Rrjeti Kombëtar i të Rinjve Shqiptarë ka nominuar disa figura si të “Rinjtë e Vitit 2016”, ardhur nga shoqëria civile, për të cilët votohet në rrjetet sociale në përzgjedhjen e më të mirit, bazuar në kontributet e tij. Ndër to është dhe Edlira Dyrmishaj, një aktiviste civile, e cila muaj më parë replikoi në distancë me kreun e diplomacisë austriake, Sebastian Kurz lidhur me disa komente të këtij të fundit mbi shaminë e femrës muslimane.
Kjo përzgjedhje e znj. Dyrmishaj, ka ngacmuar pozitivisht “një shoqe të saj ideali”, e cila ka shprehur konsideratat personale mbi nominimin e Edlirës nga Rrjeti Kombëtar i të Rinjve Shqiptarë, duke i kushtuar një shkrim në trajtën e një vote për të.
Interesant është fakti se në votimin e deritanishëm, znj. Dyrmishaj kryeson me vota, ndjekur nga aktivisti-humanist, Arbër Hajdari, një tjetër figurë e njohur rinore me një protagonizëm të jashtëzakonshëm social.
Shkrimi:
Nga Vajada Keçi Manjani
Islami në vetvete nxit për aktivizimin e individëve në punë të dobishme, sado relative apo të vogla qofshin ato. Një musliman i plogësht nuk është një musliman i plotë. Besimi i jep forcë në vetvete dhe kurajo për të ndjekur natyrën e tij/saj dhe me mbsshtetje në Zot të ndjekë synimet e përcaktuara. Muslimani në vetvete synim konstant ka paqen (Islam=paqe) dhe gjithkund ku kjo harmoni nuk gjendet, ai tenton sipas potencialit të tij ta ristabilizojë atë. Në këtë kontekst, pjestarët e tjerë të komunitetit musliman, duhet t’i bëhen përkrahës dhe ndihmës në përpjekjen e tij/saj në punë të mira.
Këto ditë, ma tërhoqi vëmendjen një aktivitet i realizuar nga Rrjeti Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri (ANYN) në bashkëpunim me Lidershipin e të Rinjve të Tiranës dhe CRCA Shqipëri, mbështetur nga Olof Palme International Center, të cilët kanë ndërmarrë nismën: ““TË RINJTË E VITIT 2016 NË SHQIPËRI”. Bëhet fjalë për një votim elektronik nga interneti për të vlerësuar një sërë kandidaturash të cilat kanë ndikuar pozitivisht në ambjentet apo komunitetin ku ata veprojnë. Si e tillë nisma ndan tre kategori të ndryshme nga njëra-tjetra si Shoqëri Civile, Politikë dhe Media. Nuk janë të pakta nisma të tilla të fundvitit, ku organizata të ndryshme prmovojnë personazhe të njohur dhe të pa njohur për t’i dhënë shtysë dhe vlerësim për punën e tyre të kryer gjatë vitit në mbyllje. Në këtë rast, vëmendjen ma tërhoqi prania në këtë konkurim e një zonje muslimane me shami, Edlira Dyrmishaj. Kandidaturën e saj e ka paraqitur me këto fjalë: “Kauza për të cilën paraqita kandidaturën time në ‘Të rinjtë e vitit në shoqërinë civile 2016’ është pikërisht ajo që unë e quaj dashuri, nën një titull: ‘Ambasadore të Paqes/Kundër diskriminimit ndaj grave dhe vajzave muslimane të mbuluara, për integrimin e tyre pa barriera dhe paragjykime’.”
Gjithashtu shprehet se ka për qëllim motivimin e femrave që kanë vendosur me bindjet dhe zgjedhjen e tyre personale mbartjen e mbulesës. “Asgjë dhe askush nuk mund t’i gjykojë ato, t’i zmbraps, apo t’i përjashtojë nga hapësirat publike, edukimi, punësimi”, thotë ajo.
Nuk e mohoj që për shkak të largësisë sime nga vendlindja, nuk isha në djeni të aktivitetit të saj dhe nismës që ajo ka ndërrmarrë, ndaj i jam mirënjohëse këtij projekti i cili vendos nën dritët e reflektorëve personazhe të cilët meritojnë t’u njihet puna dhe aktiviteti dhe pa dyshim të përkrahen në çdo mënyrë.
Po kush është Edlira Dyrmishaj?
Zonja Dyrmishaj ka mbaruar Fakultetin për Psikologji të Përgjithsme dhe Master për Shkenca të Psikologjisë Klinike. Gjithashtu më herët ka studiuar për Shkenca Islame në Mekë si dhe Jurisprudencë Islame në Francë.
Ajo është gjithashtu nismëtare e aktivitetit “World Hijab Day Albania” një konferencë kombëtare e organizuar më datë 1 shkurt nën moton “Më shumë mirëkuptim, ndërgjegjësim për një botë më paqësore”. Konferencë kjo, e cila bashkoi rreth 200 gra dhe vajza të mbuluara nën titullin “Ambasadore të Paqes”.
Edlira, e cila është themeluese e shoqatës “Selam Group Albania” ka punuar me përkushtim për t’i dalë në mbrojtje një kategorie e cila më së shumti është nën presionin social për një nga të drejtat themelore të njeriut: praktikimit të fesë islame në veshjen e saj me shami. E vetëdijshme se vajzat dhe zonjat e mbuluara janë në mënyrë konstante nën presionin e shoqërise për t’i zhvlerësuar aftësitë e tyre intelektuale apo dhe për t’i ndrydhur në situata jo të favorshme për ta, ajo ju është përkushtuar sensibilizimit konkret me punën e saj duke u bërë aleate e tyre në bindjen se askush nuk ka të drejtën dhe forcën legjitime për t’i zmbrapsur ato nga hapësirat publike, edukimi apo punësimi. Jane të qarta përpjekjet e vazhdueshme që mundohen të përjashtojnë nxënëse me shami nga shkollat, apo t’i largojnë ato nga puna për shkak të mbartjes së shamisë. Mundi i tyre në vendin e punës zhvleresohet për shkak të pamjes së jashtme, gjë e cila çon në diskriminim apo përjashtim, madje që në fazat e para të kandidimit. Evidentimi i problemit dhe bërja krah me personin duke e ndërgjegjësuar atë dhe shoqërinë se askush nuk meriton të mënjanohet apo përjashtohet për shkak të pamjes së jashtme nga jeta sociale që ka zgjedhur, ndihmon në lehtësimin sado pak të pasojave negative që kjo sjellë në jetën e vajzave të mbuluar.
Pozicioni i femrës në shoqëri meriton të forcohet dhe ajo si individ meriton të përkrahet në ndjekjen e ambicjeve apo ëndrrave të saj qoftë në arsimim apo qoftë në pavarësimin e saj ekonomik. Femra është element themelor në zhvillimin dhe rritjen e një shoqërie të civilizuar intelektualisht dhe ekonomikisht të fortë. Prandaj, dhënia kurajo dhe përkrahje e femrës muslimane për të mos pranuar diskriminime në shoqëri, si dhe ndërgjegjësimi i elementëve të të gjithë shoqërisë shqiptare se shamia nuk duhet të jetë element diskriminimi apo menjanimi të saj, duhet të jetë mision i të gjithë muslimanëve, dhe përkushtimi i zonjës Edlira Dyrmishaj është me të vërtetë meritor për përkrahjen tonë. Së pari ne duhet t’i bëhemi krah atyre që përkrahin nevojtarët, për të krijuar një rreth ndihme reciproke dhe humane me njëri – tjetrin.
Uroj që Edlira të jetë fituese e këtij çmimi, por jo vetëm: uroj që ajo të jetë shembull dhe frymëzim për të gjithë ato persona të cilët ndjekin një kauzë humane dhe e zhvillojnë atë në praktikë duke synuar përmirsimin e shoqerisë në arritjen e niveleve të larta intelektuale dhe sociale. Femra muslimane, ka një potencial të lartë në vetvete i cili është në pritje për lulëzim të plotë, dhe Zoti ia ka dhënë këtë të drejtë që askush nuk mund t’ja mohojë. /tesheshi.com/