Nga Luljeta Progni
Koha e solli të lind të një ironi e thellë politike, teksa përflitet se mos ka qenë Edi Rama ai që e ka pagëzuar gazetën e PD-së me emrin Rilindje. Sot, tesheshi.com starton një cikël shkrimesh në kuadër të Dhjetorit `90, duke revokuar disa ngjarje dhe personazhe.
Po e nisimin me RD-në, Rilindjen e Demokratëve siç mund të quhet të kontekstin e sotëm politik. Pas themelimin të kësaj partie, si e para e erës pluraliste, do të vinte dhe organi i saj, një ndodhi ngazëllyese mbarëshoqërore. Kur dikush e pyeti dikë nëse RD-ja në faqosje ishte si Drita, (gazeta e njohur e Lidhjes së Shkrimtarëve), përgjigja qe: Ajo është dritë vetë!
“Liria e gjithsecilit të bëhet garancia e lirisë e të gjithëve”, dhe ky ishte sllogani me të cilin nisi numri i parë RD-së, i botuar më 5 janar të vitit 1991, më pak se një muaj nga themelimi i PD-së, më 12 dhjetor 1990. Gazeta doli në më shumë se 100 mijë kopje, të cilat u shpërndane si trakte nëpër shumicën shqiptarëve të etur për fjalën e lirë, e munguar për 50 vite.
“Fjala e parë”, titullohej kryeartikulli i numrit të parë të RD-së, bashkë me premtimin e stafit të kësaj gazete për të krijuar një media të lirë, edhe pse RD dilte si organ shtypi i PD-së, pra ishte partiak. Dhe kjo u pa javë më vonë kur këto premtime e përbetime ideale nisën të thyeheshin. RD-ja u kthye në një gazetë partiake (siç), ku censuroheshin edhe themelues të PD-së.
Në numrin e parë të RD-së shkruante dhe Ben Blushi, Blendi Fevziu, Preç Zogaj e të tjerë. Gjithashtu, në numrin e parë do e përshëndeste RD-në edhe Ismail Kadare, Dritëro Agolli e Rexhep Oosja.
Më poshtë mund të lexoni artikullin kryesor të gazetës me titullin “Fjala e parë”, si dhe urimin nga shkrimtarit Dritëro Agolli, njëherësh i quajtur si “patriarku i së majtës”.
Fjala e Parë
Sot “Rilindja Demokratike” flet fjalën e parë të saj. Kjo “Rilindje …” ka marrë për vete një barrë të rëndë dhe detyrë të ndershme:
Ka marrë një detyrë që të thotë fjalën e vërtetë. Sa shumë e duam këtë fjalë! E dëgjofshim, e gëzofshim të gjithë bashkë të vërtetën!
“Rilindja Demokratike” do ta ketë zërin të dlirë dhe fjalën të lirë. E di ajo që më parë një fjalë: vetëm kur e vërteta është e lirë, atëherë liria është e vërtetë. Prandaj do të bëjë të pamundurën të mundur për të thënë dhe për të mbrojtur lirinë e fjalës, lirinë e shprehjes dhe të mendimit. Ajo kurrë nuk do të ruajë sekretin për disa dhe l…në pa kufi për ca të tjerë. Ajo do ta shprehë dhe do ta mbrojë mendimin e lirë të gazetarëve të saj, të bashkëpunëtorëve, por edhe më gjerë, ose krejt gjerë: të drejtën e ligjshme të mendimit e të shprehjes së lirë në një popull të tërë.
Që në fjalën e parë “Rilindja Demokratike” bën thirrje që askush të mos cenohet, të mos persekutohet, të mos censurohet për shkak të fjalës, të mendimit e të shprehjes.
“Rilindja Demokratike” lind pikërisht për të kryer vepër të madhe demokratike në mbrojtje të të drejtave të njeriut. Ajo është gazetë demokratike dhe do të ketë në mendjen e saj mendimin dhe fjalën e publicistëve të shquar demokratë e përparimtar shqiptarë, do të ketë guximin e dëshmorëve për demokraci, do të ketë idealin e drejtësisë sociale e të demokracisë.
“Rilindja Demokratike” në çdo fjalë e në çdo germë do të ketë çështjen e kombit e të atdheut. Kombi të ndritet, të vëllazërohet e të përparojë. Kombi shqiptar të ngjitet ku i takon e të zhvillohet! Atdheu të gëzojë liri e indipendencë, atdheu ynë i lashtë të bëhet çerdhe e dashur dhe kopsht lulesh për bijtë e vet, që këta të mos ia kthejnë jo shpinën, por as fjalën të mos ia kthejnë kurrë atdheut. Për këtë do të përpiqet “Rilindja Demokratike”.
Në faqet e “Rilindjes Demokratike” do të shihemi e do të kuvendojmë me vëllezërit tanë kosovarë, me të gjithë shqiptarët vëllezër tanë të shpërndarë nëpër botë, që nga brigjet e tejshme të Adriatikut e gjer në kontinentin amerikan.
“Rilindja Demokratike” i ka faqet të hapura.
Ajo do të interesohet për të gjithë problemet që ka jeta e popullit: Për ekonominë, për kulturën, për historinë për letërsinë e artin, për të drejtën, për mësimin, për mendimin e ndërgjegjen, për zakonin e traditën, për sot e për nesër.
“Rilindja Demokratike” shikon përpara. Ajo ka një dëshirë e vullnet që të hyjë tek të gjithë, te fshatari, te shkollari, te punëtori, te intelektuali, te shkrimtari e shkencëtari, tek i riu e fëmija, tek të mëdhenj e të vegjël.
“Rilindja Demokratike”, e cila lindi së bashku me Partinë Demokratike, do të mbështesë e do të pasqyrojë çdo reformë demokratike që i shërben përparimit, pavarësisht se cila forcë politike do të jetë nismëtare dhe zbatuese e saj. Ajo do të kultivojë dialogun, tolerancën, pluralizmin.
Por fjala e “Rilindjes…” nuk do të jetë kurrë lustër e lajkë. Fjala e saj do të jetë e rreptë kundër burokracisë, ndaj autokracisë, ndaj çdo të keqeje që do të përpiqet ta pengojë përparimin e vendit, lirinë e njeriut, forcimin e shtetit juridik shqiptar. Të mos qëndrojmë duarkryq para së keqes shoqërore dhe shtetërore, këtë do ta zbatojë vetë dhe do t’ia kërkojë lexuesit “Rilindja Demokratike”.
“Rilindja Demokratike” do të flasë fjalën shqipe, shqipen gurrë e qelibar, që nuk ngec nëpër gurët e sofizmave, që nuk njëtrajtësohet me enët e ideologjive të caktuara, që nuk flashket nëpër frazat e gjata boshe me pamje zyrtare. Ka një dëshirë “Rilindja Demokratike”: që njerëzit të mos thonë më: mos më fol si në gazetë. Por të thonë: Flasim si “Rilindja…”. Ajo ta ketë fjalën për ta pirë me etje. Gëzuar të gjithëve fjalën e lirë.”
Nga Dritëro Agolli: Bija e demokracisë
Ka gazeta që lindin të qeta në çaste të zakonshme kalendarike. Por ka gazeta që lindin mes dhimbjesh në momente historike të veçanta, siç lindin ditët e veçanta të papërsëritshme. Në momentet historike të vendit kur frynë erërat e lëvizjes së re të studentëve, kur nisën të rrahin valët e pluralizmit politik dhe kur në horizontin e jetës politike të Shqipërisë u shfaq Partia Demokratike, lindi edhe bija e demokracisë, gazeta “Rilindja Demokratike”. Kjo bijë e demokracisë erdhi dhe u ul në tryezën e madhe të shtypit shqiptar për ta treguar më të plotë të vërtetën e erërave të progresit demokratik, për ta rrëfyer këtë progres me zërin e saj të veçantë në dobi të pasurimit shpirtëror të jetës dhe të kulturës.
E vërteta, ka thënë një i mençur, nuk është bijë e simpatisë, por është bijë e diskutimit. I urojmë Rilindjes Demokratike që ta bëjë të vërtetën bijë të diskutimit dhe të dialogut të gjerë dhe të jetë jo mysafire, por mike e Shqipërisë dhe nderin e saj”.
/tesheshi.com/