Nga Eva Gjura
Varfëria është ulur këmbëkryq në familjen e Dines, burrit 70 vjeçar, i cilin jeton në kushte të tmerrshme bashkë me gruan e tij Brisildën 31 vjeçe dhe dy vajzat e vogla Sanja 6 vjeçe dhe Keti 3 vjeçe, ndërsa presin edhe një fëmijë të tretë. Dinia dhe Brisilda nuk janë martuar zyrtarisht, por ata jetojnë bashkë prej 15 vjetësh, megjithëse kanë një diferencë të madhe moshe mes njëri-tjetrit, afërisht 39 vjet.
Histori e dhimbshme
Historia e tyre është e çuditshme. Jeta është treguar e pamëshirshme me ta duke i përballuar me dallgë të forta, të cilat më pas i kanë transformuar në këtë gjendje të mjerueshme. Dinia, emri i plotë i të cilit është Sejdin Gardelina, vjen nga një familje normale me hallet dhe problemet e saj, si gjitha familjet shqiptare. Ai ka lindur dhe jetuar në Tiranë, më pas kryer ushtrinë në Shishtavec të Kukësit, pas ushtrisë ka punuara për më shumë se 12 vjet në Postën e Tiranës dhe në Kombinatin tekstil “Josif Pashko”. Është martuar shumë i ri dhe nga martesa e parë ka lindur edhe një djalë, të cilit ai i pati vënë emrin Alban.
Dinia është ndarë shpejt nga gruaja e parë dhe kjo ka qenë një goditje të cilën ai e ka përjetuar keq, siç thotë edhe vetë, por më e rëndë ka qenë humbja e djalit të tij Albanit , 20-vjeç, i cili u vra me thikë në fund të vitit ’97. Humbje e cila, siç tregon edhe vetë, e ka shkatërruar. Kanë kaluar gati 19 vjet dhe ai ende nuk e di kush ia vrau djalin, pasi askush nuk është dënuar për atë vrasje. Gjithashtu ai nuk di të thotë asgjë sesi ka vajtur hetimi i çështjes. Di të thotë vetëm se djali i ka lënë një nip të vogël, i cili sot është bërë burrë, gati 19 vjeç dhe jeton bashkë me mamanë e tij.
Para 15 vjetësh Dinia është njohur me Brisildën, një vajzë nga Korça, e cila gjithashtu ka një histori të dhimbshme nga ana e saj. Ajo ka humbur shumë shpejt prindërit duke mbetur rrugëve dhe në mëshirë të fatit. Gjithashtu edhe ajo tregon se ka kaluar shumë peripeci, dhunë e keqtrajtime nga më të ndryshmet. Njohja me Dinen i ka bërë të mundur të ketë një strehë ku të fusë kokën, si thotë ajo, dhe një copë bukë, pasi ai punon dhe mundohet me çdo mënyrë t’ju sigurojë jetesën.
Të jetosh në kushte mjerane
Dinia jeton në kushte të tmerrshme. Ai fle në themelet e një shtëpie dykatëshe për të cilën thotë se është ndërtuar nga familjarët e tij, por për shkak të konflikteve të pronësisë mes vëllezërve ajo ka mbetur ashtu, si gërmadhë, për vite me radhë.
Në këto ditë të ftohta dimri Dinia dhe pjesëtarët e tjerë të familjes së tij jetojnë dhe i rezistojnë të ftohtit me çfarë munden. Në dhomën që kanë sajuar për të jetuar mungon izolimi, era hyn nga të katër anët, nuk ka ngrohje e as energji elektrike, sepse Dinia nuk ka para për të paguar faturat e OSHEE-së dhe kjo e fundit, pa u menduar dy herë ia ka prerë prej kohësh energjinë elektrike. Uji as që diskutohet dhe për tu larë as që bëhet fjalë, sidomos në këto ditë të ftohta dimri.
Dy vajzat e vogla janë të veshura si mos më keq. Të palara dhe të pa ushqyera të shohin me vëmendje çdo lëvizje që ti bën, për të kuptuar nëse do t’ju japësh ndonjë gjë për të ngrenë apo jo. Gjatë natës mbulohen me çfarë të munden: me lecka të mbledhura nëpër kosha plehrash e copa mushamaje. Janë si mos më keq. Pamje që as në mesjetë nuk mund të mendosh se kanë ekzistuar, dhe jo më sot, në 2016, në mes të Tiranës.
Të ushqyerit, mision më vete
Për burrin 70-vjeçar sigurimi i ushqimit të familjes së tij prej katër anëtarësh është misioni kryesor. Ai bën çdo punë që i del përpara, megjithëse nuk është më djalë i ri. Ai mbledh kanoçe tek koshat e plehrave, mbledh hekurishte e rrangullina të vjetra, të cila mund të shiten për të siguruar ndonjë lekë. Bën çdo lloj pune që banorët e zonës i kërkojnë, si hamallin, pastrimin e ndonjë pusete, pastrimin e ndonjë oborri, pra çdo lloj pune që i del përpara. Nëse i thua për ndonjë punë Dines, ai nuk thotë “Jo” dhe mjaftohet me aq para sa i jep ose ushqim apo veshmbathje për dy vajzat e vogla.
Banorët e zonës
Nëse e pyet si ia bënë për të jetuar, Dinia nuk heziton për asnjë moment të falenderojë banorët e zonës, të cilët herë pas here e ndihmojnë si munden, kush i jep ndonjë veshje për vajzat, dikush i jep pak ushqim, ka nga ata që i japim ndonjë lekë. “Gjithkush si mundet”,- thotë 70-vjeçari dhe nuk harron t’i falenderojë.
“As ata nuk kanë, por prapë na japin edhe neve ndonjë gjë” thotë Dinia, i cili i lindur dhe i rritur në këtë lagje, tashmë ndihet si në shtëpinë e tij dhe nuk ka njëri që nuk e përshëndet. Banorët e lagjes kanë qenë ata që e kanë ndihmuar të shoqen të sjellë në jetë fëmijët, sidomos vajzën e dytë, të cilën e ka lindur në mes të rrugës. Kanë qenë banorët ata që kanë njoftuar ambulancën dhe policinë për t’i ardhur në ndihmë gruas dhe fëmijës, i kanë sjelle mbulesë për fëmijën dhe gruan.
Vajzat e vogla
Sanja 6-vjeçe dhe Keti 3-vjeçe e jetojnë jetën siç ju ka ardhur. Ato nuk dinë të dallojnë nëse janë mirë apo jo, nëse ka dhe të tjerë më mirë se ata apo jo. Teksa i shikon të shkujdesura, duken të lumtura pranë nënës së tyre, e puthin, e përqafojnë dhe i gëzohen ledheve të saj ashtu siç bën çdo fëmijë, e nëna e tyre duket më e bukura dhe e mira në botë.
Gjatë bisedës me to ju propozoj se do të ishte shumë mirë nëse ato do të jetonin në një ambient tjetër, në ndonjë kopsht të bukur ku ka edhe fëmije të tjetër, atje është ngrohtë, është pastër dhe do të ushqehen çdo ditë me supë të ngrohtë, në kopsht do të mësojnë shumë gjëra, vjersha, këngë, të shkruajnë dhe të lexojnë, por Sanja 6-vjeçe nuk pranon. Ajo do të rrijë me mamin dhe me babin, ku të jenë ata të jetë edhe ajo, dhe me të drejtë.
Kush është ai fëmijë që nuk do të rrijë me prindërit e tij? Kush është ai fëmijë që nuk thotë se mami im është më e mira më e bukura? Të njëjtën gjë thotë edhe Sanja me Ketin dhe ti, e pafuqishme për t’i thënë të kundërtën, ndërpret bisedën duke mos dashur t’i shqetësosh më. E kanë boll fatin e tyre.
Dora e shtetit
Gjatë bisedës me Dinen dhe Brisildën, mundohem të kuptoj se kush i ka ndihmuar gjatë këtyre viteve, sidomos kur janë bërë më fëmijë. Si ia kanë dalë? A ka ardhur ndonjë përfaqësues nga shteti për tu interesuar se ku strehohen, ku jetojnë, me çfarë i ushqen fëmijët? A janë vaksinuar pasi janë vajza të vogla dhe kanë nevojë për vemendjen e shtetit? Ata më thonë se askush nuk është dukur në derën e tyre, përveçse për ndonjë festë që ju kanë sjellë pak mish e disa ushqime, por ai vetë s’e ka kuptuar se nga kush i kanë ardhur.
Unë e pyes nëse merr ndihmë ekonomike apo ndonjë gjysmë pensioni, sepse ai ka punuar, siç thotë edhe vete, gati 15-vjet në shtet, por askush nuk është kujtuar për të. Ai nuk di nëse është i regjistruar në bashki, ai nuk di nëse i takon të votojë, ai nuk ia ka idenë asnjë procedure shtetërore që duhet të ndjekë për tu interesuar për pensionin e tij, për të marrë diçka që i takon. Dinia nuk di asgjë nga këto që unë i them. Nuk ia ka idenë se çfarë i takon dhe çfarë jo nga ky shtet.
Dinja nuk e di sesi funksionon shteti, por nga ana tjetër, as shtetit nuk ia ndien për Dinen dhe familjen e tij. Shteti ku ne jetojmë nuk shqetësohet për fatin e atyre dy vajzave të vogla që po rriten, për të cilat nëse nuk interesohet në kohë fati i tyre do të jetë tragjik. Nëse nëna e tyre pati “fat” dhe u njoh me Dinen, i cili po i jep një copë bukë. Ato nuk dihet se me kë mund të njihen kur të rriten dhe ku mund të përfundojnë.
Ky shtet duhet të interesohet më shumë në mos për Dinen dhe Brisildën që janë në moshë madhore, e ka për detyrë për Sanjën dhe Ketin, që janë dy fëmijë rruge dhe nuk janë aspak përgjegjëse për gabimet e prindërve të tyre e as e kanë zgjedhur atë jetë që bëjnë sot./tesheshi.com/