Nga Luljeta Progni
Ben Blushi dhe Blendi Fevziu janë pjesë e rëndësishme e stafit të parë të gazetës së parë pas shpalljes së pluralizimit politik, Rilindja Demokratike. Kjo gazetë doli me numrin e saj të parë më 5 janar 1991. Një prej shkrimeve kryesore të këtij numri, është edhe artikulli me titull “Katër ditët e mëdha të studentëve”, që mban bashkautorësinë e Ben Blushit dhe Blendi Fevziut. Ata mbeten sërish dy prej emrave të spikatur të medias, edhe pse njëri prej tyre, Ben Blushi, u përfshi në politikë, në krahun e kundërt të lëvizjes studentore të dhjetorit ’90. Prej vitit 1997 është pjesë e Partisë Socialiste.
Por si shkruanin Fevziu e Blushi 25 vite më parë. Më poshtë botohet i plotë artikulli i shkruar në numrin e parë të Rilindjes Demokratike më 5 janar 1991. Një tekst interesant ku përcillen emocionet e përballjes së studentëve me regjimin komunist nga data 8 deri më 11 dhjetor, ditën kur u shpall pluralizmi politik.
Katër ditët e mëdha të studentëve
Faji ynë i vetëm është se dimë të plakemi
A i takonte rinisë dhe sidomos asaj studentore dhe a mundej ajo t’i hynte një ndërmarrjeje të tillë? A e justifikonin pozicioni dhe statusi i saj këtë ndërmarrje? Rezultati është përgjigja më e mirë për këdo.
Ato ditë, që dikush i kishte në dorë, i bëri me faj studentët, i quajti rendprishës, i quajti të llastuar që ankohen për dy orë ndërprerje dritash dhe meqë zyrtarisht i kishte në dorë deklaroi se mund t’i përjashtonte të gjithë studentët nga Universiteti. A kanë tjetër faj rinia dhe studentët pasi faji i tyre i vetëm është se dinë të plaken?!
E shtunë 8 dhjetor
Ka disa netë që priten dritat. Për ironi, dritat e Tiranës realizojnë kontrastin. Që prej 25 tetorit 1971 kur mori fund elektrifikimi i plotë i Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, ka pasur miliona raste ndërprerje dritash në vend. Por as edhe një nga këto miliona raste nuk u shoqërua me protestë e indinjatë të ngjashme me atë të 8 dhjetorit. Ato raste janë toleruar e do të tolerohen edhe në të ardhmen. Pra gjithkush e kupton pse ndërperja e dritave shërbeu vetëm si pretekst. Mënyra e zgjidhjes së pretekstit në kohën dhe vendin e duhur tregon pjekuri. Gjithkush e kupton se po të mos ishte ndërprerja e dritave do të ishte një mungesë ushqimore apo të themi një aksident automobilistik. Po të mos ishte 8 dhjetori do të ishte 25 dhjetori apo 1 janari. Në fund gjtihkush e kupton se do të afrohej ajo që do të shkatërronte muret që aq padrejtësisht na ndanë nga Evropa.
9 dhjetor, e diel
Grekët e vjetër kanë pasur një legjendë ku nata paraqitej si grua shtatzënë që pillte ditën. S’di pse mu kujtua legjenda në mëngjes kur nata e shkuar mbarsur me tonditjen lindi vendosmërinë e studentëve. Në rrugën dhe sheshin e Qytetit Studenti, ku gjithçka e zakonshme është harruar, mijëra vetë thërrasin të indinjuar parullat që prej kohësh pëshpëriteshin me gjysëm zëri. Mesa duket dhuna në vend që ta ndrydhte vendosmërinë, bëri të kundërtën, atë që ne dëshironim më tepër, vau frikën.
Rreth orës 11:00 mijërat e studentëve lëviznin drejt korpusit qëndror të Universitetit. Skuadra policie të armatosura bllokojnë rrugët dhe pjesa kryesore e protestuesve (afro 3 mijë vetë), frenohen pranë liceut artistik. Rreshtat e parë ngjeshen të mburojat e policisë. Dëgjohen thirrjet: jemi paqësorë, s’duam dhunë, hiqni policinë.
Ora 11:00. Grupi i studentëve vazhdon të protestojë ndërsa mbërrin për dialog sekretari i parë i BRSSH-së, Lisien Bashkurti. Ai garanton se nuk do të përsëritet dhuna e një nate më parë. Ne këndojmë himnin e flamurit. Parrullat “Liri Demokraci”, “e duam Shqipërinë si gjithë Evropa”, dëgjohen kudo.
Ora 11:30.Shqetësimi sa vjen e rritet. Gjendja përreth është e çuditshme. “Ndoshta vjen urdhër për të na qëlluar”, thotë dikush. Dhe qesh. Të tjerët po ashtu. Mund të jetë vdekja kaq lehtësisht e perceptueshme? Mbase po, mbase jo.
Ora 12:00. Vendosmëria jonë nuk ulet asnjë moment. Ne kërkojmë diçka të ligjshme. Fjalët demokraci e pluralizëm ndjehen kudo ashtu siç ndjehet fjala huligan me të cilën mund të na quajnë fare lehtë në mbrëmje televizioni e radioja.
Ora 12:30. ”Forcat e rendi” të veshura çuditërish civil nisin të shpërndajnë turmën. I vetmi shteg mbetet fusha para ambasadës italiane. Ajo që ndodhi më vonë, më pak se asgjë pranon përshkrimet: djem që iknin duke tërhequr vajzat, të guximshëm që ndalonin për të marrë të plagosurit, libra që binin, ulurima dhimbjesh dhe civilë të armatosur që na ndiqnin e godisnin me forcë.
Ishin shtëpitë tiranase ato që hapën dyert për të na mbrojtur nga furia e shkopinjve të gomës, qenë familjarët e dhembshur që na morën dhe na strehuan. Shtëpitë u mbushën plot. Nuk e harrojmë dot dorën që driohdhej dhe zërin e shuar të studentit kolonjar, që humbi përkohësisht shikimin: “Mos e lajmëroni babanë”, thoshte. Në të gjitha ato familje kishte baballarë, kishte nëna, kishte prindër. Një orë më vonë, kur dolëm nga shtëpia vështruam edhe një herë fushën. Ajo ishte e shkretë ndërsa në sipërfaqen e saj të përbaltur, zbardhin fletët e shqyera të librave dhe leksioneve. Është vizioni i fundit që na ka mbetur në sy. Për të ardhur këtu, demokracisë i duhej me doemos të shkelte mbi leksionet tona.
Gjithë ato ditë qyteti foli vazhdimisht për ne. Qemë të lodhur e të vrarë. Realiteti zbrazi mbi ne furinë e shkopinjve të gomës si të donte të na detyronte që ëndrrat të mbeten vetem ëndrra.
E hënë 10 dhjetor
Pas një ditë kaq të fryrë më sharje, kërcënime e dhunë, siç ishte ajo e 9 dhjetorit, shumëkujt i dukej se po afrohej dita e apokalipsit për vendin. Negativët e dhunës dhe të shkopinjve ishin larë gjatë natës në laboratorët e errëta të truve. Nuk dihej reagimi që do të ushtronin ato fotografi. Një palë prisnin që receta e dhunës ta zhdukte epideminë. Të tjerë përkundrazi mendosnin se kjo recetë do të kthehej në benzinë për zjarrin e epidemisë.
Mëngjesi i 10 dhjetorit ishte mëngjes greve. Asaj nuk i mungonte asnjë nga elementet: qëllimi, interesat, kërkesat, liderët dhe grevëthyesit. Greva shërbeu edhe si test moral. Ajo i ndau studentët në dy kampe. Naiviteti, frika, bindjet e caktuara morale e politike, angazhimi politik personal apo familjar, i detyroi disa të zbrisnin rrugën e Elbasanit për t’u mbyllur nëpër shtëpia e konvikte.
Ndërkohë, liderët e lëvizjes me Azem Hajdarin në krye, student i vitit të tretë të filozofisë, i shpallnin 11 kërkesat e tyre nga tribuna e parë pluraliste e pasçlirimit.
Gjatë natës ata nuk ishin çlodhur por kishin menduar, nuk kishin fjetur por kishin ëndërruar, nuk kishin haruar dhunën por kërkonin ta zëvëndësonin me dialogun e së nesërmes për hir të atyre mijëra vetëve që i miratonin.
Ndërkohë oratorët (atë ditë ishte shumë e lehtë të ishe orator), ndërroheshin në tribunë. Pranë mikropfonit ishte afruar edhe ndonjë pedagog. Kishte ardhur koha e dieferencimit edhe për ta. Sidoqoftë, mikrofoni vazhdoi të triumfonte mbi oratorët që u ngjirën desisa filloi shiu. Pluralizëm i lagur por edhe i freskët. Derisa erdhi përgjigja nga presidenti, tryezat e menzës kryesore të qytetit zëvëndësuan tribunën e sherrit. Presidenti Ramiz Alia e pranoi dialogun.
11 dhjetor, e martë
Në Qytetin Studenti vazhdon pelegrinazhi i banorëve të Tiranës. Dritat shpojnë natën dhe bien mbi grumbujt e njerëzve. Ata lëvizin plot entuziasëm. Autobusi i përfaqësisë së studentëve çan me vështirësi midis turmës që e rrethon. Duket sikur në çast ai do të shqyhet nga brohoritjet dhe urimet e studentëve. Frojdi thotë se entuziazmi i çastit e ngre njeriun e thjeshtë në piedestalin e heroit. Me sa dukej çdo njëri e kishte brenda vetes një moment të tillë shpërthimi. Ideja e fitores na kishte dehur të gjithëve. Kam parë studentë indiferentë që thërrisnin si fëmijë, pedagogë të rreptë që fshinin lotët, shkrimtarë dhe shkencëtarë të dëgjuar që ndiqnin autobusin nga pas, të rinj që uleshin në gjunjë përpara tij. Ovacionet nisnin aty dhe përfundonin në Pallatin e Brigadave ku priste presidenti. “Kjo është dita më e lumtur e jetës time”, tha një punëtor. Kurse ne mendomin se kjo ishte dita e parë që hapi rrugën për të tjera ditë të lumtura.
Disa orë më vonë, përmes dritave fantastike të pishtarëve prej letre, përfaqësia u kthye. Ne e ndjemë së paku de jure se, me lëvizjen tonë e kishim fituar pluralizimin, mungesa e të cilit na kishte lënë të vetëm të përçmuar, jashtë Evropës së qytetëruar.
/tesheshi.com/