Patriarkët dhe krerët e kishave lokale në Jerusalem, shkruan një letër drejtuar presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për të shprehur shqetësimin e tyre rreth qëllimit të tij për të njohur Jerusalemin si kryeqytetin e Izraelit dhe ndoshta për të zhvendosur ambasadën e SHBA nga Tel Avivi në Jerusalem.
Letra, dërguar të martën disa orë përpara shpalljes së pritur nga Trump, i kërkon presidentit të tërhiqet nga njohja e mundshme e njëanshme e Jerusalemit si qytet vetëm izraelit. “Këshilla dhe lutja jonë për Shtetet e Bashkuara është që të vazhdojë njohjen e statusit aktual ndërkombëtar të Jeruzalemit. Çdo ndryshim i papritur do të shkaktojë dëm të pariparueshëm”, ishte kërkesa e klerikëve për Trump-in.
Duke i bërë thirrje presidentit Trump që të mos ndryshojë status quo-në e qytetit që mban rëndësi historike dhe fetare për krishterët, muslimanët dhe hebrenjtë, klerikët i thanë Trump-it se “Qytetarët mund ta ndajnë mes vete dhe ta gëzojnë qytetin e Shenjtë në momentin kur procesi politik do të ndihmojë në çlirimin e zemrave të të gjithë njerëzve që jetojnë brenda tij nga rrethanat e konfliktit dhe destruktivitetit të cilin ata po përjetojnë”.
Krerët e kishave kërkuan nga Trump që të rishqyrtojë këtë ndryshim të rëndësishëm në politikën amerikane në lidhje me qytetin e kontestuar të Jerusalemit.
Të trembëdhjetë nënshkruesit në letër përfaqësojnë një shumëllojshmëri të larmishme të kishave të lidhura me vendet fetare katolike, ungjillore, ortodokse dhe apostolike. /tesheshi.com/