Nga Agim Baçi
Një këndvështrim për fuqinë e emrave si Don Kishoti, Shvejku dhe…. Shekspiri
Rëndom, kur tentojmë të flasim për letërsinë, për libra të ndryshëm, disa herë përdorim emrin e autorit, por në disa raste përdorim emrin e personazhit. Në të dy rastet, përdorimi i këtyre emrave imponohet në mënyrë të vetvetishme, por që shpesh përbën edhe një mënyrë të kuptuari ndaj librit.
Por, a ekziston një betejë mes autorit dhe personazhit?
Do të doja ta bashkëndaja këtë diskutim duke iu referuar tre librave apo autorëve që rezultojnë ndër më të lexuarit në të gjitha kohërat, por edhe që përbëjnë ngjarje në historinë e letërsisë botërore, si Don Kishoti, Shvjeku dhe veprat e Sheksiprit.
Që në momentin e parë gjithkush mund të dallojë se dy të parët janë personazhe, ndërsa i treti është autor. Po përse vallë ky ndryshim? Çfarë e bën Shekspirin të vazhdojë të thirret në emër të personazheve të tij. Çfarë e bën Servantesin të mos përfaqësojë dot popullaritetin që ka Don Kishoti? Po Hasheku pse nuk duket aq emër i fuqishëm sa Shvejku?
Kur themi Don Kishoti, emri i Servantesit duket i fshehur. Askush nuk tenton të identifikojhë heroin me emrin e autorit. Servantesi nuk mundet dot ta përfaqësojë më. Historia i ka dhënë të drejtën “krijesës” për të mbajtur gjithë fuqinë e veprës. Ndërkohë, situatë e njëjtë ndeshet edhe me Shvejkun. Hasheku mbetet i largët, thuajse i papërfillshëm në kahasim me njohjen që ka Shvejku. Në të dy rastet, emri i personazhit është më popullor se sa i autorëve, madje, mund të ketë shumë persona në botë që dinë për Don Kishotin por nuk dinë asgjë për Servantesin, që dinë shumë gjëra për Shvjekun e që nuk e njohin aspak Hashekun.
Si për ironi të fatit, këto dy vepra mbeten edhe të vetmet e autorëve, pasi të tjerat nuk e kanë patur vlerën e tyre.
Ndërkohë, për Shekspirin vazhdojmë të mendojmë si autor. Edhe pse Hamleti, Mbreti Lir, Makbethi, Otello, Ofelia, janë personazhe që kanë vënë në punë qindra skena, qindra Akademi Artesh, qindra kritikë, sërish askush nuk ka menduar vetiu ta përfaqësojë Shekspirin me ndonjë prej personazheve.
Atëherë, përse një është autor ndërsa dy të tjerët personazhe? A mund të ketë diçka që mund t’i ndajë, a ka ndonjë faktor thelbësor që bën këtë dallim?
Don Kishoti është natyrshmëri. Eshtë pjesë e brendshme. Eshtë dëshirë për të triumfuar në dashuri. Eshtë provim me vetveten.
Shvejku është ironi, është dysheme e së vërtetës, e njëkohësisht edhe mënyra se si shihet e vërteta.
Ndërkaq, Shekspiri është piktori i pushtetit, parasë dhe tradhëtisë. Asnjë penë si ka pikturuar si ai këto tri fenomene kaq të rëndësishme në jetën njerëzore. Por të tri këto veti janë pjellë e mendjes. Kjo bën që personazhet të duken dhe perceptohen si produkt mençurie. Jeta i ka vërtetuar dhe vazhdon t’i vërtetojë fjalët e tij.
Me dy të parët, pra me Don Kishton dhe Shvejkun, ne etiketojmë qindra, mijëra persona. Madje, edhe një pjesë e mirë e atyre që nuk i kanë lexuar si libër, kanë mundësinë të dinë kuptimin e etiketimit për shkak të përdorimit të herëpashershëm në jetën e përditshme.
Ndërsa me Shekspirin gjithçka ndodh ndryshe. Ai u përket zgjidhjeve të mendjes, zgjidhje që për ne, edhe pse përbëjnë shenja për të përcaktuar një fenomen, mbeten brenda zgjidhjeve të mençura, ose zgjidhjeve që mund të arrihen apo shmangen nëpërmjet mençurisë.
Don Kishoti është ëndërr, por ëndrra nuk mund të jetë emërtim i përgjithshëm, pasi ëndrra i përket thelbit të intimitetit tonë. Ndaj, keqkuptimi me Don Kishotin ka ardhur në një rrjedhë që duket normale, ku zakonisht “Don Kishot” ne cilësojmë dikë që po merr kot, që ëndërron kot. Por a mundet që dikush të ëndërrojë kot në dashuri? Kjo duket e pamundur, pasi ne thuajse e kemi dashur të gjithë dikë edhe kur nuk kemi arritur t’ia themi.
Shvjeku është “e vërteta pa etiketë”, por ne jemi mësuar që të vërtetën ta themi në forma sa më të buta, të veshur me fjali amortizuese. Ndaj, me Shvejkun ne zakonisht etiketojmë ata që sillen si naivë, pasi të drejtët, ata që thonë të vërtetën, ne i shikojmë si naivë, ose gati-gati, si budallenj.
Ndërkohë, Shekspiri ëshë zgjidhje e mendjes. Tradhëtinë, pushtetin dhe paranë ne thuajse i etiketojmë njëlloj- “prodhim i mendjes”. E meqenëse i përkasin marrëveshjeve nëpërmjet mendjes dhe jo shpirtit, përgjithësosht njerëzimi nuk i ka keqkuptuar personazhet e Shekspirit. Kjo bën që ne mos të kemi pikëpyetje kur etiketojmë me emrat e personazheve të tij: Kështu, me Brutin ne shikojmë tradhëtarin, Me Romeon e Zhuljetën ne shikojmë dashurinë, e kështu me rradhë.
Don Kishotin dhe Shvejkun “ka të drejtë” t’i gjykojë çdo lexues, sepse ata janë drejt një bote të humbur, larg “të mençurve”. Ndaj, meqenëse çdo lexues “mund t’i gjykojë”, atëherë autori nuk është vendimtar në atë që i duhet lexuesit të mendojë. Ndërsa te Shekspiri, mençuria e drejtëpërdrejtë ose si fabul, është në çdo gërmë. Meqenëse në libër ato janë personazhe, shpesh lexuesve i duhet një mbështetje për të besuar ato mendime të rrufeshme, filozofike, të goditura, shpesh edhe rrënqethëse.
Dhe, në këtë mes, Makbethin, Hamletin, Otellon, Mbretin Lir, i shikojmë si personazhe, me aktorë të ndryshëm. Ndërsa Shekspiri është emër njeriu, pra një njeri që na duket më e lehtë ta besojmë- kështu që duket më e lehtë që barrën e mençurisë ta mbajë ai për të gjithë. Duket se vetëm ai mund t’i përmbledhë ato mendime. Ndaj duket se Shekspiri do të mbetet përjetë mbret i personazheve të veta, duke i pëmbledhur idetë si “shekspiriane”, pas asnjë keqkuptim, siç ndodh rëndom me Don Kishotin dhe Shvjekun që ua kanë vjedhur kurorën Servantesit dhe Hashekut…/tesheshi.com/