Nga Luljeta Progni
Kur Shqipëria nisi rrugën e saj të demokratizimit, 25 vite më parë, gjeti mbështetjen e të gjitha vendeve demokratike. Ishin vitet e para pas rrëzimit të sistemit komunist dhe Shqipëria kishte nisur rrugën e saj të vështirë të reformave të mëdha për ta orientuar vendin drejt një tjetër sistemi, tjetër rendi, tjetër bote.
Personalitete të shumta të botës e vizituan Shqipërinë në ato vite të para si një mbështetje për të ecur drejt ndryshimeve të mëdha. Dhe një ndër ato vizita, ishte dhe ajo e presidentit turk, Turgut Ozal në shkurt të vitit 1993.
Ai u prit përzemërisht nga autoritet e larta të kohës, presidenti Berisha, kryeministri Aleksandër Meksi si dhe mbajti një fjalim në parlament. Ka një moment mjaft interesant në këtë fjalim dhe është fjala për këshillat që presidenti turk po i jepte parlamentarëve shqiptarë, atyre që kishin barrën e rëndë të ndërtimit të ligjeve demokratike pikërisht në atë sallë ku kishte sunduar për 45 vite totalitarizimi.
Sot pas kaq shumë vitesh, politika shqiptare nuk ia ka dalë të marrë shembujt më të mirë të zhvillimit dhe aq më pak të zbatojë ato këshilla të vyera të presidentit turk në atë shkurt të vitit 1993.
Pjesë nga fjalimi i Turgut Ozal-it në Kuvendin e Shqipërisë, 19 shkurt 1993
I nderuar zoti Kryetar,
Përfaqësues të shquar të popullit mik shqiptar,
Si President i Turqisë moderne, që e krijoi Mustafa Qemal Ataturku sipas konceptit “sovraniteti pa asnjë kusht i përket popullit”, kam kënaqësinë e madhe t’ju drejtohem juve, përfaqësuesve të zgjedhur të popullit shqiptar në këtë ndërtesë të shenjtë, simbol i vullnetit të lirë të popullit mik e vëlla shqiptar. Ju falënderoj që më krijuar këtë mundësi.
Ju përfaqësoni një popull që beson në liri e në demokraci, që ka vendosur të realizojë ndryshime rrënjësore politike dhe ekonomike në vendin tuaj. Në emër të popullit turk, që është miku juaj, ju përshëndes për këtë detyrë historike që keni.
I nderuar zoti Kryetar,
Parlamentarë të respektuar,
Me strukturën e tij, Kuvendi juaj i lartë është tregues i vullnetit të popullit shqiptar, i cili pas një periudhe 45-vjeçare realizoi për herë të parë zgjedhje të lira dhe ka filluar të përparojë me hapa të sigurt në rrugën e demokracisë. Kjo fazë tregon se nuk do të mund të kthehet prapa procesi i reformës në vendin tuaj.
Populli turk, si sistem politik ka zgjedhur demokracinë pluraliste dhe si sistem ekonomik ka përqafuar modelin e tregut të lirë. Ai e di shumë mirë vlerën e lirisë dhe të pavarësisë. Kështu, populli turk i vlerëson hapat e hedhur në të njëjtin drejtim nga populli shqiptar, të cilin e konsideron mikun dhe fqinjin tonë. E ndërgjegjshme për vështirësitë e natyrshme që ndeshen në zbatimin e reformave, veçanërisht në fushën ekonomike, Turqia që në fillim të kësaj periudhe tranzicioni është përpjekur ta ndihmojë Shqipërinë në çdo fushë. Krahas ndihmave në planin dypalësh, Turqia edhe në forumet evropiane, ku është anëtare, ka mbrojtur nxitjen dhe përkrahjen e procesit të reformave në Shqipëri, e ka konsideruar detyrë miqësore dhe vëllazërore që të ndajë me Shqipërinë njohuritë dhe përvojën e saj në fushën e demokracisë dhe të ekonomisë së lirë të tregut.
Populli turk dhe populli shqiptar kanë jetuar bashkë gjatë historisë, kanë pasur rastin ta njohin nga shumë afër njëri-tjetrin. Kjo bashkëjetesë ka bërë që të dy popujt të ushqejnë për njëri-tjetrin ndjenjat e dashurisë, të respektit e të vlerësimit të sinqertë. Veçanërisht zhvillimet e fundit në Shqipëri kanë krijuar kushte të reja dhe shumë më të përshtatshme për marrëdhëniet dhe bashkëpunimin midis vendeve tona mike.
Janë të gëzueshme dhe inkurajuese në çdo drejtim zhvillimet e dukshme që kanë pasur marrëdhëniet tona dypalëshe këto vitet e fundit në çdo fushë. Edhe kjo vizitë që po bëjmë në Shqipëri është një tregues i nivelit të kënaqshëm ku kanë arritur marrëdhëniet turko-shqiptare dhe i së ardhmes së shkëlqyer të këtyre marrëdhënieve.
Jam i bindur se për sa kohë që mikja jonë Shqipëri do të përparojë në rrugën e demokracisë pluraliste e të ekonomisë së lirë të tregut dhe do të krijojë saktësisht institucionet e nevojshme do të ekzistojnë e do të shtohen mundësitë e bashkëpunimit të saj me Turqinë, si dhe me të gjitha vendet dhe institucionet perëndimore.
Veçanërisht, unë mendoj se është me dobi edhe zhvillimi i marrëdhënieve midis parlamenteve tona. Për shembull, unë kam sjellë me vete pesë deputetë të partive të ndryshme.
Anëtarë të shquar të Parlamentit shqiptar,
Në rrugën e kalimit nga një sistem politik dhe ekonomik i ngurtë e i centralizuar në një sistem të lirë e pluralist, në sistemin e tregut të lirë, të mbështetur në iniciativën e lirë në ekonomi, është e natyrshme të ketë të përpjeta, të tatëpjeta e pengesa. E rëndësishme është të mos frikësohesh nga vështirësitë, të jesh i duruar dhe të shprehësh vendosmërinë për të shkuar deri në synimin përfundimtar. Ne gëzohemi kur shohim se për Shqipërinë kjo rrugë është e hapur dhe se ju po ecni me vendosmëri në këtë rrugë.
Edhe partitë politike, si veçori kryesore e pluralizmit dhe e demokracisë me shumë zëra, janë elemente të pashmangshme të demokracisë. Nga ana tjetër, janë të natyrshme opozita dhe kritika në demokraci. Edhe opozita aktive dhe shtypi i gjallë janë tregues të shëndetit të demokracisë. Ndoshta demokracia mund të mos jetë sistemi më i arrirë, por është më i miri i sistemeve të gjetura deri tani. Prandaj duhet ta përqafojmë fort demokracinë.
Shqipëria ka përcaktuar si synim të vetin ekonominë e lirë të tregut. Ju jeni të detyruar ta zbatoni këtë model duke filluar nga zeroja. Është e qartë se kjo kërkon vendosmëri, durim, mirëkuptim, përpjekje dhe kohë. Unë mendoj se suksesi do të jetë më i lehtë dhe më i shpejtë vetëm nëse, pa ngurruar, do të mund të merrni e të zbatoni me vendosmëri e në kohën e duhur masat që duhen marrë. Ky qëndrim është në bazën e suksesit që kemi pasur në Turqi. Gjithmonë jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me ju në këtë drejtim.
Në kontaktet që pata dje me zotin President dhe me zotin Kryeministër, mësova se keni hedhur hapa të rëndësishëm në rrugën e vendosjes së ekonomisë së lirë të tregut, keni liberalizuar çmimet, me përjashtim të disa sektorëve, tani jeni në prag të fazës së dytë, asaj të realizimit të investimeve. Të gjitha këto për ne turqit, miqtë tuaj, janë zhvillime shumë të kënaqshme. Nëse më lejoni, dëshiroj t’ju paraqes disa sugjerime të miat, në dritën edhe të përvojës sonë:
Deri më sot Shqipëria ishte pothuaj e mbyllur ndaj botës. Tani mund të bëhet krejt e kundërta, pra Shqipëria të hapet plotësisht. Pozita gjeografike e vendit tuaj është mjaft e përshtatshme. Edhe popullsia juaj nuk është shumë e madhe. Mund të bëhet një plan afatgjatë, 15-vjeçar, mund të mendohet që Shqipëria të bëhet një parajsë taksash për botën, një qendër financiare, një qendër turizmi ose një vend që i siguron botës lehtësi të ndryshme në drejtim të lundrimit.
Duke pasur parasysh se sot në botë sektori i shërbimeve merr një rëndësi përherë e më të madhe, mund të vlerësohen avantazhet e hartimit të një planifikimi në këtë aspekt. Natyrisht, sektori i shërbimeve kërkon njerëz shumë cilësorë. Prandaj, nëse do t’i kushtohet rëndësia e duhur arsimit në Shqipëri, në të ardhmen, në kuadrin e bashkëpunimit me kapitalin e huaj, personeli shqiptar do të mund të vijë në vendet e nevojshme.
Është e natyrshme që të gjitha këto duan kohë. Unë jam i bindur se populli shqiptar, që për kaq vjet ka vuajtur nga mangësitë, do të durojë edhe pak dhe do të punojë më shumë për të arritur mirëqenien që meriton. Siç e shpjegova më lart, edhe Turqia ka ardhur në nivelin e sotëm duke duruar mangësi dhe sakrifica të ndryshme.
Edhe këtu dua të prek një çështje që e trajtuam edhe në Bullgari e Maqedoni në lidhje me autostradën që do të realizohet midis Turqisë, Sofjes, Shkupit e Tiranës, e cila do të ketë një rëndësi të madhe për vendet tona. Të njëjtën rëndësi ka edhe lidhja e telekomunikacionit fibrio-optik, që do të vendoset në të njëjtën linjë dhe do të zgjatet deri në Itali. Këto lidhje do të mund të realizojnë lidhjen e Shqipërisë me rajonin e Detit të Zi, por edhe të Turqisë me këto vise. Dëshiroj t’i paraqes Kuvendit tuaj të lartë rëndësinë që kanë marrëdhëniet Shqipëri–Maqedoni edhe në këtë fushë dhe stabiliteti i Maqedonisë…
Para se të vija në Shqipëri, shkova në Bullgari e në Maqedoni. U bëra dëshmitar se edhe këto dy vende kanë të njëjtat shqetësime me ne. Gjatë vizitës që bëra në Amerikë, vura re se të njëjtat shqetësime ka edhe në administratën amerikane dhe në Kongresin amerikan. Në fakt, edhe paralajmërimet e Amerikës ndaj Serbisë për çështjen e Kosovës janë rezultat i këtyre shqetësimeve. Ne e ndjekim nga afër situatën e acaruar në Kosovë. Dëshirojmë që njerëzit në Kosovë të mund të përdorin të gjitha të drejtat e tyre, të mund të realizojnë lirisht, pa asnjë lloj presioni, arsimimin, punën dhe fetë e tyre. Kemi shqetësimin se mos shtimi i presioneve të shovinizmit serb në Kosovë, Sanxhak dhe Maqedoni do ta futë në zjarr Ballkanin. Ndërkaq e dimë se deri më sot mosshkuarja më keq e situatës në Kosovë është arritur në saje të faktit se udhëheqja shqiptare e atjeshme nuk ka rënë preh e provokimeve.
Në situatën në të cilën ndodhet rajoni, unë mendoj se ka rëndësi rritja e bashkëpunimit që do të realizohet midis Turqisë e Shqipërisë dhe vlerësimi me konsultime reciproke e gjakftohtësi i zhvillimeve. Kam bindjen se një bashkëpunim i tillë, që do të bashkohet edhe me përpjekjet e botës së lirë, do të luajë një rol pengues e frenues ndaj aventurave të reja në rajon.
I nderuar zoti Kryetar,
Anëtarë të shquar të këtij Kuvendi të lartë,
Ju keni marrë përsipër një detyrë shumë të rëndësishme në një periudhë që përbën pikë kthese në historinë e Shqipërisë. E dimë që detyra juaj nuk përbëhet vetëm nga veprimtaria e zakonshme legjislative. Ju i ndiqni nga afër zhvillimet në rajon. Ju keni marrë përsipër një mision me përgjegjësi të madhe, por edhe nderi është po kaq i madh. Ju nga njëra anë përgatitni ligjet e nevojshme për kryerjen e reformave në Shqipëri, nga ana tjetër hartoni ligjet e shtetit tuaj, të mbështetura në koncepte e norma bashkëkohore. Kam kënaqësinë e madhe t’ju përgëzoj për këtë detyrë.
I nderuar zoti Kryetar,
Anëtarë të shquar të Kuvendit Popullor të Shqipërisë,
Dëshiroj t’ju falënderoj që më dhuruat lumturinë t’ju drejtohem juve. Uroj sinqerisht që detyra juaj e lartë të sjellë rezultate të mbara për popullin tuaj dhe që miqësia turko-shqiptare të jetë e përjetshme.
Duke përfunduar, ju falënderoj për miqësinë e ngushtë dhe mikpritjen e ngrohtë që ka shfaqur ndaj nesh populli juaj, qeveria juaj dhe kuvendi juaj i lartë që nga çasti kur unë dhe delegacioni im mbërritëm në Shqipëri. Këtë dashuri të shfaqur për ne do t’ia bëjmë të njohur popullit turk. Të jeni të bindur se të tilla ndjenja ushqen edhe populli turk për ju.
/tesheshi.com/