Klubi blaugrana e ka gjetur në “konak” biletën e çerekfinales për Kupën e Mbretit, tek kushërinjtë e Espanyol-it.
Në duelin kthyes të zhvilluar në “Cornella”, Barça luajti e kufizuar, duke mos përfshirë në formacion disa nga titullarët, ndërsa dygolëshi i Munir-it mjaftoi për t’i mbyllur llogaritë e kësaj faze. E kështu Barcelona, me fitoren e mbrëmshme 0-2, dhe me rezultatin e përgjithshëm 6-1, vazhdon garën për ta mbrojtur titullin e kupës.
Athletic Bilbao e mbyll çështjen e skuadrës çerekfinaliste në duelin me Villarreal-in. “Luanët” triumfuan, 0-1, edhe në sfidën e dytë ndaj “nëndetëses së verdhë”, dhe falë rezultatit të përgjithshëm 4-2 vijojnë rrugëtimin në këtë veprimtari.
Për më tej bëri edhe Celta Vigo, që në shtëpi fitoi për të dytën herë ndaj Cadizit. Ndeshja përfundoi 2-0 për vendasit, që gjashtë ditë më herët patën fituar 0-3 në fushën e Cadiz-it. /tesheshi.com/