Presidenti i Republikës, Ilir Meta, nuk i ka hapur dritën jeshile qeverisë të negocojë me Greqinë për Detin. Kreu i shtetit shqiptar ka publikuar një letër të gjatë të cilën ia ka drejtuar ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati.
Meta përcakton se kërkesa e Bushatit për plotfuqishmëri është e hartuar keq dhe e paplotë. Në shkresën e gjatë që Presidenti i dërgon Bushatit dhe Ramës, përmend dy gjëra thelbësore. Meta bën të ditur se shkresa e MPJ nuk ka të përcaktuar qartë titullin e marrëveshjes me Greqinë.
“Nga shqyrtimi tërësor i kërkesës rezulton se ajo nuk shpreh në mënyrë të qartë dhe eksplicite titullin e marrëveshjes dhe objektin konkret për të cilin shteti shqiptar kërkon të hyjë në negociata zyrtare me shtetin grek.
Përcaktimi i saktë dhe pa asnjë ekuivok i titullit të marrëveshjes dhe objektit të negociatave, në proceset e diskutimeve negociuese ndërkombëtare me qëllim lidhjen e një marrëveshjeje të kësaj natyre është kushti themelor që duhet të plotësohet, dhe mbi të cilin lëshohet Autorizimi për Plotfuqi nga Presidenti i Republikës.
Vetëm duke përcaktuar objektin e saktë të negocimit, grupi negociator legjitimohet për të zhvilluar diskutime brenda objektit të tij”, thekson Meta.
Sipas Presidentit të Republikës, mospërcaktimi i qartë i titullit të marrëveshjes mund të sjellë ndryshim dhe lëvizje gjatë rrugës, gjë që këron një plotfuqishmëri të re.
Nga ana tjetër, Meta ka rrëzuar MPJ-në, duke e akuzuar për diletantizëm dhe mosthellim.
“Të sqarohet qartë se për çfarë pretendimesh konkrete territoriale bëhet fjalë?, cila palë i ka shfaqur ato, në ç’mënyrë, në çfarë kohe, dhe a ka qenë kjo çështje objekti i diskutimit eksploratore diplomatike që janë realizuar përpara paraqitjes së kërkesës për negocim dhe kërkohet që nga ju me prioritet të vihet në dispozion të Presidentit të Republikës, i gjithë informacioni që dispononi në lidhje me këtë çështje?”, shkruan Meta në letrën e tij.
Këtu Presidenti hyn në një çështje brendësie të negociatave dhe në shteg të rrezikshëm, pasi i kërkon qeverisë të flasë për pretendimet territoriale që Greqia dhe Shqipëria kanë konkretisht në bisedime. Kjo mund të sjellë minimin e bisedimeve dhe prishjen e besimit të ndërsjelltë që Rama dhe Tsipras tashmë i kanë rivënë.
Por Meta nuk ndalet dhe kërkon që të jetë ai që të udhëheqë negociatat dhe të furnizohet me çdo detaj, por edhe të diktojë në grupin negociator se si do të ideohen dhe ndërtohen bisedimet për Detin.
Meta kërkon nga qeveria që ta furnizojë për çdo detaj të bisedimeve të kryera me Athinën deri tani dhe si është arritur që nga palët të bjerë marrëveshja e vjetër dhe të ndërtohet e reja.
“Është e nevojshme që dokumentet që shoqërojnë kërkesën tuaj, të përcillen pranë institucionit të Presidentit dhe të përmbajnë edhe një informacion shterues mbi materialet apo minutat e diskutimeve eksploratore me palën greke si dhe në mënyrë të veçantë analiza e brendshme e bërë nga Ministria e Punëve të Jashtme lidhur me këtë çështje, si dhe personat dhe funksionet e tyre, që e kanë kryer këtë analizë”, thuhet në shkresën që Presidenti i ka dërguar Kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm.
Më pas Ilir Meta, i kërkon që të gjithë negociatorët që do të dërgohen për të negocuar për Detin me Greqinë, duhet të kalojnë në “vetting” nga ai.
Ja si e paraqet këtë “urdhër”, letra e kryetarit të shtetit për Ramën e Bushatin:“Kërkesa për pajisjen me autorizim, duhet të shoqërohet detyrimisht me listën nominale të emrave konkret përbërjes të grupit negociator, shoqëruar me CV përkatëse, që do të krijonte mundësinë e vlerësimit të përmbushjes së kritereve të integritetit moral dhe profesional që krijojnë besimin tek Presidenti i Republikës, për t’i dhënë besimin që ta përfaqësojnë atë në këto negociata”.
Për nga rëndësia e kësaj marrëveshjeje dhe njohuritë e veçanta që kërkohen në këtë fushë, Presidenti i Republikës nuk është informuar nëse, deri në këto momente, është këshilluar ekspertizë e jashtme dhe nëse synohet të merret një e tillë gjatë procesit të negocimit për këtë marrëveshje”.
Por Meta nuk ndalet me kaq, ai kërkon që në grupin negociator me Greqinë të mos jenë vetëm pjesëtarë apo ekspertë të qeverisë, por edhe specialistë nga institucionit që i kontrollon apo emëron presidenti si nga Akademia e Shkencave apo Universiteti i Tiranës.
Si përfundim, Ilir Meta ka hedhur poshtë kërkesën e Bushatit, madje duke e publikuar të plotë materialin, ka krijuar kusht që e gjitha kjo të bëhet lojë e politikës së ditës, çka mund të minonte bisedimet.
Por a ka të drejtë kreu i shtetit të jetë pjesë e negociatave ndërshtetërore?
Po, sepse këtë të drejtë ja jep edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese; por këtë mund ta bëjë në mënyrë institucionale dhe konfidenciale, pa e publikuar me detaje, çka do të sillnin telashe edhe më të mëdha.
Por duket se kjo marrëveshje do të jetë pjesë e lojës politike që Ilir Meta ka nisur për të sfiduar Edi Ramën, duke përdorur rolin e tij kushtetues.
Këtë e thotë qartë në letrën zyrtare, ku theson se “kërkesa e paraqitur do të duhej të shoqërohej me përcaktimin e qartë se në cilën pjesë të hapësirës detare të vijës së delitimit do të përdoret parimi i barazlargësisë strikte dhe ku parimi i barazlargësisë me korrektim, duke saktësuar gjithashtu se cilat janë momentet konkrete që kërkojnë negocim dhe janë objekt i mosmarrëveshjeve ndërmjet palëve”. /tesheshi.com/