Kualifikimet drejt Kampionatit Europian “Francë 2016”, po shkojnë drejt mbylljes, ndërkohë skuadrat po luftojnë për të marrë “biletat” e fundit për Paris. Rezultatet mjaft befasuese janë regjistruar gjatë ndeshjeve të së enjtës mbrëma, me ç’rast disa përfaqësuese të mëdha rrezikojnë kualifikimin.
Në grupin D, Gjermania humbet në udhëtim ndaj Irlandës, (1-0) dhe tashmë është e deturuar të fitojë ndeshjen ndaj Gjeorgjisë, nëse dëshiron të luftojë për kurorën e më të mirit të Europës. Skocia ka barazuar me Poloninë, (2-2) për të mjegulluar edhe më shumë situatën në këtë grup. Gjermania kryeson grupin me 19 pikë, ndërkohë me nga 18 ndajnë pozitën e dytë, Polonia dhe Irlanda, përfaqësuese këto që do ballafaqohen pas tre ditësh.
Irlanda e Veriut ka arritur rezultat historik përballë Greqisë. Fitorja ndaj helenëve u ka mundësuar atyre për herë të parë kualifikimin në ndonjë kampionat europian. Fitorja 3-1 i çoi ata drejt kryesimit të grupit tashmë me 20 pikë. Rumania që barazoi me Finlandën, (1-1) do të luftojë me Hungarinë për vendin e dytë që dërgon drejt Francës.
Në grupin I, Portugalia tashmë ndodhet në Francë. Fitorja ndaj Danimarkës u ka mundësuar portugezëve që të regjistrojnë emrin në mesin e 16 skuadrave që do jenë pjesë e kampionatit europian. Kjo humbje është pozitive për Shqipërinë e cila ndeshjen e fundit e luan ndaj Armenisë në udhëtim dhe i duhet vetëm fitorja për të realizuar ëndrrën shumëvjeçare. /tesheshi.com/