Nga 140 deputetë të parlamentit të ri 61 deputetë prej tyre ose 44% janë për herë të parë ligjvënës. Por me ndonjë përjashtim, mes tyre mund të ketë ndonjë deputet që ka qenë vite më parë në Parlament
Pjesa tjetër prej 79 deputetësh ose 56% janë rizgjedhur nga legjislatura e kaluar.
Sipas raportit të Institutit të Studimeve Politike, ndryshimin më radikal në përbërjen e re parlamentare e ka PD me 54% (23 deputetë) të rinj, ndaj vetëm 46% (20 deputetëve) të rizgjedhur, ku mes tyre bëjnë pjesë edhe katër kryetarët e partive aleate, PR, PDK, PBDNJ, LZHK.
Interesant është fakti se PD ka ndryshuar shumicën e grupit parlamentar, ndërkohë që vlerësonte se opozita e saj parlamentare 2013-2017 ka qenë pozitive.
PS ka ndryshuar rreth 40% të grupit parlamentar nga legjislatura e kaluar.
Në LSI ndryshimi është më i vogël sesa në PD e PS, kurse PDIU do të ketë në parlament për herë të parë dy nga tre deputetët e saj.
Deputeti i fundit, Tom Doshi i PSD ka qenë në parlament, ndaj numerikisht përbën risi për PSD, por jo për emrin tij.
Fakti që më shumë se gjysma e parlamentit të ri do të jetë më prurje të reja, në tërësi me individë pa përvojë parlamentare dhe pa ekspertizë juridike, do të thotë se pritshmëritë për rritje cilësore të punës dhe aktivitetit parlamentar mbeten ende minimale.
Nga ana tjetër, parlamenti i kaluar do të mbahet mend për dy cilësi: e para për problematikën e deputetëve të inkriminuar dhe ligjin e miratuar kundër vetvetes, dhe e dyta për ligjërimin e ashpër politik, thuhet në artikullin e ISP.
Në fakt, në parlamentin e ri nuk kemi deputetë dukshëm të inkriminuar (në dy partitë e mëdha), por kemi konfirmim 100% të pjesës më militante të parlamentit të kaluar dhe për rrjedhojë, edhe të vetë partive politike.
Janë larguar zërat liberalë apo kritikë, (Hafizi, Blushi, Leskaj, Dade, Dokle, Shkreli, etj, tek PS, Patozi, Bregu, Selami, Topalli, Bode, etj, tek PD) dhe kanë hyrë në vendin e tyre, me përjashtim të ndonjë prurje akademike, anëtarë të strukturave lokale, militantë apo individë me rëndësi në preferencat e kryetarëve, por në tërësi pa profil e përvojë politike.
Midis deputetëve më të akuzuar për korrupsion, majtas e djathtas, pjesa më e madhe e tyre janë rikonfirmuar, pra do të jenë përsëri aty, një shenjë komprometuese e politikës vendimmarrëse përballë nevojave të vendit dhe pritshmërive qytetare.
Fakti që deputetët në mbi 85% të Parlamentit emërohen nga drejjtuesit partiakë, në vendet e sigurta të listës, nxjerr në pah problematikat e mëdha në nivelin e demokracisë funksionale brenda partive politike, por edhe sistemin e përmbysur të vlerësimit individual për aktivitetin parlamentar dhe karrierën politike. /tesheshi.com/