Nga Bashkim Kastrati
Mund të duket e çuditshme, ndoshta edhe e palogjikshme, por qytetarët e Kosovës shpenzojnë më shumë para se sa kanë të hyra financiare, se sa që i kanë pagat e tyre.
Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) për vitin 2016, tregojnë se konsumi për ekonomi familjare ka qenë 7.539 euro, kurse për kokë banori 1460 euro. Pjesa më e madhe e këtyre mjeteve janë shpenzuar për ushqim dhe banim. Kurse shporta mujore e një qytetari në Kosovë, sipas këtyre të dhënave zyrtare, llogaritet të jetë 115 euro.
Në anën tjetër, paga mesatare në sektorin publik është 400 euro në muaj, apo 4800 euro në vit, kurse në sektorin privat, paga mesatare është rreth 349 euro, rrjedhimisht 4188 euro në vit.
Ky trend, me dekada është duke përcjellë shoqërinë e Kosovës, ku më tepër kanë shpenzime sesa të ardhura, thonë edhe përfaqësues të komunitetit të biznesit.
Mospërputhja e madhe në mes vlerës se konsumit të ekonomive familjare dhe pagës mesatare në vend, mbulohet nga remitencat dhe ekonomia joformale, thonë ekspertë për çështje ekonomike. Gjithashtu dërgesat e bashkatdhetarëve vazhdojnë të jenë konstante, e kjo vërehet sidomos gjatë sezonit të verës, kur edhe ata vijnë në Kosovës.
Një arsye e këtij disbalanci mes të hyrave dhe shpenzimeve janë edhe kreditë që qytetarët marrin nga bankat komerciale.
Ndryshe, sipas të dhënave të ASK-së pak më shumë se gjysma e ekonomive familjare në Kosovë gjatë vitit të kaluar kanë deklaruar se nuk kanë qenë në gjendje të përballojnë një shpenzim të papritur prej 500 eurosh përmes burimeve vetanake. Kurse, 70 për qind të ekonomive familjare nuk kanë qenë në gjendje të përballojnë një pushim vjetor njëjavorë.
Ja arsyet pse kosovarët shpenzojnë më shumë se sa fitojnë
Ekonomisti Lulzim Beqiri ka thënë për tesheshi.com se ka disa arsye pse qytetarët e Kosovës shpenzojnë më shumë se sa kanë të hyra dhe sipas tij, një dukuri e tyre është e rrallë.
“Mendoj që një fenomen i tillë në ekonomi është i rrallë të paktën si problem afatgjatë, nuk haset askund në botë që të konsumohet apo të shpenzohet më shumë se sa që fitohet. Pra kjo dëshmon se qytetarët kosovarë janë në borxhe deri në fyt, pasi që nuk ka mundësi një gjë e tillë të ndodhë. Bukur një pjesë e madhe kanë hyrë në obligime në bankat komerciale, e që kanë kamata enorme dhe të papërballueshme për ta”, thotë Beqiri.
Ai mendon se një arsye tjetër është edhe ekonomia joformale në Kosovë, pra ka të ardhura por një pjesë e qytetarëve nuk i deklarojnë ato të ardhura për arsye të ndryshme. E në këtë aspekt sipas tij një ndikim të madh kanë edhe të hyrat na diaspora.
“S’ka dyshim se remitencat luajnë rol jetik në mirëqenien e qytetarëve kosovarë, por shqetësuese mbetet orientimi i këtyre remitencave, e që kryesisht shkojnë në konsum. Mentaliteti kosovar ka bërë të veten, pra ky potencial i jashtëzakonshëm i të hyrave do të duhej të orientohej në investime kapitale në mënyrë që të krijohen vende të reja pune dhe rritje ekonomike, e jo të përdorën vetëm për konsum”, theksoi Beqiri.
Mungon matja reale e sektorëve të ekonomisë
Ekonomisti Mustafë Kadriaj mendon se dukuria e shpenzimit më shumë se sa janë të ardhurat ka të bëjë edhe me ekonominë joformale. Sipas tij, institucionet e Kosovës kanë dështuar që të paraqesin gjendjen reale të ekonomisë në Kosovë.
“Qeveritë nuk kanë treguar seriozitet për faktin sepse nuk dimë sesa e kemi potencialin ekonomik, po ashtu edhe në nivel ndërkombëtar nuk paraqesim një ekonomi faktike. Pra me këtë dua të them që si rezultat i ekonomisë joformale edhe institucioni që do të duhej të ishte i besueshëm për nga thirrja siç është Agjencia e Statistikave të Kosovës po bie në lajthitje, sepse si rezultat i ekonomisë joformale dhe remitancave që hynë në kesh, pra duke iu ikur bankave dhe transfereve të shpejta kështu që si rezultat ASK nuk jep rezultate të sakta”, thotë Kadriaj.
Kadriaj thotë se në këtë aspekt, dukuria tjetër është punësimi joformal, e në këtë aspekt duhet të kujtojmë që punësimi rural mbi 90% është jo formal dhe si rezultat jep rezultate të gabuara.
“Kjo për faktin sepse këta nuk janë të punësuar de juro, dhe potencialisht edhe kjo kategori konsiderohet si e varfër. Me ketë dua të them që sipas logjikes ekonomike nuk mund të shpenzosh më shumë se sa që ke të ardhura”, ka thënë Kadriaj.
Ai thotë se është e domosdoshme që të ketë një formalizim të sektorëve të ekonomisë në Kosovë dhe kjo do të ndikonte pozitivisht në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të Kosovës.
“Kjo qasje e Qeverisë së Kosovës lë për të dëshiruar, sepse nuk kemi ekonomi reale dhe kjo po reflekton joseriozitet para bashkësisë ndërkombëtare, sepse nuk ka logjikë ekonomike që të shpenzojmë më shumë sesa kemi të hyra. Mendoj që është emergjente formalizimi i këtyre kategorive, sepse në këtë mënyrë rritet buxheti, poashtu nëse kemi një ekonomi reale poashtu edhe niveli papunësisë dhe varfërisë do të ndryshonte me shifra pozitive”, u shpreh Kadriaj. /tesheshi.com/