Nga Blendi Gashi
Ngjashëm siç në Tiranë, ndodhi dhe në Prishtinë ku pak vite më parë u krijua një tip “legjende urbane” me në qendër Xhaminë e Madhe. Në kryeqytetin kosovar pati dhe një ”ngacmim” që erdhi nga ndërtimi i Katedrales së madhe tek ish-gjimnazi “Xhevdet Doda”, që u përjetua dhe si një lloj persekucioni tek një pjesë e komunitetit mysliman të Kosovës.
Kështu që nisi të jetësohej ideja për ta ndërtuar dhe një xhami, e finalizuar kjo më dt. 8 tetor 2012, pra 3 vite më parë, kur u hodh gurëthemeli, tek sheshi në krah të PTK-së, në një ceremoni ngazëllyese, meqë ia behën aty gjithë krerët e institucioneve kryesore të Kosovës, të cilët nuk lanë llaf të bukur pa thënë për xhaminë, vlerat e besimit dhe bashkëjetesën fetare.
Dhe nga ajo çfarë u pa atë ditë, prezantimi i projektit në një ekspozitë, si dhe deklarimet e krerëve të BIK-ut, posaçërisht Myftiut Tërnava se për dy vjet xhamia do ishte gati, të gjithëve iu mbush mendja se ai objekt nuk do kishte fatin e “sivëllait” në Tiranë duke ekzistuar vetëm virtualisht.
Dhe sot, pas tre vjetësh, në atë shesh ku do lartohej xhamia, qëndrojnë të parkuara me dhjetra makina.
Por a ka ndonjë shpjegim për këtë?
Portali “Te Sheshi”, ka kontakuar Bashkësinë Islame të Kosovës, për të marrë një qëndrim rreth kësaj çështjeje, por edhe pas insistimit tonë zyrtarët e BIK-ut nuk janë shprehur të gatshëm të deklarohen. “Nuk kemi çfarë të themi”, ka qenë përgjigja e BIK-ut, kur gazetari ka shkuar për të marrë përgjigje.
Profesori i Fakultetit të Studimeve Islame, Xhabir Hamiti, ka thënë për portalin “Te Sheshi”, se Bashkësia Islame e Kosovës do të duhej të jepte një përgjigje se pse nuk ka filluar ndërtimi i xhamisë.
“Sigurisht për shkak të mungesës së fondeve, diçka tjetër nuk di dhe nuk jam në rrjedha”, ka deklaruar shkurt Hamiti.
Dhe në mungesë të një prononcimi sqarues, që për hir të së vërtetës më shumë se ndaj gazetarit të interesuar do duhej dhënë karshi komunitetit të besimtarëve, po sjellim deklarimet e asaj dite, kur pra vendosej gurthemeli:
Myftiu Naim Tërnava, do thoshtë para të pranishmëve se se ndërtimi i kësaj xhamie ka qenë nevojë e kahmotshme, ngase sipas tij, nëpër kohë janë përdhosur, janë shkatërruar, janë tjetërsuar dhe janë rrënuar shumë faltore të lënë amanet nga të parët.
“Dhe, pikërisht ishin faltoret ato që u dhanë bërthamat e para, u organizua shoqëria. Në to, përveç që është adhuruar e madhëruar Zoti, aty ka filluar edhe edukimi, emancipimi, arsimimi dhe qytetërimi i shoqërisë”, tha ai.
Presidentja Atifete Jahjaga, u shpreh se Kosova është vend ku kulturat, traditat e fetë janë gërshetuar përgjatë shumë shekujve dhe ku bashkëjetesa mes tyre ka qenë e vazhdon të jetë virtyt dhe vlerë e saj, dhe është vend i besimit në njeriun dhe i mirësisë mes njerëzve, vend i tolerancës dhe respektit fetar.
“Feja në Kosovë, sot është një promotor i paqes dhe urtësisë, i bashkëjetesës dhe solidaritetit mes njerëzve, është urë lidhëse mes të gjitha komuniteteve. Ajo mund të ndërtojë të sotmen e përbashkët, duke hapur rrugë të së ardhmes për shtetin tonë gjithëpërfshirës. Këto themele që sot po vihen, janë jo vetëm themele të një objekti të kultit, por më shumë se kaq: themele të një objekti që do të ndihmojë besimtarët në rrugën e tyre të fesë, por edhe të gjithë qytetarët e Kosovës që duan të nxënë dijen për fenë. Ju përgëzoj ju besimtarë për fillimin e ndërtimit të kësaj xhamie me urimin që devotshmëria juaj dhe solidariteti që tregoni ndaj njëri tjetrit të shpërblehet me gjetje të paqes shpirtërore”, deklaroi Jahjaga.
Hashim Thaçi i cili në atë kohë ishte kryeministër i vendit, tha se edhe pse Kosova është shteti më i ri në Botë, populli i Kosovës ka një traditë të gjatë të tolerancës dhe harmonisë ndërfetare.
“Kosova shtet i ri, mirëpo është një shembull për rajonin dhe botën për harmonin ndërfetare. Ky fakt bëhet edhe më i rëndësishëm kur në kohën e sotme çështja e bashkëjetesës së kulturave dhe feve është një ndër sfidat më të rëndësishme që po kapërcen bota jonë në saje të procesit të globalizmit, i cili ka ofruar dhe ngjitur dallimet kulturore dhe fetare”, deklaroi ish kryeministri Thaçi.
Ish-kreu i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, tha se Prishtinës i është dashur një xhami me përmasa të tilla, dhe se Kosova po hap rrugë të reja edhe për kultet fetare.
“Prishtinës ndoshta deri më sot i ka munguar një xhami e përmasave të tilla, për tu siguruar hapësirë të mjaftueshme që besimtarët të kryejnë në Kushte Minimale ritet fetare. Kosova e lirë e pavarur dhe demokratike po hap rrugë të reja për të gjithë, edhe për kultet fetare”, deklaroi Kransiqi.
Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) për ndërtimin e xhamisë, kërkoi edhe përkrahje materiale nga qytetarët dduke hapur disa xhirollogari në banka të vendit.
Në konkursin ndërkombëtar të hapur për projektet ideore, në mars të vitit 2013, u prezantuan 81 projekte, por asnjëri nga ta nuk u shpall si fitues.
Në këtë konkurs, BIK-u kërkonte edhe objekte të tjera si pjesë e xhamisë, si garazhe, lokale e banesë për imamin, por kjo kishte ngjalli reagimin e Komunës, që tha se nuk do të lejojnë që në tokën e ndarë për xhami të ndërtohet një qendër tregtare.
Komuna e Prishtinës ndau një parcelë me 81 ari tokë në lagjen “Ulpiana” për xhaminë. /tesheshi.com/