Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti thotë se po thellohet konfuzioni lidhur me dialogun me Serbinë dhe sipas tij nuk ka rezolutë të re të Kuvendit që do të përcaktonte parimet dhe bartësit e dialogut, temat, afatet dhe ekipin negociator.
Sipas tij rezolutat e Kuvendit të viteve 2011 dhe 2012 (e datës 10 mars 2011 dhe 18 tetor 2012) e a autorizojnë qeverinë të zhvillojë dialogun, si dhe përcaktojnë rolin mbikëqyrës të Kuvendit.
“Çdo format tjetër i dialogut bie ndesh me këto rezoluta dhe, rrjedhimisht, çdo marrëveshje që arrihet është e pa pranueshme. Në këtë frymë, involvimi i Presidentit në procesin e dialogut bie ndesh me vendimin e institucionit më të lartë të vendit”, shkruan Hoti në Facebook.
Ai ka folur edhe për Asociacionin e komunave serbe me ç’rast thotë se negociatat duhet të zhvillohen në Prishtinë e jo në Bruksel.
“Bartja e çështjes në Bruksel përbën rrezik për koncesione shtesë”, thotë Hoti. /tesheshi.com/