Në seancën e fundit parlamentare të kësaj legjislature, kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi mbajti dhe një fjalim lamtumire, pasi kohë më parë shpalli largimin nga politika.
Njeriu që është kontestuar nga kahja tjetër si ish-ministër i regjimit komunist (i fundit si ministër i Brendshëm i një epoke monopartiake), por pa njolla në pluralizëm, shprehu bindjen se gjeneratat e ardhshme do bënin atë që s’ka mundur dot ta bëjë ai për Shqipërinë.
“Nëse nuk kam bërë më të mirën që prisnin qytetarët shqiptarë, kjo ka ndodhur jo se nuk kam dashur apo nuk kam ditur, por nuk kam mundur. Madje, do të thosha, nuk kemi mundur.
Jam i bindur se gjeneratat e reja të politikanëve dhe qytetarëve shqiptarë, gratë dhe burrat, vajzat dhe djemtë e Shqipërisë që do të vijnë në këtë sallë, do ta bëjnë Shqipërinë një vend më të mirë për të jetuar, një vend më të mirë për të gjithë”, tha Ruçi.
Ndërkohë, nëse nga pikëpamja ideologjike s’ka patur njollë, përfolja e tij nën pushtetin e PS-së pas 2013-ës ka ekzistuar gjithsesi.
Në jug, nga Fieri e poshtë, deri në Ksamil, aty ku ka qenë deputet, për shumë njerëz aferash, në shtet ose në botën e të fortëve, është thënë ose vijon të thuhet, se janë “njerëz të Ruçit”. /tesheshi.com/