Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur sot në 10:20 me orën lokale në Stamboll.
Sheshi i Sulltanahmetit (Sultanahmet Meydanı), ku gjendet dhe Xhamia Blu, e që është i mbushur çdo minutë të ditës me turistë, është goditur nga një shpërthim.
Shpërthimi ka qenë aq i fuqishëm, sa është dëgjuar shumë larg. Forca të shumta policie ka aktualisht në vendngjarje, dhe e tërë zona është boshatisur nga frika se mund të ketë një shpërthim të dytë.
Ka të dhëna për të vrarë e të plagosur, por ende asnjë mjet informativ turk nuk jep ndonjë shifër, pasi gazetarët e kanë të pamundur të afrohen në vendin e ngjarjes. Ambulanca dhe zjarrfikëse të panumërta gjenden aty. Në tërë hapësirën rreth ngjarjes është pezulluar lëvizja e makinave, tramvajit, e po ashtu e njerëzve.
Dyshohet për një shpërthim kamikaz, veçse asgjë nuk mund të thuhet për momentin me siguri. Po ashtu mbetet ende e paditur se kush e ka kryer shpërthimin. /tesheshi.com/