocidit të pandërprerë izraelit në Rripin e Gazës dhe agresionit të Izraelit kundër vendeve të rajonit si Libani, Siria dhe Jemeni. Qeveria izraelite ka shkelur armëpushimet dhe ka intensifikuar sulmet ndaj palestinezëve të pafajshëm dhe të pambrojtur. Është e qartë se politika izraelite synon ta bëjë Gazën të pabanueshme dhe të zhvendosë me forcë palestinezët që jetojnë në këtë zonë. Deri tani, dy të tretat e rajonit janë shpopulluar. Nuk duhet të harrojmë se Izraeli i ka ndjekur këto politika të paligjshme me mbështetjen e shumicës së popullit izraelit dhe të shumicës së qeverive perëndimore, si dhe me indiferencën e shteteve arabe dhe muslimane.
Megjithatë, herët a vonë, vuajtjet në Palestinë mund ta çojnë rajonin dhe botën në një pikë kritike. Papritur, politikat ekspansioniste të Izraelit mund të dështojnë në çdo moment. Disa aktorë rajonalë dhe globalë mund të ndërmarrin veprime kundër gjenocidit të vazhdueshëm në Gaza. Edhe pse qeveria izraelite i ka kaluar të gjitha vijat e kuqe, disa aktorë globalë dhe rajonalë mund t’i bëjnë thirrje Izraelit të ndalojë politikat e tij agresive, sepse tensioni i akumuluar në zonat e brishta të rajonit është gati të shpërthejë.
Ka shumë dinamika të brendshme, rajonale dhe ndërkombëtare që kontribuojnë në këtë pikë të mundshme vlimi. Këto dinamika po e motivojnë kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu të vazhdojë politikat e tij agresive të njëanshme ndaj popullit palestinez dhe shumë shteteve të rajonit. Në kontekstin e brendshëm, shumë izraelitë e dinë se Netanyahu, i cili është në gjyq për disa akuza korrupsioni, është përpjekur t’u shmanget hetimeve të vazhdueshme kundër tij. Netanyahu ka shkelur jo vetëm parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare, por edhe ligjin e brendshëm izraelit.
Populli izraelit nuk duhet të harrojë se politikat e paligjshme të qeverisë së tij do të jenë kundërproduktive. Jo vetëm palestinezët, por edhe izraelitët do ta paguajnë çmimin. Ata që mbështesin politikat e Netanyahut do të mbahen gjithashtu përgjegjës për vuajtjet e vazhdueshme dhe vrasjet masive të palestinezëve. Në fund, politikat ekspansioniste të qeverisë izraelite nuk do të sjellin paqe në Izrael apo në rajon, ku Izraeli përbën një pakicë shumë të vogël.
Në planin afatgjatë, këto politika nuk do të sjellin paqe as për shtetin izraelit dhe as për popullin e tij. Siç u theksua nga ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan në një intervistë televizive, politikat provokuese të Izraelit nuk do t’i shërbejnë sigurisë së tij. Fidan-i u shpreh se “fakti që po zgjidhen disa çështje në nivel taktik nuk e ndryshon kërcënimin më të madh që i krijohet vetes në nivel strategjik”.
Në kontekstin rajonal, Izraeli ka sulmuar shumë shtete, të cilat nuk kanë as mundësinë të hakmerren. Nga njëra anë, disa vende të rajonit e mbështesin drejtpërdrejt ose tërthorazi agresionin izraelit. Nga ana tjetër, shumica e qeverive të shteteve arabe dhe muslimane heshtin përballë shkeljeve të Izraelit.
Megjithatë, vëzhguesit e Lindjes së Mesme e dinë se heshtja e popullit në rajon mund të marrë fund shpejt, nëse gjenocidi izraelit dhe politikat e tij ekspansioniste vazhdojnë. Disa sulme të fundit, si vrasja arbitrare e mjekëve dhe gazetarëve, shkaktuan reagime edhe më të ashpra nga komuniteti ndërkombëtar.
Popujt e vendeve arabe dhe muslimane mund t’u kërkojnë qeverive të tyre përkatëse të ndërmarrin veprime konkrete kundër agresionit izraelit. Për shembull, populli egjiptian ka filluar të kërkojë hapjen e Portës Kufitare Rafah, e vetmja lidhje e Gazës me botën, për të ofruar ndihmë humanitare për palestinezët. Si përgjigje ndaj kësaj kërkese, udhëheqësit e Jordanisë dhe Egjiptit u nisën me urgjencë drejt Francës. Të tre liderët i telefonuan Presidentit të SHBA-ve Donald Trump-in, si të vetmin lider që mund ta ndalojë Netanyahun, për të ushtruar presion ndaj qeverisë izraelite për të shpallur një armëpushim të ri dhe për t’i dhënë fund vrasjeve masive në Palestinë.
Herët a vonë, autoritetet izraelite që janë përfshirë në aktivitete gjenocidale kundër palestinezëve dhe shkelin të drejtat themelore të njeriut, përfshirë Netanyahun, do të mbahen përgjegjës sipas ligjit ndërkombëtar. Edhe opozita politike izraelite mund ta konsiderojë atë përgjegjës për krimet e luftës dhe gjenocidin, dhe si rrjedhojë, mund të përpiqet ta largojë nga pushteti.
Herët a vonë, qeveritë rajonale duhet të ndërmarrin veprime konkrete kundër agresionit të vazhdueshëm izraelit. Përndryshe, ato mund të humbasin fuqinë dhe legjitimitetin brenda vendeve të tyre. Asnjë lider apo qeveri nuk ka besim të pakufishëm në asnjë shtet të rajonit. Ndërgjegjja e popullit patjetër do të reagojë një ditë. Prandaj, aktorët rajonalë do të duhet të marrin masa për t’u përgatitur për çdo të papritur. Përndryshe, i gjithë rajoni mund të zhytet në kaos, gjë që mund t’i japë fund edhe sundimit të tyre.
Qeveria izraelite vazhdon të krijojë kosto politike, ekonomike dhe humanitare jo vetëm për palestinezët dhe izraelitët, por edhe për të gjithë rajonin, madje edhe botën. Prandaj, herët a vonë, komuniteti ndërkombëtar duhet të marrë masa konkrete dhe parandaluese kundër politikave të paligjshme dhe gjenocidale të Izraelit. Edhe pse mund të jetë tepër vonë për palestinezët, komuniteti ndërkombëtar do të reagojë ndaj terrorizmit shtetëror izraelit në vazhdim.
*Muhittin Ataman është profesor në Departamentin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Shkencave Sociale të Ankarasë. Ai është gjithashtu kryeredaktor i Insight Turkey, botuar nga Fondacioni SETA.