Në mbyllje të vitit, në një bilanc të qeverisjes, kryeministri Kurti përmendi dhjetë arritje, të cilat sipas tij, i atribuohen drejtimit të tij në udhëheqjen ekzekutive të Kosovës.
Ndër to, veçoi liberalizimin e vizave dhe njohjen e pasaportës së Kosovës nga dy shtete mosnjohëse si Spanja dhe Armenia.
“Së pari liberalizimi i vizave nga BE, Tajlanda, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Tajvani si dhe njohja e pasaportës nga dy shtete mos njohëse Spanja dhe Armenia. Viti 2024 ka qenë viti i pasaportës sonë. Ajo sot renditet më lartë se kurdoherë në indekset ndërkombëtare të pasaportave sivjet është në mesin e top 10 pasaportave të botës që kanë shënuar përmirësimin më të madh në dekadën e fundit. Dy: këtë vit filloi regjistrimi dhe inkasimi i energjisë elektrike në katër komunat tona në veri për herë të parë pas më shumë se dy dekadave. Gjatë këtij viti gjithashtu ka përfunduar me sukses procesi i konvertimit të patentë-shoferëve ilegalë në ata të Kosovës, janë regjistruar mbi gjashtë mijë e 300 konvertime shumica prej tyre nga qytetarët në katër komuna në veri të vendit.”
Kryeministri Kurti vijoi me arritje të tjera, duke thënë se në vitin që po lihet pas u ndërtuan themele të forta për siguri energjetike dhe të ndërtimit të kapaciteteve të reja.
“E kemi përmbyll me sukses ankandin e parë diellor në histori të Republikës me kapacitete të reja prej 100 MW, të cilin e fitoi konsorciumi nga mërgata jonë në Zvicër ‘Orrlati’ dhe këtë muaj kemi hapur ankandin e dytë për energji të ripërtëritshme, të parin me energji të erës me kapacitet gjithashtu 100 MW. Sivjet gjithashtu ka hyrë në fuqi programi Kompakt i Sfidës së Mijëvjeçarit që përfshinë një investim prej236, 7 milionë dollarësh për energji”.
Si sukses të punës së ekzkekutivit për vitin 2024, Kurti renditi edhe rritjen e pensioneve dhe shtesave për fëmijët dhe gjithashtu tha se për herë të parë pas 13 vitesh paga minimale është dyfishuar. /tesheshi.com/