Ishte gati mesnatë kur inxhinieri serb Vlada po ngutej për të mbaruar punën dhe për të shkuar në banesën e tij në Beograd. Me vete kishte të birin 20-vjeçar. Ato ditë, bombat e NATO-s kishin mbërthyer kryeqytetin jugosllav.
NATO, aleanca më e fortë ushtarake në botë, po e sulmonte Jugosllavinë nga qielli qysh nga fundi i marsit, për të stopuar krimet në Kosovë, të kryera nga presidenti Slobodan Milosheviç. Ishte pikërisht 7 maji i vitit 1999, sot 20 vite më parë, kur fushata ajrore e dominuar nga SHBA-ja po bëhej më e shpeshtë dhe më e fortë.
Familja e Vladas kishte kaluar shumë netë në bodrumin e apartamentit të tyre, ku futeshin sapo nisnin sirenat e zhurmshme. Ata mendonin se ishin fatlumë dhe do t’u shpëtonin bombave pasi banonin pranë Ambasadës Kineze, një mision tejet i rëndësishëm diplomatik.
Por sapo ai dhe djali i tij hynë në ndërtesën e tyre të banimit, një aeroplan ushtarak CS B-2 ishte mbi qiellin e Beogradit.
Aty u dëgjua një shpërthim i një bombe. Nuk kishte kohë për të ikur. Dyert ishin thyer, duke shpërndarë xhamat ne drejtim të tyre.
“Forca e goditjes së bombës na hodhi nën tokë, dhe më pas tjetra, tjetra, tjetra – bam, bam bam.
Ata ishin të tmerruar po jo të lënduar seriozisht. Gjithsej pesë bomba kishin goditur ambasadën kineze.
SHBA dhe NATO tashmë po përballeshin me kritika lidhur me rritjen e viktimave në radhët e civilëve, në një fushatë bombardimi të kryer pa autorizim të OKB-së, të kundërshtuar ashpër nga Kina dhe Rusia. Dhe NATO tani kishte sulmuar një simbol të sovranitetit kinez në zemër të Ballkanit.
I gjendur në një pjesë tjetër të qytetit, Sheng Hong, një biznesmen i njohur kinez, u njoftua se ambasada ishte goditur. Ai refuzoi ta besonte. Pak ditë më parë, babai i tij e kishte telefonuar nga Shangai duke u mahitur me të se duhet ta parkoj Mercedesin e tij luksoz brenda pjesës së sigurimit diplomatik, pasi aty e kishte më të sigurt.
“E thirra një polic që e njihja dhe më tha, ‘Po, Shen, e kanë goditur’.
Ai mbërriti mes skenës së kaosit. Ambasada po digjej; punëtorët ishin mbuluar në gjak e pluhur dhe po kërcenin nga dritaret për të shmangur vdekjen nga zjarri.
Politikanët e afërt me Millosheviçin të cilët ishin akuzuar dy javë më parë për krime kundër njerëzimit nga një gjykatë ndërkombëtare, tani kishin ardhur në skenë për të denoncuar bombardimet, duke i quajtur “shembulli më i fundit i barbarisë së NATO-s”.
“Nuk kemi mundur të hyjmë brenda, ka pasur shumë tym, nuk ka pasur as energji elektrike dhe ne nuk mund të shihnim asgjë.” Ishte e tmerrshme “, tregon Shen.
Ai kujton kur e pa një atashe që e njihte, të lidhur pas perdes, në përpjekje për të dalë nga dritarja e katit të parë.
Të nesërmen, Shen do ta kuptonte se dy miqtë e tij të ngushtë – gazetarët e sapomartuar Xu Xinghu, 31 vjeç dhe Zhu Ying, 27 vjeç – ishin vrarë nga një bombë që goditi pjesën civile të ambasadës. Trupat e tyre u gjetën nën një mur të shembur.
Dyshja kishte punuar për të përditshmen Guangming- një gazetë e partisë komuniste. Xu, një gazetar që fliste rrjedhshëm gjuhën serbe, kishte dokumentuar jetën në Beograd gjatë bombardimeve, në një seri raportimesh të quajtura “Jeta nën zjarr”, ndërsa Zhu Ying punoi si redaktore e artit në departamentin e reklamave.
Gazetarja e tretë e vrarë ishte 48-vjeçarja Shao Yunhuan, nga agjencia e lajmeve Xinhua. Burri i saj, Cao Rongfei, u verbua. Atasheu ushtarak i ambasadës, i cili besohet të ketë drejtuar një rrjet inteligjence nga ndërtesa, u dërgua në Kinë në gjendje kome. Në total, tre vetë u vranë dhe të paktën 20 u plagosën.
Për Shen, ky ishte një akt i luftës, Të nesërmen, ai nisi një protestë në rrugët e Beogradit, me pankarta ku shkruhej “NATO: Nazi American Terrorist Organisation”.
Ishte një paralajmërim i asaj që do të ndodhte.
Gjatë kohës së bombardimit, dy rrëfime paralele nisën të shfaqen. Ato do të përkeqësoheshin me kohë, dhe do t’i jepnin formë incidentit mes SHBA-ve dhe Kinës, që debatohet edhe sot.
Bombardimet ndezën spekulime, dhe kishte një numër të madh të pyetjeve të papërgjigjura, që kur bëheshin bashkë e ushqenin një teori të madhe konspiracioni.
Paqartësia vazhdonte, dhe gati një muaj më pas, dy gazeta evropiane dolën me raportime se sulmet ishin të qëllimshme.
Por siç thonë edhe zyrtarët e NATO-s, edhe pas 20 vitesh nuk ka evidencë që qartë që hedh dritë mbi atë që Kina e beson dhe Amerika e kundërshton.
Në orët e para pas sulmit, SHBA dhe NATO njoftuan se veprimi ishte një aksident. Përfaqësuesi i Kinës në OKB e përshkroi veprimin si “barbar dhe krim lufte”.
Në Bruksel, Jamie Shea – zëdhënësi britanik i NATO-s i cili u bë fytyra më e shpeshtë e televizioneve, u zgjua në mes të natës dhe mbajtën takim për të diskutuar ngjarjen që ishte tematika më e nxehtë e momentit.
Ai e dinte se në mëngjes do të përballej me shtypin.
Informatat në orët e hershme të mëngjesit ishin të pakta, por ai dha sqarimin që kishte për të dhënë, së bashku me një kërkimfalje.
Ai tregoi se aeroplanët ushtarak kishin shënjestruar ndërtesën e gabuar.
“Është si një aksident me tren – e di çfarë ka ndodhur, por nuk e di pse,” thotë Jamie Shea sot pas 20 vitesh.
“Na u desh shumë kohë ta sqaronim, por ishte e ditur nga fillimi, se targetimi i ambasadës nuk ishte plan i NATO-s.
SHBA-ve iu desh më shumë se një muaj që t’i japë Pekinit një sqarim të plotë: Se një sërë gabimesh kanë bërë që pesë bomba të drejtuara me GPS të godasin gabimisht ambasadën kineze.
Sipas zyrtarëve amerikanë, caku i vërtetë ishte selia e Drejtorisë Federale të Furnizimit dhe Prokurimit (FDSP) – një agjenci shtetërore që importonte dhe eksportonte pajisje të mbrojtjes. Ndërtesa e zyrave gri është ende atje sot – qindra metra më poshtë se vendi i ambasadës.
NATO fillimisht kishte shpresuar se fushata e bombardimeve do të zgjaste vetëm disa ditë derisa Millosheviç të dorëzohej, të largonte forcat nga Kosova dhe të lejonte paqeruajtësit atje. Por, deri kur ambasada u godit, kishin kaluar më shumë se gjashtë javë. Në nxitimin për të gjetur qindra objektiva të reja për të mbështetur sulmin ajror, CIA, e cila normalisht nuk ishte përfshirë në mbledhjen e objektivave, kishte vendosur që FDSP-ja të goditej.
Por agjencia amerikane e inteligjencës tha se kishte përdorur një hartë të vjetër.
“Thënë shkurt, një nga avionët tanë sulmoi objektin e gabuar sepse udhëzimet e bombardimeve bazoheshin në një hartë të vjetër”, tha sekretari amerikan i mbrojtjes William Cohen dy ditë pas bombardimeve. Ai po i referohej një harte të qeverisë amerikane që me sa duket nuk tregonte vendndodhjen e saktë të ambasadës kineze, e as asaj të FDSP-së.
Thelbi i shpjegimit të CIA-s ishte i pabesueshëm për shumë njerëz: ushtria më e përparuar në botë kishte bombarduar një anëtar të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe një nga kundërshtarët më të zëshëm të fushatës ajrore të NATO-s për shkak të një gabimi në hartë. Kina tha se kjo ishte “jo bindëse”.
Por pse SHBA do të sulmonte me dashje Kinën?
Pak pas lindjes së diellit në mëngjesin e së shtunës, më 8 maj 1999, David Rank, një diplomat amerikan në Pekin, u zgjua nga gjumi dhe ndezi CNN-in .
Rrjeti amerikan i lajmeve po jepte lajme të drejtpërdrejta lidhur me goditjen e ambasadës kineze në Beograd.
Deri atë pasdite, mijëra protestues kinezë të zemëruar do të mblidheshin jashtë ambasadës amerikane. Por Rank ishte mjaft i qetë.
Diplomati u nxor me forcë nga banesa e tij në ambasadë, dhe zyrtarët amerikanë po përpiqeshin të kuptonin se çfarë kishte ndodhur.
“Ishte dukshëm e qartë se ngjarja ishte një aksident i paqartë lufte … Në atë moment unë nuk mendova se dalja në rrugë do të ishte një problem i madh. Natyrisht, ky ishte një problem i madh, ashtu doli”, kujton sot Rank, duke shtuar se në ditët në vijim reagimi po bëhej edhe më i zjarrtë.
Rank filloi të merrte telefonata nga miqtë kinezë të cilët ishin të zemëruar nga bombardimet. Gazetarët amerikanë morën thirrje të ngjashme nga kontaktet kineze me pikëpamjet pro-amerikane, duke shprehur tronditje dhe ndjenjë tradhtie.
Mediat kineze shtetërore po veçonin një tregim të qartë – SHBA kishin shkelur të drejtën ndërkombëtare duke bombarduar një pikë diplomatike kineze. “Gjuha që kam dëgjuar nga shumë dhe shumë kinezë, ishte identike. Ishte një gjuhë e zemërimit të vërtetë”, tha Rank.
Deri në atë pasdite mijëra studentë po mbushnin rrugët e Pekinit. Ata u mblodhën jashtë ambasadës dhe gjërat shpejt u kthyen në dhunë.
“Ata po nxirrnin gurët nga asfalti. Trotuaret e Pekinit nuk janë të shtruara, kanë pllaka të mëdha, dhe ata po i copëtonin ato duke i hedhur mbi muret e ambasadës amerikane”.
Shumë nga ato pjesë të betonit po hidheshin kah dritaret e një ndërtese ku kishte qindra anëtar të stafit të ambasadës, përfshirë ambasadorin amerikan James Sasser. Makinat e Ambasadës po sulmoheshin.
Mesazhi ishte i qartë: bombardimi ishte i qëllimshëm dhe, si thuhej në slogan, “gjaku i kinezëve duhej paguar”.
Protestat vazhduan të nesërmen, me më shumë njerëz – rreth 100,000 – duke sulmuar rrethin diplomatik, duke hedhur gurë, bojë, vezë dhe beton në ambasadat britanike dhe amerikane.
“Ndihemi sikur ne jemi pengje,” thoshte Bill Palmer, një zëdhënës i ambasadës i bllokuar në një nga ndërtesat.
Demonstratat e kësaj shkalle nuk ishin parë në Kinën e kontrolluar nga qeveria komuniste. Këso interesin nuk ishte shprehur qysh kur studentët çuan një kryengritje pro-demokrate në sheshin Tiananmen në Pekin më 1989.
Këtë herë zemërimi nuk ishte kah Partia Komuniste. Megjithatë, meqë po afrohej 10 vjetori i goditjes brutale të studentëve në Tiananmen, qeveria duhej të arrinte një ekuilibër mes zemërimit publik dhe të qënurit nën kontroll.
Në një fjalim të rrallë televiziv, nënkryetari i partisë komuniste Hu Jintao miratoi protesta, por paralajmëroi gjithashtu se ata duhej të mbeteshin “në përputhje me ligjin”.
Zhurma nuk u izolua në Pekin. Turmat gjithashtu dolën në rrugët e Shangait dhe qytete të tjera, po atë fundjavë. Në Chengdu-n qendrore, rezidenca e konsullit amerikan u ndez në flakë.
Weiping Qin, një udhëheqës i studentëve protestues, tha se demonstruesit nuk ishin njoftuar se NATO kishte kërkuar falje për atë që thuhej se ishte aksident.
“Qeveria po e fshihte këtë mesazh të rëndësishëm, ata nuk na e thanë – kështu që të rinjtë, të gjithë, u ndjenë të zemëruar, thjesht donim të shkonim në rrugë dhe të protestonim kundër Shteteve të Bashkuara”.
Ai tha se fillimisht studentët në kolegjin e tij u njoftuan se duhej të qëndronin në konviktet, por 24 orë pas bombardimeve, udhëheqësia e universitetit i tha atij se kishin nevojë për 30,000 studentë që dalin në rrugë rreth konsullatës amerikane, 500 prej të cilëve duhej ti siguronte ai vet.
Studentët u ngarkuan në autobusë dhe jepnin deklarata zemërimi që po transmetoheshin nga mediat shtetërore.
“Ne ishim të rinj që ndjeheshim të zemëruar. Emocionet tona dolën si valë”, tha Qin, i cili tani jeton në SHBA dhe kritikon qeverinë kineze në videot e YouTube.
Që nga fillimi i viteve 1990, Kina kishte nisur një fushatë për të nxitur nacionalizmin dhe “edukimin patriotik” në popullin e saj. Tregimet në tekstet shkollore, në klasat universitare dhe në media ishin se Kina, një qytetërim i madh dhe dashamirës, ishte nënshtruar dhe poshtëruar në duart e fuqive perëndimore. Bombardimet e ambasadës kineze në Beograd përputheshin me historinë.
Por çfarë lloj aktivitetesh mbaheshin në ambasadën e Kinës në Beograd?
Ditën e bombardimeve, Dushan Janjiç, një akademik dhe avokat për pajtimin etnik në Jugosllavi, po hante drekë në një restorant luksoz në Beogradin qendror me një mik të tij të mirë.
Ren Baokai ishte atasheu ushtarak në ambasadën kineze dhe Janjiç tha se ishte i hapur me të lidhur me pretendimet se Kina po spiunonte mbi operacionet e NATO-s dhe SHBA-ve. Pretendimet shkonin deri aty se Kina bënte edhe ndjekjen e avionëve luftarakë. Atasheu e ftoi atë natë të darkonte në ambasadë, sepse e dinte se i pëlqente ushqimi kinez.
“Dhe unë fillova të bëj shaka: Jo, nuk vij, ju do të bombardoheni! Assesi nuk vij! “, kujton Janjiç. Ai ishte duke u mahitur, dhe as që i shkonte mendja se ambasada do të goditej me të vërtetë.
Dhe Janjiq nuk doli me Ren në darkë atë mbrëmje. Kur raketat ranë në ndërtesë, Ren u hodh në tavan nga shpërthimi dhe pastaj u gjet në bodrum, në gjendje kome.
Pesë muaj pas sulmeve, në tetor të vitit 1999, dy gazeta – Observer i Britanisë dhe Politiken e Danimarkës – pretenduan se aktivitetet e mbikëqyrura nga atasheu ushtarak mund të kishin nxitur një bombardim të qëllimshëm.
Duke cituar burimet e NATO-s, ata raportuan se ambasada ishte duke u përdorur si një stacion ri-transmetimi për komunikacionet e ushtrisë Jugosllave dhe si rezultat ishte hequr nga lista e ndaluar e objektivave.
Sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, e konsideroi këtë lajm si “të pakripë”, ndërsa sekretari i jashtëm britanik Robin Cook tha se nuk kishte asnjë “copë prove të vetme” për ta mbështetur atë.
Por dy dekada më vonë, Jens Holsoe, korrespondentja e Politiken në Ballkan nga viti 1995 deri në vitin 2004, dhe John Sueeney, ish korrespondent i Observer, thanë se raportimet lidhur me bombardimet e qëllimshme kishin një bazë.
Holsoe thotë se çfarë e bëri atë të hetojë në radhë të parë ishte Shefi i CIA-s, George Tenet, i cili tha publikisht se imazhet satelitore nuk treguan se objektivi ishte një ambasadë – “asnjë flamur, asnjë stemë, asnjë shenjë e qartë” – kur në të vërtetë ato ishin të pranishme.
Një nga burimet e Holsoe – një figurë shumë e lartë ushtarake daneze – pothuajse doli në publik për të konfirmuar publikisht se bombardimet ishin të qëllimshme.
“Pastaj ai papritmas u tërhoq dhe më tha nëse me tregon edhe një fjalë tjetër për këtë histori, jo vetëm do të largohej nga ushtria, por edhe do të ndiqej penalisht”.
Holsoe tha se ishte e qartë në atë kohë që kishte bashkëpunim ushtarak midis forcave serbe dhe kinezëve dhe se ai personalisht pa automjete ushtarake që hynin e dilnin nga ambasada kineze. Zyrtarët amerikanë i thanë New York Times se pas bombardimeve mësuan se ambasada ishte platforma më e rëndësishme e grumbullimit të inteligjencës.
Ren Baokai mbijetoi, por nuk pranoi të intervistohej nga BBC, duke thënë se tani ishte në pension.
Ambasadori kinez i cili mbijetoi sulmin, Pan Zhanlin, mohoi se ambasada ishte përdorur për qëllime spiunazhi dhe se Kina, në shkëmbim, iu ishte dhënë pjesët e avionit luftarak F-117 që forcat serbe kishin rrëzuar në fazat e hershme të bombardimit të NATO-s.
Supozohet se Kina ka marrë pjesë të avionit për të studiuar teknologjinë e saj. Gjithashtu është spekuluar se Kina po përdorte fushatën ajrore të NATO-s për të testuar teknologjinë për të gjetur bombarduesit e fshehur që normalisht nuk janë të dukshëm.
Por edhe nëse të gjitha këto histori janë të vërteta – mbetet pyetja: A do të rrezikonte SHBA-ja vërtet të godiste një ambasadë kineze me qëllim?
Edhe në mesin e ish “të brendshmëve” jugosllavë nuk ka konsensus. Një ish oficer i inteligjencës ushtarake i tha BBC se besonte se bombardimi ishte i qëllimshëm dhe se shpjegimi i CIA-s ishte qesharak; ndërsa një tjetër, kolonel në pension, tha se besonte historinë e Amerikës.
“Kur diçka e keqe ndodh, të gjithë mendojnë se duhet të jetë një arsye e fshehtë – e mendojnë gjithsesi një konspiracion”, thotë ish- zëdhënësi i NATO-s Jamie Shea. “Mendoj se është absurditet i plotë – ishte një gabim i keq në leximin e hartave dhe një gabim i rëndë”.
Sot, vendi i ambasadës po shndërrohet në një nga qendrat kulturore më të mëdha kineze në Evropë.
Në vitin 1999, Kina nuk ishte gjigandi ekonomik e teknologjik që është tani.
Ambasada e Beogradit po shndërrohet në një qendër masive kineze që do të jetë një nga më të mëdhatë në Evropë. Simbolizmi është i madh: një vend i “poshtërimit kombëtar” nga duart e Perëndimit u rilind si një ndërtesë me shkëlqim në historinë e lavdishme të Kinës.
Është një shenjë se Pekini nuk ka plane për të harruar një bombardim që e nxjerr SHBA-në si superfuqi imperialiste që kërkon të dëmtojë Kinën. Diplomatët që kanë shërbyer në Pekin thonë se incidenti është i rregullt në biseda.
Por edhe ata që kërkuan hakmarrje të menjëhershme në vitin 1999 tani e kuptojnë se ishin me fat që reagimi i Kinës nuk doli jashtë kontrollit: asnjë amerikan nuk u vra gjatë protestave, dhe Pekini e pranoi në fund se ishte një incident. /tesheshi.com/