Gjykata Kushtetuese thotë se kërkesa e dërguar nga Ramush Haradinaj për të rishikuar çështjen e dorëheqjes së tij ende po procedohet. “Kjo lëndë tashmë është regjistruar dhe duke u proceduar nga Gjykata”, ka thënë Veton Dula, drejtor i Zyrës për Komunikim dhe Informim.
“Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe Ligji për Gjykatën Kushtetuese përcaktojnë qartë rastet në të cilat gjykata ka afate të detyrueshme ligjore për vendimmarrje, të cilat duhet respektuar. Për sa i përket afatit kohor për shqyrtimin e kësaj lënde, gjykata nuk ka ndonjë afat të caktuar për vendimmarrje”, ka deklaruar Dula.
Duke u bazuar në praktikat e deritanishme me kërkesat institucionale që ngërthenin në vete situata më urgjente, Dula ka theksuar se koha minimale për vendimmarrjen e gjykatës varion nga një muaj e gjysmë deri në dy muaj.
Haradinaj dha dorëheqje nga posti i kryeministrit pas ftesës së Gjykatës Speciale për intervistim. Pas kthimit ne Kosovë, vazhdoi takimet me ministra dhe grupe qeveritare, ndërsa pas tre dite dërgoi dorëheqjen e tij në Gjykatë Kushtetuese për interpretim. Ai kërkoi që për shkak të urgjencës, Kushtetuesja të vendos shpejtë, dhe shtoi se do ta respektojë vendimin cilido qoftë ai, mirëpo, kjo gjykatë nuk ka ndonjë afat të caktuar për vendimmarrje.
Pas dorëheqjes së tij, partitë politike kanë nisur përgatitje për zgjedhje të parakohshme. Disa prej tyre kanë thënë se do të iniciojnë sa më shpejt shpërndarjen e parlamentit. /tesheshi.com/