Gara e parë sezonale e Formulës 1 është mbyllur me fitoren e gjermanit Sebastian Vettel. Një fitore e cila jep sinjalin e parë se dominimit të Mercedes-it po i vjen fundi.
Që kokëkuqja kishte bërë përparim të dukshëm qe parë nga provat e para sezonit. Sot u vërtetua se Ferrari është rikthyer, me synimin për të fituar trofe që mungojnë prej dekadës së shkuar.
Në Melburn të Australisë, i pari në nisje ka qenë Hamilton, por që nuk ka mundur të shkëputet për asnjë çast nga ndjekja e Vettel-it. Për të ardhur te momenti i ndërrimit të gomave, që ka shënuar përmbysjen e situatës. Britaniku u fut i pari për ndërrimin e tyre, e pas daljes e pa veten pas Verstappen-it, diçka që i kushtoi shtrenjtë.
Vettel ka kryesuar më pas pa probleme, duke e kaluar finishin i pari. Hamilton është renditur i dyti, dhe në vend të tretë është finlandezi Bottas, në të parin podium për të në garën e parë në timonin e një Mercedes-i.
Kimi Raikkonen ka ardhur menjëherë pas treshes kryesuese, ndjekur nga Verstappen i Red Bull-it, pa forcën e zakonshme.
Felipe Massa, Perez, Sainz, Kvyat dhe Ocon kanë plotësuar dhjetëshen e parë.
Shumë tërheqje ka patur kjo garë, duke filluar nga Grosjean e Ricciardo, e duke përfunduar te Fernando Alonso. /tesheshi.com/