Në një stadium të mbushur me shqiptarë, në një terren që të kujtonte fushat tona në kohë shiu, kombëtarja ka bërë atë që duhej të bënte: të mbizotëronte e të fitonte.
Pas humbjes të së shtunës në miqësoren me Austrinë, e polemikave që ende vazhdojnë, fitorja ndaj Luksemburgut erdhi në momentin e duhur.
Për shkak të nivelit të ulët të kundërshtarit, italiani De Biazi kishte zgjedhur të hidhte në fushë një formacion tërësisht ndryshe nga ai i Vjenës, duke përjashtuar Berishën, që qe në portë nga fillimi i lojës.
Një pjesë e parë e dominuar nga përfaqësuesja shqiptare, por rastet e krijuara nuk u finalizuan dot. Hallet shtohen për Luksemburgun kur në fund të kësaj pjese mbetet dhe pa portierin Joubert, që del me të kuqe për një ndërhyrje të gabuar.
Rrëmbimi i kuqezinjve shtohet në 45 minutat e dyta, ndërsa ndërrimet e shumta e prishin rrjedhshmërinë e lojës. I pari shënon Sadiku në minutën e 63-të, pak pasi hyrjes në lojë. Një krosim i bukur në zonë i Kaçes, dhe Sadiku nuk e ka të vështirë ta dërgojë topin në rrjetë.
Me valën e sulmeve të pandalur, goli i dytë vjen 12 minuta më pas. Cikalleshi bën gjithçka vetë e shënon. E njëjta muzikë është dhe në çerekorëshin e fundit, por shifrat nuk ndryshojnë: 0-2 për kombëtaren shqiptare!
Ishte një fitore e çmuar, edhe pse në një ndeshje miqësore. E për vetë faktin se ktheu entuziazmin e venitur pas humbjes me Austrinë. Sidoqoftë, ishte një fitore e rrëmujshme, pa një filozofi të spikatur, me shumë gabime, ndaj një kundërshtari që nuk e dinte as vetë se çfarë kërkonte. /tesheshi.com/