E dini se cila ka qenë batuta e parë politike e Edi Ramës, datuar në ’90-’91? “Jemi bërë të kuq si sojetikët, të verdhë si kinezët dhe të zinj si shqiptarët”.
Ishte më shumë se sa një batutë, ishte një lloj sllogani politik denoncues i degradimit të qenies shqiptare nën komunizëm. Fraza do të merrte dhenë, edhe pse nuk ishte komunikimi i sotëm frenetik. Ajo do përcillej gojë më gojë, duke bërë që fryma antikomuniste e saposhpërthyer të identifikonte shpejt njeriun me një ligjërim krejt ndryshe, adaptin për ta shëmtuar me gjuhë acide si askush regjimin që ishte në grahmat e fundit. Ishte ai, anti-enveristi që berishizmi luajal ndaj Ramizit e etiketoi menjëherë ai anarkist, duke e parandjerë herët si rival të fortë politik.
Po pse duhet të sillet në kujtesë ky fakt sot? Sepse, ky anti-enverist anarkist, sot, pas tre mandatesh qeverisjeje nën eufemizmin politik “Rilindje”, i qaset asaj me gjuhë eneveriste, jo ideologjikisht, por në aspekt zhvillimor. Ofron, si nën komunizëm, shifra krahasimore me të djeshmen, edhe pse kur ishte në opozitë ajo që urrente më tepër ishin pikërisht shifrat, ato që servirte dhe pushteti, më konkretisht Berisha. Por zhvillimi, prosperiteti, mbrothësia e një vendi, nuk janë domosdoshmërisht shifrat. Ato janë ndjesitë e njerëzve, emocionet e tyre shoqërore, janë perceptimet, është fryma që mbizotëron.
Sot në Shqipëri, në shumëçka ka zhvillime befasuese, krahasimisht me të djeshmen, siç dhe në komunizëm, por jo dhe në plagën më të madhe që ka ky vend, atë që vijon të rrjedhë qelb, moralin shoqëror, moralin e shtetit të radhë të parë, i cili ka avantazhin të jetë promotor dhe i moraleve individuale. Si gjithnjë, Shqipëria i ka të gjitha, veç njeriut. Atij njeriu, në shtet e shoqëri, me vetëdije të lartë atdhedashëse në terma utilitarë e jo domsdoshmërisht foklorikë. Për këtë këtë njeri të munguar nuk flet askush, as Rama, ndër të vetmit kritizierë me theks te njeriu në politikën shqiptare, gjatë kohës kur ushtronte publicistikën e tij brilante me Fatos Lubonjën në njërin krah dhe Ardian Klosin në krahun tjetër.
Ndaj, në një krizë pyetjesh të medias përballë tij, një nga pyetjet risimtare që mund t’i bëhet, të cilën as që e pret, është ajo se a ka prodoktuar qeverisja e tij dhe një moral të ri shoqëror, atë që më së shumti i ka munguar këtij vendi ç’prej kur nisi të jetë shtet, atë që dhe vetë Rama më së shumti e ka “qarë me lot” në qasjet e tij të dikurshme alla Faik Konica. Tek e fundit, edhe eufemizm “Rilindje” këtë nënkupton: rilindjen e një frymë, e një morali, pas së cilës vjen dhe mbrothësia zhvillimore. Dhe kjo duhej nisur nga arsimi, nga një reformë e thellë në të, ku gjysma të ishte moral. Sepse sot, arsimit shqiptar i ka humbur shpirti, sado në shkolla të reja, me të thënën nën zë ose hapur, se shkolla po degradon, po vdes.
Qasje të tilla mungojnë pothuajse tërësisht dhe te zërat e rinj në politikë, te ata që sa me naivitet e sa me delir pretendojnë se mund të jenë zgjidhje për Shqipërinë. Ligjërimi i tyre është një llokoçitje në qasje krejt të konsumuara politike, thellësisht të varfra e parazite, shprehur mjeshtërisht në pak fraza nga një prej penave më të mira të kritikës politike në median shqiptare, Edmond Arizaj.
“Ajo që s’kanë kuptuar të rinjtë e politikës, teksa bëjnë thirrjet e tyre, është se vendi nuk vuan aq për pensionet, se sa për shtyllë kurrizore…
Një shoqërie të shkatërruar moralisht, bëja pensionet dhe rrogat sa të duash, ajo do vazhdojë të hajë veten…”, shkruan Arizaj në një status në FB.
Duke iu kthyer stilit enverist të Ramës në bilancin e tij qeverisës, është koha për të kujtuar pikërisht thelbin paradoksal të asaj kohe të nëmur: zhvillime befasuese krahasimisht me vitin 1938(kohën e Zogut), por rrënim të njeriut me njeriun e ri(mishërim i të cilit është Berisha), rrënim moral i një shoqërie që nuk po ka demokraci të vërë në shinat nga e nxorri komunizmi.
Kjo është dhe përgjigja se pse Shqipëria sot jetohet më shumë si dëshpërim se sa si zhvillim. /tesheshi.com/