Përfaqësuesit e komunitetit kurd në Francë protestuan të shtunën në qendër të Parisit për vrasjen e tre kurdëve në kryeqytetin francez, duke theksuar se rasti tregon cenueshmërinë e komunitetit të tyre.
Një person i armatosur vrau tre persona në Qendrën Kulturore Kurde dhe një kafene aty pranë të premten në lagjen e 10-të të Parisit.
Policia ka arrestuar një 69-vjeçar, i cili u lirua së fundmi nga paraburgimi, ndërsa priste gjykimin për një sulm në një kamp emigrantësh në Paris një vit më parë.
Pasi një turmë e zemëruar u përlesh me policinë të premten pasdite, Këshilli Demokratik Kurd në Francë (CDK-F) bëri thirrje në uebsajtin e tij dhe mediat sociale për një tubim në orën 12:00 të së shtunës në Place de la République, një vend tradicional protestash në Paris.
Disa qindra njerëz u mblodhën në shesh, shumë prej të cilëve mbanin flamuj.
Prokurorja e Parisit Laure Beccuau tha të premten se motivet e mundshme raciste do të ishin pjesë e hetimit, por përfaqësuesit kurdë thanë se rasti duhet të trajtohet si një sulm terrorist.
“Ne e dimë se jemi nën kërcënim, kurdët në përgjithësi, aktivistët dhe militantët kurdë. Franca na ka borxh mbrojtje”, tha për BFM TV Berivan Firat, zëdhënës i CDK-F.
Vrasjet ndodhën në një kohë kur komuniteti kurd po përgatitej për përkujtimin e dhjetë të vrasjes së tre grave kurde në Paris.
“Komuniteti kurd ka frikë. Ai tashmë ishte e traumatizuar nga vrasja e trefishtë (2013). Ai ka nevojë për përgjigje, mbështetje dhe konsideratë,” u tha gazetarëve të premten avokati i CDK-së, David Andic. /tesheshi.com/