Politika, letërsia, realiteti, erosi, anonimati, diktatura, dosjet, hakmarrja…janë disa arsye që i kanë shtyrë politikanë e shkrimtarë shqiptarë të gjejnë mundësi provokimi e të shndërrohen në fenomene mediatike duke shmangur edhe çështjet e ditës, për të zbuluar të errëtën, enigmat, misteret, inatet, të shkuarën shqiptare. Mapo letrare ka veçuar dhjetë autorë që kanë ndezur prej pesë vitesh debate e polemika mediatike me historitë e tyre.
Tom Kuka, autori anonim që lëvizi “mendjet” e medias
Romani “Hide mbi kalldrëm”, publikuar nga botimet “Pegi”, në Panairin e librit 2016 pati një jehonë të madhe për anonimatin e emrit të tij. Botuesit janë shprehur se kanë respektuar dëshirën e autorit për të fshehur emrin e vërtetë. Ndërsa në parathënien e librit autori lë të kuptohej se është një personazh i njohur, publik dhe se kinse këtë e ka bërë për të pasur vëmendje libri, dhe jo emri. Media u morr me muaj, në përpjekje për të zbuluar emrin, sesa për të folur mbi romanin, edhe pse u shkruajtën disa artikuj kritikë duke e vlerësuar historinë e tij. Në fakt emri i autorit të “Hide mbi kalldrëm” nisi të qarkullojë qysh në javët e para të daljes së librit. Por, askush nuk e bënte publike. Vetëm para pak kohësh një portal, online politico.al, ka hamendësuar mbi emrin e vërtetë, atë të një gazetari të njohur televiziv. Bëhet fjalë për Enkel Demin, ndonëse nuk kemi deri tani asnjë dalje publike prej tij. Për këtë rast, jo Demi, por “autori” në hije është shprehur ndër të tjera: “…Unë jam nisur nga një dyshim i madh, që më ka ngrënë si mola drurin. Duke qenë shpesh në sy të publikut, mendoj se mbi personazhin që unë përfaqësoj janë ngritur opinione e paragjykime. Kjo është e kuptueshme, njerëzore. Ndaj edhe vendosa të paraqitem me një emër tjetër, sepse dëshiroj që lexuesi të lexojë letërsinë e këtij libri, jo autorin e tij. Duke e konsideruar letërsinë punën më serioze që kam bërë në jetë, mendova që ta çliroj atë nga vargonjtë që krijon qasja me publikun nëpërmjet medias, politikës, sipërmarrjes apo aktiviteteve të tjera”. Por ende mbetet mister, edhe nëse do vazhdojë ky libër nën hijen e anonimatit?!
Rudi Erebara, me çmimin evropian për imoralitetin e diktaturës
Pas viteve ’90-të është nga romanet unikë, voluminoz, që krijon të plotë historinë e një personazhi, atë të piktorit të njohur Edison Gjergo që u dënua pikërisht për veprën që i dha edhe titullin romanit: Epika e Yjeve të mëngjesit. Botuar nga Ombra GVG, Rudi Erebara sjell romanin e dytë nga diktatura me një vështrim karakterial duke zbuluar imoralitetin e diktaturës përmes personazheve atipikë. Bëhet fitues i çmimit evropian për letërsinë 2017, dhe është në proces përkthimi në shumë gjuhë të Evropës. Romani është vendosur në Shqipërinë e periudhës së luftës së ftohtë ku tregon historinë e Sulejmanit, piktorit shqiptar të persekutuar nga regjimi komunist. Historia nis më 16 tetor të vitit 1978, ku diktatori Enver Hoxha feston ditëlindjen e shtatëdhjetë. Vit që shënon nisjen e romanit, dhe merret me vazhdën e survejimeve, dënimeve e burgimeve të njerëzve të zakonshëm dhe artistëve. Janë gjendje akute që mbajnë kujtesën dhe degjenerimin moral të diktaturës. Brukseli këtë libër e ka trajtuar si duket si një roman ku lexohet kultura utilitare e një vendi, ashtu si dhe krijuesve të tjerë, që morën pjesë në garën për Çmimin Evropian të Letërsisë 2017 duke marrë vlerësimin e një letërsie të mirë, gati për t’u njohur përtej kufinjve, dhe që ndihmojnë në ndërtimin e dialogut ndërkulturor. Diktatura, një situatë letrare pothuaj operacionale, në inde kush do mundet ta lexojë romanin tuaj, çfarë e shqetëson ende shkrimtarin sot? Fatalisht të pa ikur nga mendësia, ideologjia…Erebara është përgjigjur për gazetën “Mapo”: “Libri është bazuar në ngjarje të vërteta. Ka marrë titullin e kompozimit të piktorit Edison Gjergo, si nderim kujtimit të tij, si një artist i dënuar për një pikturë me tetë vjet burgim edhe me pune të detyruar në minierë. Libri është brenga e thellë e mungesës së kujtesës kombëtare.” Pas marrjes së çmimit, ky është nga rastet e pakta që kritika kthen vëmendje të befasishme për një roman pothuaj klasik shqiptar.
Rita Petro, të provokosh një shoqëri vetëm me një fjalë…
“Vrima” i poetes Rita Petro, botuar nga “Albas”, fitoi si libri me poezi më i mirë për vitin 2014
Çmimi iu dha nga Edi Rama e Mirela Kumbaro. Por, ky vëllim poetik, mori përmasën më të lartë provokuese pikërisht pas vlerësimit nga kryeministri, ndërsa për poeten ky provokim nis me ndjesinë e të shprehurit të ndjenjave erotike që nisin jo vetëm brenda saj, por edhe në qenien e çdo vajze apo gruaje. Ajo projekton në poezi realizimet dhe mosrealizimet e këtyre ëndrrave, duke i ndezur me dritë të kuqe llambat e Erosit. Por, poetja që tronditi gjithë shoqërinë shqiptare përmes një vëllimi poetik, mbartur vetëm në një fjalë, duket se i dha përgjigje me vëllimin poetik pasues, “Kënga e turmës”, të shoqëruar me skica, dhe imazhe erotike por jo më, me këngë të tilla; raporti mes intimes, erosit dhe një personaliteti krijues të poetes me pretendimin utopik për ndryshimin e shoqërisë…Por, ky vëllim nuk e rehabilitoi aspak. Poezitë e “Vrimës” vazhdojnë të kenë jehonë provokuese. Për këtë Petro është përgjigjur për gazetën “Mapo” se: “Fillimisht jam gjendur e papërgatitur. Nuk kam qenë asnjëherë në qendër të vëmendjes të aq shumë njerëzve…Vrima u kthye në epidemi, një çudi që nuk zgjati 3 ditë, por më shumë se një javë dhe vazhdon edhe sot. Në atë kohë nuk kishte statuse në fb pa u përmendur Vrima, nuk kishte bisedë të njerëzve pa u tallur me Vrimën. Dukej sikur shoqëria mezi kish pritur fjalën Vrima për të nxjerrë në një tepsi të përbashkët gjithë ushqimin e keq që kish ngrënë për shumë e shumë vite. Dhe në këtë pikë unë dhe shumë njerëz të tjerë që mendojnë si unë themi, më mirë që ndodhi kështu. Kjo gjë sot më është kthyer në adrealinë dhe e di shumë mirë që në biografinë e një poeti është një plus shumë i madh kjo ngjarje. Të provokosh një shoqëri të tërë vetëm me një fjalë, nuk është gjë e vogël; të shkruash vargje që tronditin, është gjë e madhe. Dhe për mua, që gjithçka e bëra spontanisht, mendoj se kjo kthehet një ditë në vlerë, sepse sikur poezitë e mia mos kishin vlerë, ato nuk do të ishin tronditëse. Në fakt unë e kisha ndier një lloj shtangieje te njerëzit e mi që e lexuan për herë të parë “Vrimën”, ende pa u botuar. Kur ua lexoja disa fragmente poeme, e shihja se si mbeteshin dhe reagonin me vonesë. Aty fillova ta kuptoj se kisha shkruar një libër të mirë. Por kurrë nuk e kam parashikuar një vullkan të tillë, mbase instinktivisht po, sepse libri “Vrima” u shkrua pas 15 vjetësh që u botua “Kënga live” dhe te unë ishin mbledhur si një llavë vullkani ndjesi të pafundme, të cilat kishin nevojë të shpërthenin. Në të gjitha kontekstet Vrima është vullkani, i cili shkatërron dhe njëkohësisht, mbi të riciklohet një jetë e re.”
“Ndërkombëtarët” e Ylljet Aliçkajt, libri i ndaluar, që u shpëtua nga Brukseli
“Ndërkombëtarët” e Ylljet Aliçkajt është konsideruar një nga librat më interesantë që ka ngjallur debat, dhe për këtë arsye, botuesi i Tirana times vendosi ribotimin, në tri gjuhë: shqip, anglisht dhe frengjisht. Jehona që pati në Francë, Norvegji dhe Itali, botuesi e lidh me cilësinë e librit, por edhe me trajtesën e lëndës letrare. Në rrëfimin e tij, Aliçkaj ka folur për historinë e botimit, peripecinë që ka kaluar gjatë pritjes së “Ndërkombëtarëve”, duke e parë si një histori më vete për lëndë letrare, që do ta shkruajë si një epilog në roman. Por, arsyes personale të shkrimtarit, dhe për historinë e shkrimit të librit, ka replikuar shkrimtari Besnik Mustafaj, duke i sugjeruar Aliçkajt që ta lërë mënjanë historinë personale, viktimizimin nga peripecitë që ka kaluar, për ta lënë veprën të bëje jetën e saj. Nga ana tjetër, Mustafaj ka dhënë një këndvështrim mbi veprën, ndryshe nga të tjerë, duke thënë se romani zbulon një fenomen të mentalitetit shqiptar që pas rënies së idhullit të madh, diktaturës, në mungesë të idhujve të brendshëm, shqiptarët shfaqin dobësitë e tyre ndaj këtij komuniteti, ndërkombëtarëve që nuk kanë arritur t’i zotërojnë, menaxhojnë këto dobësi. Më tej, Mustafaj shpjegon se mbi këto dobësi, krijohet kompleksiteti i protagonizmit nga ndërkombëtarët…është një gatishmëri që shkrimtari e lidh kritikën e tij me këtë mjedis, që është mjaft i vjetër, që prej Adamit në gatishmërinë e njeriut ndaj vesit. Një nga librat që ka provokuar politikën dhe ndërkombëtarët, duke i dhënë shkrimtarit statusin e të angazhuarit, për të cilën ka një histori ndalimi dhe bllokimi të veprës, që e ka rrëfyer për herë të parë në “Mapo”, pas prezantimit të tij…Një libër i sjellë me motivin se edhe pas 100 vjetësh, ndërkombëtarët vazhdojnë të kenë një forcë ndikuese e mbështetëse në Shqipëri, por në raportet njerëzore historia thotë të kundërtën…Por ajo, që ka shënuar pikën e memories së këtij debati janë dy fakte: e para, historia e ndalimit të librit; dhe, replika që pati me shkrimtarin, Besnik Mustafaj i cili është shprehur se “viktimizimi i Aliçkajt nuk i bën mirë librit. Lëre veprën të jetojë.”
Ben Blushi ka provokuar sërish me romanin “Kandidati”
Është nga rekordet e tirazhit, shitja e librit “Kandidati” i Ben Blushit, nga botimet “Mapo Editions”. Qindra kopje të shitura që kanë tërhequr vëmendjen publike por edhe të medias mbi një trajtesë politike pothuaj profetike kur e shohim sot. Një roman që siç u prit hapi debate të mëdha mes politikës dhe medias së sotme, i rrëfyer me stil dhe cinizëm, me mesazhin se cilado qofshin lidhjet me realitetin, bëhet fjalë për art! Ben Blushi është një stereotip i pagabueshëm me goditjet e tij letrare. Fare pak ditë pas daljes së librit të tij më të fundit, Kandidati, ashtu si edhe me librat e tjerë të mëparshëm, Blushi kapërcen kufijtë imagjinarë për të lëshuar silurën e tij të fantazisë mbi ngjarjet politike të ditëve tona. Shqipëria politike në sytë e një politikani, por dhe të një njeriu që njeh në brendi median, tingëllon provokuese. Por, tanimë Blushi është përcaktuar si një fenomen letrar për vendosjen e lëndës historike në një afri reale, duke shkaktuar debate të forta, pro dhe kundër. Kështu, prova e katërt e këtij autori vë përballë mjedisin mediatik, duke krijuar një mundësi “transparence” mbi emra konkretë e përplot aludime personazhesh. Sa ironi dhe lojë e mirëfilltë me mjetet e artit e bën shkrimtarin cinik? Kandidati i Blushit merr përsipër të na tregojë se si zhvillohen zgjedhjet në Shqipëri…Bëhet fjalë për njërin nga kandidatët për Bashkinë e Basenit, i cili vdes papritur, para hapjes së fushatës zgjedhore dhe, megjithatë, fiton. Ai quhet Kadim Sedini dhe konkurron për kryetar Bashkie në qytetin e Basenit. Emri ngjan shumë me atë të Qazim Sejdinit, që rifitoi Bashkinë e Elbasanit, ku Blushi është deputet. Ironi mbi një sfond politik tepër cinik. Lexuesi do të kuptojë përmes ngjashmërisë së fonemave me njërin nga qytetet fare pranë Tiranës.
Kuteli dhe botimi “Netë moldave”! Debati i trashëgimtarëve me Kadarenë
Me botimin më 2015 e “Netë moldave” të Mitrush Kutelit, ku në parathënie trashëgimtarët atakojnë shkrimtarin Ismail Kadare, rihapet në media një prej historive më të errëta, të rënduar me akuza por që marrin përgjigje për herë të parë. Debati në media kalon në qendër të vëmendjes dy shkrimtarë: Kutelin e ikur dhe Kadarenë si dëshmues. Trashëgimtarët e Kutelit kanë shprehur me shqetësim mbi akuzën që rëndon mbi shkrimtarin, për përfshirjen në armatën fashiste rumune, ndërsa Kadare ka shprehur bindjen se është çështja e Kosovës që e çoi shkrimtarin në burg. Kadare për këtë akuzë është përgjigjur: “Nuk kam bërë ndonjë pandehmë për pjesëmarrjen e Dhimitër Paskos në betejën e Stalingradit. Përkundrazi, kam shkruar se “sipas një pëshpërime jo fort të besueshme”, është përhapur kjo pandehmë ose ky trillim. Mendoj se shprehja “sipas një pëshpërime jo fort të besueshme” është aq e qartë sa të mos lexohet si e kundërta e saj.” Në parathënien e “Netë Moldave”, me titullin “Fantazma e Stalingradit dhe Mitrush Kuteli”, sqarohen nga trashëgimtarët disa anë të errëta që lidhen mes Kutelit dhe Kadaresë, po sidomos në hapjen dhe njohjen e shkrimtarit. Në parathënie të “Netë moldave”, sqarohet se ishte mobilizimi i detyruar, pasi Kuteli jetonte e punonte në Rumani si shtetas rumun. Në “Netët moldave”, trashëgimtarët hedhin mendimin, ndoshta për herë të parë, se kjo akuzë vinte nga rrethet letrare. Me këtë akuzë argumentojnë si nisi “heshtja” ndaj Kutelit, refuzimi. A ishte Kuteli në “armatën e hekurt”?! Kjo pyetje hapi sërish debatin në media para dy vitesh. Familjarët shkruajnë në parathënie se ende nuk gjenden të dokumentuara as akuza dhe as akuzuesi. Sigurisht që trashëgimtarët e shkrimtarit sërish këmbëngulin se s’ka pasur asnjë lidhje me këtë akuzë, po ashtu i referohen edhe vërejtjes së studiuesit Aurel Plasari se etiketimi i bërë nga Shuteriqi ka pasur qëllime “keqdashëse” dhe se ishte një “shpifje ahistorike”….
Debati i madh për: “Kadare i denoncuar në 101 dokumentet e Pallatit të Ëndrrave”, i Dashnor Kaloçit
Ka qenë një nga debatet më të gjata në kohë, mbi çfarë pritej me botimin e dokumenteve denoncuese për Ismail Kadarenë. Gazetari e studjuesi Dashnor Kaloçi, pas librit të parë “Kadare i denoncuar”, me “Kadare në dokumentet e pallatit të Ëndrrave”, të dyja botime të UET Press, – ka sjellë dëshmi të reja për shkrimtarin duke rihapur debatin e pakryer, që lidhet drejtpërsëdrejti me hapjen e dosjeve e sidomos denoncimit të krimeve të komunizmit. Ka qenë një debat jo i lehtë për t’u kapërcyer, pasi dihet tashmë që çështjet e dosjeve dhe denoncimeve vazhdojnë të jenë të nxehta në mjediset shqiptare ku ligji për hapjen e dosjeve ende nuk është miratuar. Kështu që kjo nismë e nisur nga shkrimtari Ismail Kadare pritej qysh në krye që të nxiste këtë debat. Emra, personazhe, ngjarje që nuk mund të kalonin në heshtje duke përfshirë pothuaj gjithë median. Kritizerët e këtij libri ndahen sipas mbajtjes së anës ndaj shkrimtarit Kadare, që në këtë rast dosjet si një nga debatet me të nxehta me botimin e këtij libri ashtu si edhe janë shprehur botuesi, dhe përgatitësi nuk merr përsipër të shpallë Kadarenë disident, referuar edhe vetë çfarë ka thënë shkrimtari, dhe as të bëjë interpretim të seleksionuar të dokumenteve. Historia e Kadaresë me diktaturën është rrëfimi edhe në këto 101 dokumente të plota, dhe të sakta, që për herë të parë e merr përsipër një institucion i pavarur, siç janë universitetet private, në këtë rast UET, që hyn në logjikën e një institucioni kërkimor-shkencor. “A ishte shkrimtari i preferuar i oborrit siç thonë disa, apo ishte shkrimtari gjithmonë i rrezikuar nga kolegët dhe të tjerët që e survejonin dhe denonconin pas krahëve? Sipas librit, kjo e dyta është një e vërtetë që s’mund të mohohet. “Me këtë libër kemi dashur t’i japim fund një ideje të krijuar gjatë këtyre 25-viteve sikur Ismail Kadareja ishte aty, përbri Enver Hoxhës, dhe firmoste bashkë me të dëbimet, internimet dhe pushkatimet. Sigurisht kjo ishte një metaforë e tepruar, por kështu u krijua përshtypja e shumë mjediseve intelektuale. Ne kemi dashur të tregojmë këtë të vërtetë dhe besojmë se ky libër dokument me 101 dokumente e jep këtë përgjigje”.
Polemika e Bashkim Shehut me, dosjet e Sigurimit: Libri s’është pornografi politike
Bashkim Shehu ka provokuar. Ka shkruar një roman, “Fjalori udhëzues mbi misterin e dosjeve”, por nga të gjitha prononcimet në media, ka qëndruar i palëkundur, duke thënë se nuk ka asnjë dijeni për dosjet dhe Sigurimin e Shtetit. Romani është vetëm një fiksion – ka thënë Shehu, edhe dje, në promovimin e librit, po ashtu dhe nga “grerëzat” e medieve për t’i shkuar deri në fund këtij provokimi. Fjala ka qenë për një titull në një të përditshme, për të cilën ka reaguar shkrimtari se është totalisht i keqkuptuar me romanin e tij dhe se libri duhet lexuar si vepër letrare dhe jo i shkëputur në kontekst politik. Ndërsa pas kësaj zhurme në media Shehu është shprehur: Libri im s’është pornografi politike. Fjala e tij ndër të tjera ka qenë: “…Përfundimi i këtij romani përkon me shpalljen që do hapen dosjet, dhe botimi i tij përkon me diçka që do të kryhet në këtë ndërtesë, në një sallë, ku hyhet nga hyrja tjetër, kur javën e ardhshme do të diskutohet libri për hapjen e dosjeve. Këtu ka një problem se, mund të lindin keqkuptime për të marrë librin ashtu siç nuk është, sepse mund të sjellë ngatërresa. Ngatërrimi i fiksionit me realitetin dhe botimin e një vepre letrare ta bëjnë që të shihet si sensacion i ditës, dhe vë re këto ditë, që është shkruar nëpër gazeta, shumë faqe nga ky roman, një shembull, një titull: Djali i Mehmet Shehut, roman për sigurimin e Shtetit. Kjo mund të duket keqkuptim, jo vetëm në lidhje me moshën duke vënë këtë titull lë të kuptohet te lexuesi se ky duhet të dijë gjëra për sigurimin e shtetit, dhe konteksti i romanit është ndryshe kur e lexon në libër, e ndryshe me një fragment të lexuar në një gazetë politike. Njerëzit mendojnë se është ngjarje reale, të zbulojmë si ngjarje sensacionale ku janë të prira disa gazeta. Dëshira ime është që lexuesi të ketë kënaqësinë duke e parë si krijimtari letrare dhe jo duke e parë si një reality shoë apo si pornografi politike”.
Provokimi i Muç Nanos me librin “Sandwich-in”, Skëndërbeu me nënë sllave?!
Një deklaratë e publicistit dhe gazetarit Mustafa Nano, si i ftuar special në shkollën verore të lidershipit, që UET organizoi pak ditë më parë në Vlorë, ka shkaktuar prej disa ditësh një zhurmë mes studiuesve, intelektualëve dhe historianëve…Çështja është historike, kur Muç Nano ka thënë ndër të tjera para studentëve të UET dhe maturantëve se: Skëndërbeu është më shumë i krishterë se shqiptar. Nënën e kishte sllave. Nuk është hera e parë që Nano tërheq vëmendje masive përmes shkrimeve të tij, apo librave publicisitike, siç është edhe rasti i fundit i botimit “Sandëich. A është mirë me qenë shqiptar?”, botimet UETPress, promovuar pak ditë më parë në mjediset e UET. Nano i pyetur për botimin e tij të fundit, është ndalur në çështje të etnisë dhe identitetit shqiptar, si një nga temat e tij më të preferuara, ku jo pak herë ka nxitur përplasje. Ndër të tjera, gazetari është shprehur: “…në shek. XIV etnia, identiteti kombëtar, nuk ka qenë shumë i rëndësishëm. Ne themi që Skënderbeu ka qenë i joni, shqiptar, ai më shumë ka qenë i krishterë kur u bë i famshëm sesa shqiptar. Ai nënën e ka pasur sllave, etnia nuk ka qënë shumë e rëndësishme atëherë, martesat mes shqiptarëve dhe serbëve bëheshin pa problem”
Ndërsa reagimit të mënjerëshëm në rrjetet sociale të mjaft personazheve të njohur të jetës publike e intelekuale shqiptare, Mustafa Nano u është përgjigjur në gazetën “Mapo”, të ditës së hënë, në shkrimin me titull: “Skënderbeu ishte shqiptar me nënë serbe. Ç’ka këtu për t’u tërbuar?” . Aty Nano ka marrë në konsideratë faktin se nuk është hera e parë që del në dritë kjo çështje, sidomos pas vitit ’90-të. Nano e ka quajtur histeri gjithë zhurmën që ka lindur përmes mediave rreth frazës së tij, gjatë bisedës me studentë të UET, dhe maturantë në Vlorë, një debat që vjen pas botimit të librit që lidhen me çështje të ndryshme të historisë së Shqipërisë, ku merret edhe me origjinën e Skënderbeut (është fjala për Sandëich-in). Por as ky tekst botuar një ditë në “Mapo” nuk ka qetësuar ndjeshmërinë e mjaft intelektualëve të cilët prej dy tre ditësh kanë reaguar duke iu kundërvënë tezave të autorit të librit të “Sandëich-it”. Një prej tyre, përfshirë në këtë debat, duke e kundërshtuar, është Artan Shkreli i cili e ka quajtur këtë një tezë sllave, duke shkruar një reagim të gjatë në rrjetin e tij social, e marrë e interpretuar pothuaj nga gjithë mediat, online dhe e shtypur. Duke kundërshtuar tezën e Nanos, një tjetër publicist, Ardian Ndreca ka shkruar në profilin e tij në rrjetin social të facebook: “A mund të ketë Muq Nano teza historike? As për historinë e katundit të vet…Ky asht nji mjeran që ka nevojë me ja lakue emnin e asgja ma tepër. Me mësue historinë prej Muqit asht si me i kërkue leksione financet Sudes”. Një tjetër zë i fortë kundërshtues, në gazetën “Dita”, shkrimtari dhe arkeologu Moikom Zeqo është shprehur i indinjuar, me shkrimin e tij me titull: Mustafa, lërë të qetë Skëndërbeun”, një replikë ndaj Nanos për të njëjtën arsye, duke quajtur tezën se nëna e Skëndërbeut ishte sllave, një marrëzi diletantësh narcistë me dituri sipërfaqësore.
Si u komentua libri “Kurban” i Kryeministrit, Edi Ramës
Ka qenë një befasi dalja e librit “Kurban” të Edi Ramës, në vitin 2012, pak para zgjedhjeve të 2013. Mbi librin ka pasur më shumë kuriozitet se cilët janë emrat dhe kë komentonte kryeministri i sotëm, duke përfunduar dhe vetë opinionet në paradigmë mbi politikanin. Mediat shpërthyen me gjetje titujsh dhe histori “hakmarrje” nga libri. Ndërsa, libri është etiketuar “si emergjencë politike e Ramës”, ky libër nuk pati formatin e librave të zakonshëm me kujtime, rrëfime apo të natyrës autobiogafike, të cilat nuk vlerësohen shumë si forma komunikimi, për shkak të raportit me të vërtetën. Rasti i librit “Kurban” të Edi Ramës nuk ishte i tillë.
Libri mban pak impresione nga e shkuara si kryetar bashkie, që përzihen me autorin politikan, duke ikur nga kujtimet. Kështu është parë së shumti nga mediat. Ndërsa, ngado në fletoren e tij të punës, shfaqet gati nënvetëdijshëm, si shkarravinat në fletoren e një nxënësi të shpërqendruar, i njëjti emër, i njëjti personazh i aktualitetit, ai i përndjekësit, ai që ia ka prishur të gjitha: në jetën prej kryetari bashkie, në jetën prej socialisti, në jetën personale e madje edhe rrëfimin duket se po ai ia ka prishur: Saliu, siç e thërret edhe në libër, njëlloj si në konferencat për shtyp. Megjithëse libri është një formë tjetër komunikimi nga tribunat publike, Rama ruan të njëjtin ton dhe ligjërim publik kur flet për Sali Berishën, duke e pikturuar më të zi se djallin dhe duke dalë i pabesueshëm në këtë version njëlloj si në ligjërimin e gabuar publik ndaj tij. Një përmbajtje e nxehtë, e denjë për fletushka revolucionare, pa qetësinë dhe kthjelltësinë reflektive të një libri.
Por është folur mjaft në media, nën një vëzhgim të imët, mbi “listën e Kurbanit”, kjo ndoshta e përqëndroi si gjithmonë vëmendjen kur vijnë qasjet komentuese, se cili mund të “ishte viktima” e Ramës. Është komentuar si “një udhëtim hakmarrës i kryeministrit duke e krahasuar me atë të Edmond Dantesit, heroit të librit të Aleksandër Dymas, Konti i Monte-Kristos. Ashtu si Dantesi, që përgatiti më parë planin e tij nga faktet që i rrëfeu abati Faria, ashtu edhe Edi Rama shkroi Kurbanin, si një platformë të hakmarrjes në rast se do të fitonte”. Publicisti i njohur Artur Zheji do të shkruante në gazetën Mapo se ky krahasim ngjan më shumë me një teori konspirative.
Përgatiti:
Publikuar në Mapo në vitin 2016, nga Violeta Murati