Kryediplomatët e dy fuqive botërore u takuan dje në Zvicër, dhe dhanë sinjale pozitive se nuk do të ketë shtyrje të bisedimeve të paqes për Sirinë, që pritet të nisin në fundin e këtij muaji, por nuk ia dolën të jenë në një zë për të ftuarit në to nga opozita siriane.
“Procesi politik do të fillojë, shpresojmë, sa më shpejt të jetë e mundur, në fund të janarit,” u shpreh ministri i Jashtëm rus.
Në lidhje me të ftuarit nga kundërshtarët e regjimit sirian, palët mbetën përsëri të ndara. E konfirmoi këtë Lavrov-i, kur tha se, “Ne kemi dhënë propozimet tona, SHBA-të bënë të njëjtën gjë, dhe tani anëtarët e grupeve të opozitës siriane dhanë gjithashtu propozimin e tyre.”
Zgjidhjen, sipas Lavrov-it, duhet ta japë tani, i dërguari i OKB-së për Sirinë, Staffan de Mistura.
Lavrov-i, ndryshe qëndrimit të SHBA-ve, përsëriti se Xhejshul Islami dhe Ahrarush Shami, dy grupe të armatosura, nuk janë të pranueshëm si të ftuar, duke i quajtur ato organizata terroriste.
Në takimin e djeshëm u fol po ashtu për zgjidhjen e çështjes humanitare në Siri, teksa, siç është dëshmuar së fundmi, një pjesë e popullsisë po vuan nga uria. /tesheshi.com/