Shënime për romanin “Qyteti bri lumit”, V. S. Naipaul, “Saras” 2014
Nga Agim Baçi
Të udhëtosh në errësirë për të gjetur dritën. V. S. Naipaul përshkruan, frymëzon, ndërton dhe sugjeron rrugëtime pa fund për të gjetur dritën te çdo njeri, pavarësisht errësirës së madhe që mund të kemi përreth. Përmes tragji-komedive, disfatave dhe ëndërrimeve, Naipaul ka mundur të pikturojë atë që ndoshta për shumë e shumë kohë nuk kemi dashur ta shohim, edhe pse ka qenë aty – Njeriu i Afrikës, duke u endur në tokën e tij, për të gjetur një rrugë që të mundet të ndërtojë përditshmërinë e tij. Naipaul thur fabulën përmes rrëfimit të Selimit, njeriut që kërkon të shohë të ecë Afrikën e tij.
Zabeta, Ferdinandi, Maheshi, Meti, Huismansi, Nazrudini, Iveta, Indari, Rajmondi, Presidenti, e mjaft të tjerë, që ndërthuren në rrëfimin prej 400 faqesh janë një përshkrim prekës, plot ngjyra, e ku ka shumë dashuri me njeriun. Eshtë një përshkrim që vjen përmes personazhit të saj, Selimit, e na përcjell plot jetë, me gjithçka të tijën, të veçantë e njëkohësisht të nevojshme për t’u njohur nga të tjerë.
“Qyteti bri lumit” është bota e tërë e atyre që dolën nga një kohë e gjatë e drejtimit nga të tjerët dhe tashmë kërkojnë të ndërtojnë vetveten. Naipaul është një prej atyre që ka përjetuar botën e Afrikës, Trindidadi i fëmijërisë së tij, i përshkruar në prozë, nuk është thjesht një vend i Afrikës, por është vetë Afrika. Edhe pse ka jetuar gjithë kohën në Londër, që kur u largua fëmijë për të studiuar në Oksford, Naipaul duket sikur e ka patur “kokën pas” duke i sjellë botës ndoshta një nga rrëfimet më prekëse, por edhe më njohëse të botës së afrikanit. Me dashuritë, betejat, përpjekjet për të mbijetuar, dashuritë e sidomos me gjithë dritëhijet e përpjekjes për të ndërtuar vendet që enden për shumë kohë kuturu, pa mundur dot të gjejnë dritën e duhur.
Selimi, që na i sjell të gjitha portretet e personazheve, i përket një familje që ka ka kaluar jetën në bregdetin “indiano-perso-arabo-portugez”, aty ku kanë jetuar shumë prej atyre që kanë ardhur e kanë ikur si kolonizator, duke lënë pas jo vetëm historitë e së shkuarës, por edhe atë që do të ndikojë në çdo hap të së ardhmes. Dhe ai është mbështetësi dhe dëshmitari i rritjes së një brezi që ëndërron të rindërtojë vendin e tij, të shohë botën ndryshe, të debatojë për kulturën dhe besimin të cilit i përket dhe atij besimi “të ndryshëm” që ka përballë. Por njëkohësisht, ai është dëshmitari se si korruptohet çdo ditë shpresa përmes figurës së Presidentit dhe mbështetësve të tij, nga xhaketa e tij ushtarake të veshja e porositur mondane, e ku rrëmbehen jetë e prona çdo ditë ne emër të një pushteti të ri.
“Ferdinandi mund të më thoshte vetëm që bota përtej Afrikës po shkonte keq e më keq, kurse Afrika veç po ngrihej. Kurse unë e pyeta se në ç’aspekt bota e jashtme po shkonte keq e më keq, ai nuk diti të më përgjigjej. Dhe kur i kërkoja edhe të më thoshte se çfarë kishte dëgjuar në lice, kuptoja që idetë e diskutimeve në shkollë në mendjen e tij ishin bërë lesh e li dhe ishin thjeshtuar. Idetë në lidhje me të shkuarën përziheshin me idetë për të tashmen. I veshur me xhaketën e tij sportive ai e shihte veten si njeri të kultivuar e të rëndësishëm, si të ishte në ditet e periudhës koloniale. Në të njëjtën kohë ai e shihte veten e tij si një njeri të ri të Afrikës dhe rrjedhimisht të rëndësishëm. Përveç kësaj ideje teatrale për rëndësinë e vetes së vet, ai e kishte reduktuar Afrikën vetëm te vetja e tij, dhe e ardhmja e Afrikës nuk ishte asgjë më shumë se sa puna që ai donte të bënte në të ardhmen”. (V. S. Naipaul, “Qyteti bri lumit”, Saras 2014, f. 74, Përktheu: Lavdimir Marku).
Dhe është pikërisht Ferdinandi, të cilin Selimi e shkolloi siç ja la amanet e ëma e tij, Zabeta, ai që bëhet pjesë e përditshmërisë kaotike që ndërton Presidenti- i forti që beson se po ndërton perandorinë e duhur të njeriut të Afrikës, që do të sfidojë botën. Vetëbesimi i mbështetësve të tij se kanë të drejtë t’u marrin të tjerëve gjithçka, në emër të pushtetit të ri, është tragjikja që nuk është mundur dot ende, jo vetëm në Afrikë. Eshtë një dramë që luhet në përditshmëritë tonë, pavarësisht se ndryshojnë aktorët.
Naipaul na ka përshkruar në fund një rrëzim të Selimit, njeriut që udhëtoi brenda vendit të tij me shpresën se do të shihte Afrikën e tij të ngrihej, por që pa se si përditë në vend të guximit për të ecur, mbizotëron frika, që ushqen më pas injorancën, që ushqen vrasjet. Largimi në fund të romanit i Selimit, me avulloren në një errësirë të plotë, në lumin që ai e kish lënë pas për të ndërtuar një jetë brenda vendit të tij, na lë ne të pikturuar përpara syve fytyrën e trishtuar të njeriut që ka besuar gjithnjë për më shumë dritë. Eshtë njeriu me kokën e kthyer pas, i trishtuar për atë që nuk mundi të gjejë, pavarësisht dritave që kish ndezur në jetën e tij. /tesheshi.com/