Nga Blendi Gashi
Në Kosovë paslufte kanë ndodhur shumë vrasje që pretendohet se janë politike, shumica prej të cilave nuk janë zbardhur akoma dhe nuk dihet se kush i ka kryer dhe përse.
16 vjet pas, janë prokuroria dhe gjyqësori që shihen përgjegjësit kryesorë për mospërfundimin e këtyre rasteve, pasi siç thuhet se nuk kanë punuar sa duhet në këtë drejtim.
Që sundimi i ligjit është jofunksional, e ka thënë edhe Departamenti amerikan i Shtetit në raportin vjetor për gjendjen e të drejtave të njeriu, ku ka theksuar se korrupsioni, ndërhyrja e qeverisë në forcat e rendit e sigurisë dhe në gjyqësor, mbeten ndër problemet kryesore në Kosovë.
Por fajtori kryesor që ka penguar dhe vazhdon të pengojë zbardhjen e vrasjeve të zyrtarëve politikë në kosovë, konsiderohet se është vetë politika.
Shkuan 16 vjet dhe deri më tani mbetet enigmë se kush i vrau personalitetet që i mungojnë Kosovës, kryesisht zyrtarë të lartë të Lidhjes Demokratike (LDK) si; Xhemail Mustafa, njëri nga bashkëpunëtorët e ish-presidentit Ibrahim Rugova, Ukë Bytyçi ish-kryetar i Komunës së Suharekës, avokati Shaban Manaj, Ismet Rraci ish-kryetar i Klinës, dhe shumë veprimtarë të tjerë të LDK-së. Po ashtu nuk janë zbardhur as vrasjet e luftëtarëve të UÇK-së, ajo e kolonel Tahir Zemës, Ekrem Rexhës (ish-komandant Drini) etj.
Për të gjitha vrasjet e zyrtarëve të LDK-së, gishti është drejtuar në vazhdimësi drejt ish-Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK) që udhëhiqej nga kryekuvendari aktual, Kadri Veseli.
Por ky i fundit, më datë 12 shkurt të vitit 2015-të, në një nga seancat plenare mohoi kategorikisht që SHIK-u të ketë dorë në vrasjet e zyrtarëve të lartë të LDK-së.
Në atë seancë, Veseli tha se do të jetë hera e fundit që do të fliste rreth vrasjeve të pasluftës në foltoren e Kuvendit.
Në pyetjen e deputetes së LDK-së, Doruntinë Maloku rreth vrasjeve të pasluftës, respektivisht vrasjen e babait të saj, Enver Maloku , i pari i Kuvendit iu përgjigj duke thënë se SHIK-u nuk ka të bëjë me këtë akt.
“Do të jetë hera e fundit që do të përgjigjem ndaj këtyre çështjeve. Në Kosovë ata që kanë vra janë serbët. Gjatë luftës në momentin që babai juaj është vrarë nuk ka ekzituar SHIK-u, më vjen keq. Duhet të folet në organet e djretësisë”, deklaroi një vitë më parë kryeparlamentari Veseli.
Limaj rikthen debatin për vrasjet e pasluftës
Një vit më vonë, tema e vrasjeve të pasluftës sërish është kthyer në temë diskutimi në politikën kosovare.
Kryetari i partisë NISMA për Kosovën, Fatmir Limaj para dy ditësh ka thënë se në vrasjen e Enver Malokut dhe tentim-vrasjen e nënkryetarit aktual të Kuvendit, Sabri Hamiti ka marrë pjesë personi me emrin Lutfi Ajazi.
Limaj ka thënë se në gjykimin e tij në Tribunalin e Hagës më 23 maj të vitit 2005, nga dokumentet e prokururisë në të cilat ka pasur qasje, ka hasur dëshminë e një punonjësi të sigurimit shtetëror serb (UDB), dhe ai aty në atë dëshmi përpos të tjerave e ka përmendur edhe rastin e Enver Malokut dhe Sabri Hamitit, por se nuk di asgjë tjetër përveç asaj që ka gjetur në dosjet e Hagës.
Por 16 vjet pas, edhe pse debati për vrasjet e pasluftës vazhdon të jetë prezent në politikën kosovare, problemi mbetet pasi autorët vazhdojnë të mos dalin para drejtësisë.
Vrasësit në krye të shtetit
Një nga pyetjet që shtrohet shpesh në opinion publik është se pse LDK-ja tashmë që është në pushtet nuk ngre më shumë zërin për të kërkuar që vrasësit e zyrtarëve të saj të devotshëm të marrin dënimin e merituar?
Deputeti i LDK-së, Adem Salihaj, ndaj të cilit u bë atentat më 12 qershor të vitit 2000 ka thënë për portalin tesheshi.com se LDK-ja duhet të kërkojë me këmbëngulje dhe në vazhdimësi zbulimin e kriminelëve që vranë veprimtarit e saj më të mirë.
“Ne të gjithë duhet të bëjmë presion të vazhdueshëm që të zbulohen vrasësit. Problemi kryesor është se vrasësit janë në majë të piramidës së shtetit dhe se të gjitha organet e ndjekjes janë në duart e tyre. Kjo situatë do të zgjasë ende me vite. EULEX-I kapi vetëm një segment të vogël të krimit të organizuar,por jo kapot kryesorë të krimit. Ata ende po rrinë të qetë në majat e shtetit. Por,jam i bindur se një ditë edhe ata do ti gjeje drejtësia dhe do t’i dërgojë aty ku duhet”, thotë deputeti Salihaj.
Kurse deputeti tjetër i LDK-së, Armend Zemaj konsideron se trajtimi i vrasjeve të pasluftës ende është duke ecur ngadalë, dhe se për këtë është dashur të bëhet më shumë.
Zemaj, ndërkohë që në mesin e personave të vrarëve pasluftës në Kosovë është edhe axha i tij Tahir Zemaj, ka theksuar se hetimet për të vrarët janë duke vazhduar dhe se nuk mund të thotë asgjë më shumë për këtë proces.
“Prokuroria Speciale e EULEX është në trajtim të disa rasteve të vrasjeve për motive politike, ecuria e zhvillimit të hetimeve është e ngadalshme për disa arsye edhe pse neve mendojmë që është dashur të bëhet më shumë. Për momentin kjo është e tëra që mund ta them për shkak të hetimeve që janë në zhvillim e sipër”, ka thënë Zemaj për mediat.
Nëse LDK nuk zbardh vrasjet e zyrtarëve të saj, do të ndëshkohet nga elektorati
Njohësi i çështjeve të sigurisë, Hajrullah Tërnava, thotë se është e çuditshme se si edhe pas 16 viteve ende nuk janë zbardhur vrasjet e pasluftës.
Megjithatë, Tërnava në një prononcim për tesheshi.com thotë se nëse analizohet pse u vranë të gjithë ata politikanë pas lufte dhe pjesë e cilës parti ishin atëherë mund të kuptohet pse nuk u vënë para drejtësisë dorasit.
“Dëshira për pushtet është e madhe. LDK gjatë fushatës zgjedhore moton kryesore e kishte se po erdhëm në pushtet do t’i zbulojmë të gjitha vrasjet e pasluftës. Tani qeveritaret as që merren me këto tema të prekshme, përkundrazi LDK bëri gjithçka të zgjedh kryetarin e PDK-së për president të Kosovës, edhe pse të gjitha dyshimet për vrasjet e pasluftës drejtohen mbi PDK-në.
Udhëheqësit e LDK-së që sot e udhëheqin qeverisjen në Kosovë duhet të bëjnë çmos që t’i zbulojnë vrasesit e njerëzve të tyre nëse mendojn që në të ardhmen eloktorati i tyre t’ua jep votat edhe në zgjedhjet e radhës, në të kundërtën me moszbardhjen e këtyre vrasjeve, elektorati i LDK-së do të zhgënjehet në udhëheqësit e saj dhe do t’i dënoj ata duke mos i votuar”, ka thënë Tërnava.
Kujtojmë se një nga rastet e vrasjeve politike më të freskëta mbetet vrasja enigmë e kandidatit të Partisë Demokratike të Kosovës, Elvis Pista që ishte kandidat për deputet të Kuvendit të Kosovës.
Pista u vra me armë zjarri më 15 qershor të vitit 2014, dhe tashmë edhe kur po bëhen 2 vjet ende nuk ka asnjë të arrestuar e as të dyshuar për vrasjen e tij. /tesheshi.com/