Qytetarët e Bosnjës nuk do të kenë më nevojë për vizë për të hyrë në territorin e Kosovës nga 1 janari i vitit të ardhshëm.
Kryeministri Albin Kurti, me rastin e dhjetëvjetorit të Procesit të Berlinit, ka bërë të ditur në profilin e tij në Facebook se Kosova do të heqë në mënyrë të njëanshme regjimin e vizave për Bosnjën dhe Hercegovinën nga 1 janari.
“Gjatë dekadave, Procesi i Berlinit ka parë përparim të rëndësishëm, por nevojiten më shumë veprime. Paradoksi u shfaq në janar të këtij viti kur qytetarët e Kosovës mund të udhëtonin pa viza në Bashkimin Evropian, por ende nuk kishin lirinë e lëvizjes në Bosnje dhe Hercegovinë”, shkruan Kurti.
“Ndërsa entiteti Republika Srpska refuzon të ratifikojë marrëveshjen për lëvizjen e lirë ID Mobility, të cilën vendi im ishte i pari në rajon që ratifikoi në parlament, unë vendosa t’i jap fund pritjes. Nga 1 janari i vitit të ardhshëm, Republika e Kosovës në mënyrë të njëanshme do të lejojë lëvizjen e lirë me letërnjoftime për qytetarët e Bosnjë-Hercegovinës”, tha Kurti në fjalimin e tij me rastin e 10-vjetorit të Procesit të Berlinit.
Nga ana tjetër, qytetarët e Kosovës, gjatë asaj kohe, nuk do të kenë mundësinë e hyrjes së lirë në Bosnje, sepse do të duhet të vazhdojnë të respektojnë politikën e vizave të këtij vendi ndaj vendit të tyre. /tesheshi.com/