Skuadra e Diego Simeones e ka lënë pas humbjen e javës së shkuar ndaj Barcelonës, duke u kthyer te fitoret. 3-1 ka përfunduar sfida e së shtunës në “Vicente Calderon” ndaj Eibarit.
Atletiko nuk fitonte prej 17 janarit, dhe eliminimi në Kupën e Mbretit e humbja ndaj katalanasve një javë më parë i kishin tronditur pozitat e madrilenëve. Çka u pa dhe dje në fushë, ndërsa vendasit u gjendën në humbje me fillimin e pjesës së dytë. Një gol nga Keko do ta kalonte Eibarin në epërsi.
Megjithatë, presioni i lojtarëve të Atletikos i dha frytet e veta, dhe goli i barazimit nuk vonoi të vinte. E po ashtu dhe ai i përmbysjes së shifrave. Gimenez dhe Saul shënuan njëri pas tjetrit, për ta kthyer buzëqeshjen tek të pranishmit në stadium.
Fitorja e 16-të në kampionat do të vulosej me golin e shënuar nga Fernando Torres. Ky ishte dhe goli i njëqindtë për të me bluzën e Atletikos së Madridit.
Atletiko e Madridit është në kuotën e 51 pikëve, e mban vendin e dytë në renditjen e kampionatit spanjoll. /tesheshi.com/