Nga Haidar Eid*
“Bota e vjetër po vdes dhe e reja lind në agoni; tani është koha e përbindëshave”, shkruante në vitin 1929 filozofi italian Antonio Gramsci.
Më kujtohen këto fjalë teksa shoh aparteidin e Izraelit që shpërbëhet me shpejtësi në kuptimin historik të fjalës. Izraeli është një koloni kolonësh që po dështon në misionin e saj, duke shkatërruar popullsinë autoktone dhe duke e zëvendësuar atë me kolonë të “civilizuar”. Ndërsa sistemi i aparteidit shembet ngadalë nga brenda, palestinezët, veçanërisht ata në Gaza, po paguajnë një çmim tmerrësisht të lartë.
Ky “shtet hebre”, siç e përkufizon veten, po kryen krime të paimagjinueshme lufte dhe po shkel ligje të shumta ndërkombëtare. Po arrin gjithashtu t’u shpëtojë të gjitha këtyre krimeve, falë mbështetjes së pakufizuar të ofruar nga Perëndimi kolonial.
Por kolapsi vazhdon me ritme të shpejta. Shumë nuk e kuptojnë se kjo shpërbërje është e pashmangshme, dhe mes tyre, në mënyrë paradoksale, është lidershipi palestinez. Për shkak të mungesës së largpamësisë, udhëheqësit palestinezë nënshkruan Marrëveshjen e Oslos dhe e bënë “zgjidhjen me dy shtete”, një slogan i kamufluar si “pavarësi”.
“Lufta e lashtë”
Marrëveshja e Oslos fshiu në mënyrë efektive natyrën koloniale të shtypjes së palestinezëve dhe e paraqiti atë si një “luftë të lashtë” mbi pronësinë e tokës. Duke nënshkruar atë marrëveshje, ish-udhëheqësi palestinez Yasser Arafat injoroi plotësisht realitetin e kolonializmit të imponuar mbi palestinezët.
Sapo Arafat shtrëngoi dorën me kryeministrin izraelit Yitzhak Rabin në vitin 1993, intelektuali palestinez Edward Said shkroi: “Tani që euforia është ulur pak, ne mund të hedhim një vështrim më të afërt në marrëveshjen midis Izraelit dhe PLO. Rezulton se për shumicën e palestinezëve është shumë më e papërshtatshme dhe e pabalancuar nga sa mendohej fillimisht. Inskenimi pa shije i ceremonisë së Shtëpisë së Bardhë, performanca poshtëruese e Arafatit ndërsa falënderonte botën për heqjen dorë nga shumica e të drejtave të popullit palestinez dhe roli qesharak i Bill Clintonit si perandor romak i shekullit të 20-të që shoqëronte dy mbretërit e tij vasalë në ritualet e pajtimit dhe nënshtrimit: e gjithë kjo mund të jetë vetëm e përkohshme për të errësuar dramën e vërtetë palestineze.”
Ndonjëherë pyes veten nëse Arafat dhe pjesa tjetër e udhëheqjes së PLO-së e kanë lexuar Said, Frantz Fanon, Amilcar Cabral, Ghassan Kanafani apo ndonjë nga intelektualët antikolonialë të kohës së tyre.
Sionizmi politik, i cili pretendon të përfaqësojë një “komb hebre” u shfaq në Evropë në shekullin e 19-të dhe natyrshëm imitoi ideologjitë evropiane të asaj kohe. Ai pretendoi “të drejtën” për të krijuar shtetin e tij në çdo territor në botë, pavarësisht vendndodhjes. Ai i vuri sytë Palestinës, duke pretenduar se ajo ishte “një tokë pa një popull për një popull pa tokë” dhe bëri atë që evropianët kishin bërë tashmë në Afrikë, Amerikën Veriore dhe Jugore, Australi, Zelandën e Re dhe pjesë të Azisë.
Gjenocidi, siç kanë dokumentuar shumë vepra antikoloniale, ishte dhe mbetet një pjesë integrale e kolonializmit perëndimor. Ata janë të pandashëm. E njëjta gjë është edhe në rastin e sionizmit kolonial.
“Puna e papërfunduar”
Është e pamundur të kuptohet vrasja aktuale e dy milionë njerëzve në Gaza, e cila transmetohet drejtpërdrejt dhe për të cilën shumica e izraelitëve po mburren në rrjetet sociale, pa e lidhur atë me një ideologji hegjemoniste koloniale.
Që nga fillimi i tij, Izraeli ka punuar sistematikisht për të larguar popullsinë autoktone. Gaza aktualisht po paguan çmimin për atë që historiani kryesor fashist izraelit Benny Morris ka argumentuar se ishte dështimi i Izraelit për të “zhvendosur” të gjithë palestinezët nga Palestina në vitin 1948.
Kjo për shkak se në vitin 1948, Gaza u bë kampi më i madh i refugjatëve në botë, i banuar nga palestinezë autoktonë që refuzuan të pastroheshin etnikisht dhe që vazhdimisht u kujtonin izraelitëve “punët e papërfunduara”. Ata tani vuajnë zemërimin e një Izraeli gjenocidal të vendosur për ta bërë fakt pretendimin e tij se “nuk ekziston një popull palestinez”.
Por, prosperiteti i aparteidit dhe kolonializmit të kolonëve tani është një gjë e së kaluarës. Një shtet i bazuar në këto koncepte nuk mund të mbijetojë.
Në mes të gjenocidit në Gaza, kjo mund të mos jetë aq e qartë, por le të kujtojmë se rënia e regjimit të aparteidit në Afrikën e Jugut filloi në momentet më të errëta të historisë së Afrikës së Jugut, në fund të viteve 1980 kur gjithçka dukej e pashpresë. Në atë kohë, njerëzit nuk ishin në dijeni se regjimi racist po shkatërrohej dhe një agim i ri po gdhihej.
Rezistenca, në forma të ndryshme, e përzier me nivelin më të lartë të “sumudit” (qëndrueshmërisë) është bërë normë në Gaza. Kjo rezistencë dhe sumud pritet të përhapet në të gjithë Palestinën historike dhe gjetkë.
Gaza është bërë qendra e botës. Nëse bie, do të bjerë edhe Jugu Global. Bota nuk ka zgjidhje tjetër veçse të çmontojë të vetmin regjim të mbetur të aparteidit që po kryen një gjenocid të paprecedentë në shekullin e 21-të.
Ndonjëherë ëndërroj se kam aftësinë të vizatoj të ardhmen dhe të kthehem me një mesazh. Në të ardhmen, unë jam duke ngarë një makinë buzë detit nga Gaza në jug e Haifas në veri, duke dëgjuar zërin engjëllor të Fairuzit dhe duke u treguar vajzave të mia për të kaluarën e tmerrshme kur vendi i quajtur Izrael na ndaloi të vizitonim pjesën tjetër të vendit. Unë u tregoj atyre për kohën kur bota shikonte në heshtje sesi Izraeli vriste brutalisht dhjetëra mijëra fëmijë dhe gra dhe kur më në fund njerëzit me ndërgjegje vendosën t’i thonë “mjaft”.
Siç ka thënë me elokuencë shkrimtari amerikan Mike Davis: “Forcën për të vazhduar na e jep dashuria dhe refuzimi për të ulur kokën, për të pranuar verdiktin, sado i shumëfuqishëm të duket”.
Po kthehem nga e ardhmja plot optimizëm se “koha e përbindëshave” do të përfundojë së shpejti. /tesheshi.com/
*Profesor i asociuar në Universitetin Al-Aksa në Gaza.