Në një deklaratë publike, SPAK ka sqaruar arsyet e arrestimit të kryebashkiakut të Tiranës Erjon Veliaj, si dhe vënies në “arrest shtëpie” të bashkëshortes së tij Ajola Xoxa.
“Kryetari i Bashkisë Tiranë, shtetasi E. V., përmes veprimeve konkrete të cilat kanë kulmuar me nënshkrimin e tij ka miratuar në çdo rast shpërndarjen e fondeve publike si edhe lejet e ndërtimit tek disa subjekte tregtare, të lidhur ngushtë me të, përfaqësuesit e të cilëve janë përmendur më lart. Këto fonde publike më pas kanë përfunduar tek disa organizata jofitimprurëse, shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, persona fizikë të kontrolluar de jure dhe de facto nga bashkëshortja e tij, shtetësja A. X., si edhe individë të afërt me këtë të fundit, duke krijuar një rrjet të dyshimtë e të komplikuar transaksionesh.
Organi procedues ka mbledhur prova, të cilat krijojnë dyshimin e arsyeshëm mbi ekzistencën dhe funksionimin e një skeme korruptive, nga zbërthimi i së cilës në përmbledhje rezulton se fondet publike që dalin nga institucioni i Bashkisë Tiranë, me nënshkrimin e titullarit, i) kanë kaluar drejtpërsëdrejti tek bashkëshortja e këtij të fundit (rrjedhimisht tek vetë shtetasi nën hetim E. V.) dhe rrethi i saj familjar, përmes OJF-ve dhe personave juridikë të kontrolluar de jure dhe de facto nga kjo shtetase; ii) kanë kaluar përmes sponsorizimeve, likuidimeve të faturave fiktive apo blerjeve, të bëra prej subjekteve tregtare, të cilët nga ana e tyre kanë përfituar leje ndërtimi apo fonde publike nga Bashkia Tiranë, tek OJF-të, shpk-të dhe personat fizikë të kontrolluar de jure dhe de facto nga bashkëshortja e kryetarit të Bashkisë Tiranë; iii) kanë kaluar si pasuri të paluajtshme në vlerë të konsiderueshme, specifikisht një godinë banimi e tipit ‘Vilë’ e ndodhur në Qerret-Kompleksi ‘Marea Resort’, dhënë si përfitim i parregullt nga persona konkretë përmendur më lartë, të cilët zotërojnë dhe përfaqësojnë subjekte tregtarë, të lidhur ngushtë me interesa financiare me Bashkinë Tiranë, përmes përfitimit të fondeve publike si edhe lejeve të ndërtimit, tek familja e kryetarit të Bashkisë Tiranë; iv) janë shpenzuar për blerje me vlera të mëdha nga bashkëshortja e kryetarit të Bashkisë Tiranë, duke i kamufluar këto blerje, përmes personave të tjerë. Çdo transferim i këtyre fondeve publike dhe lëshimi i lejeve të ndërtimit është kryer me miratimin e kryetarit të Bashkisë Tiranë, shtetasit E.V.
Faktet dhe provat e grumbulluara, edhe pse i referohen episodeve konkrete të evidentuara deri në këtë fazë, krijojnë dyshimin e arsyeshëm se në rastin konkret bëhet fjalë për një sistem të organizuar korrupsioni dhe shpërdorimi të fondeve publike, të shtrirë në kohë, sipas një skeme të vënë në funksionim nga kryetari i bashkisë Tiranë dhe bashkëshortja e këtij të fundit. Në qendër të kësaj skeme korrupsioni dhe pastrimi të produkteve që burojnë nga kjo vepër, rezulton të jetë titullari i institucionit, nënshkrimi i të cilit ka qenë përcaktues për shpërndarjen e fondeve publike, prej të cilave ai dhe familjarët e tij të ngushtë kanë përfituar drejtpërsëdrejti në mënyrë të parregullt.
Organi procedues ka arritur në konkluzionin se, përveç pasurive të paluajtshme të përfituara nga shtetasit nën hetim (nën regjimin pasuror të bashkësisë ligjore), këta të fundit, vetëm përmes shoqërive ‘P. L.’ shpk, ‘A. L.’ shpk, ‘A. S.’ shpk, ‘N. G.’ shpk, ‘H.’ OJF, ‘E.’ OJF, ‘B.-A’ OJF dhe ‘M.’ OJF, për të cilat ekzistojnë prova të mjaftueshme se kontrollohen plotësisht nga bashkëshortja e kryetarit të Bashkisë Tiranë, por edhe ‘R.’ shpk dhe shoqëri të tjera të lidhura me shtetasin nën hetim E. A., kanë gjeneruar të ardhura të cilat kapin shifrën e rreth 110.000.000 lekë.
Më pas, me veprimet e tyre të kundërligjshme, të kryera në bashkëpunim dhe më shumë se një herë, të cilat konsistojnë në integrimin në sistemin bankar të këtyre shumave monetare, të siguruara si përfitime të parregullta, por edhe të fshehjes ose mbulimit të natyrës së vërtetë së pasurive, në kushtet kur këto pasuri dihet se janë produkte të veprës penale sipas nenit 260 të ligjit material, shtetasit nën hetim dyshohet se kanë përmbushur elementët e parashikuar në gërmat a) dhe b) të nenit 287 të Kodit Penal (‘Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’).
Qëllimi kriminal i shtetasve nën hetim për integrimin në sistemin bankar të shumave monetare të cilat janë rezultat i përfitimeve të parregullta, do të ishte i pamundur të përmbushej pa rolin përcaktues të subjekteve të tjera tregtare, shpk dhe OJF, të identifikuar deri tani në regjistrin e njoftimit të veprave penale. OJF-të ‘H.’, ‘E.’, ‘M.’ dhe ‘B.-A’, të kontrolluara plotësisht nga shtetësja nën hetim A. X., deri në këtë fazë të hetimit paraprak dyshohet të kenë kryer veprime konkrete të kundërligjshme në drejtim të pastrimit të produkteve të veprës penale, nëpërmjet transferimit të pasurive me qëllim fshehjen ose mbulimin e origjinës së paligjshme të tyre, duke ditur se këto pasuri janë produkt i veprës penale sipas nenit 260 të Kodit Penal. Në vijim të hetimeve Prokuroria e Posaçme ka regjistruar në regjistrin e njoftimit të veprave penale edhe emrat tregëtarë të këtyre OJF – ve.
Po kështu, ky qëllim kriminal për pastrimin e produkteve të veprës penale, që i referohet rastit të kalimit të të hollave nga shoqëritë e administruara nga shtetasi nën hetim …. dhe familjarë të tij, do të ishte i pamundur të realizohej pa bashkëpunimin e këtij të fundit në kryerjen e veprimeve të kundërligjshme, të cilat kanë kulmuar në pagesat e bëra për shoqëritë tregtare si edhe personat fizikë të kontrolluar de jure dhe de facto nga shtetësja A. X.
Përveç sa është përshkruar më lart, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka siguruar prova të mjaftueshme për të konkluduar se shtetësja A. X., vetë ose nëpërmjet personave të tjerë të afërt me të, për një periudhë kohore prej rreth 4 vitesh, ka bërë blerje online të cilat konsistojnë në veshje, bizhuteri etj, në masën 86,721,175 lekë. Këto shpenzime nuk rezultojnë të jenë deklaruar në asnjë nga Deklaratat Periodike të titullarit të Bashkisë Tiranë si edhe personave të lidhur me të.
Po kështu, kjo shtetase në asnjë rast nuk ka përmbushur detyrimet që burojnë nga ligji nr. 9049 datë 10.04.2023, në lidhje me deklarimin e pjesëmarrjes së saj në bordin e një organizate jofitimprurëse, e cila provohet të ketë gjeneruar të ardhura të shumta, por edhe njëkohësisht pronare (organizata) e një subjekti tregtar me natyrë fitimprurëse (shpk). Fshehja e këtyre fakteve nga shtetësja nën hetim A. X., ka pamundësuar organet ligjzbatuese për të patur një panoramë të plotë dhe të qartë sa i takon, jo vetëm pjesëmarrjes së kësaj shtetase në borde organizatash, të cilat nga ana e tyre zotërojnë shpk, por çfarë është më e rëndësishme, ka pamundësuar ‘konstatimin’ dhe ‘gjurmimin’ e një sasie të konsiderueshme të hollash, të cilat kanë qarkulluar nëpërmjet këtyre subjekteve të kontrolluara faktikisht nga shtetësja nën hetim. Pikërisht, mungesa e plotë e kësaj transparence ka bërë të mundur më pas edhe funksionimin e një skeme kaq të organizuar të lëvizjes së shumave monetare, nga, dhe nëpërmjet këtyre OJF-ve dhe shpk-ve”, thuhet ndër të tjera në sqarimin e SPAK. /tesheshi.com/