Përpjekjet e presidentit Thaçi për të udhëhequr dialogun me Serbinë në nivel presidentësh, LDK-ja e Isa Mustafës po i sheh me shqetësim të madh. Kjo parti thotë se po përcjell me shqetësim përpjekjet e Thaçit, që duke iu imponuar presidentit serb Vuçiç, që të jetë pjesë e dialogut në Bruksel, me synim të realizimit të interesave të tij personale, e jo shtetërore.
“LDK-ja konsideron se Thaçi, duke u implikuar drejtpërdrejtë në fushatë zgjedhore, ka dëshmuar se nuk e përfaqëson aspak unitetin e popullit të Kosovës, por vetëm partinë e tij”, thuhet në reagim.
LDK më tej thekson se dialogu për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi si dy shtete të pavarura, i ndërmjetësuar nga BE-ja e me praninë e pazëvendësueshme të SHBA-ve, duhet të udhëhiqet nga qeveria e Kosovës që do të dalë nga zgjedhjet e 11 qershorit, pasi që edhe çështjet të cilat trajtohen janë në kompetenca kushtetuese të ministrive përkatësisht qeverisë e jo presidentit.
Kujtojmë se Thaçi, në Samitin e Dubrovnikut ka deklaruar se dialogu mes dy vendeve ka dhënë rezultate pozitive, andaj si president ka shprehur gatishmërinë për vazhdimin e tij. /tesheshi.com/