Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti, edhe njëherë e ka bërë të qartë pozicionin e tij se PDK-ja duhet të shkojë në opozitë.
Kurti përmes një postimi në Facebook, ka thënë se nuk është mirë që dikush të përpiqet ta deformojë vullnetin e qytetarëve dhe ta shpëtojë PDK-në, përkatësisht udhëheqjen e saj.
Ai ka thënë se koalicioni PAN po synon që t’ia vjedhë LDK-së ose AKR-së ndonjë deputet dhe pastaj ta lusë Vuçiçin në Beograd për ta formuar qeverinë në Kosovë. Sipas Kurtit kjo është rrugë e gabueshme me pasoja tejet të dëmshme, pasi thotë se “nuk jepet Republika për poste”.
“Maratona sportive nis me shumë e përfundon me pak. Maratona historike nis me pak e përfundon me shumë. Ne jemi bërë shumë, gjithnjë e më shumë. Ata kanë mbetur pak, gjithnjë e më pak. Historia është klasikë. Politika është avangardë. Ndryshimi me 11 qershor do të jetë historik. Politika jonë është ardhmëria”, ka shkruar Kurti./tesheshi.com/