Edhe pse u njoftua se që nga sot do t`iu ndalohet hyrja në Kosovë personave që kanë letërnjoftime të lëshuara nga strukturat paralele serbe, kjo nuk ka ndodhur akoma.
Kryetari i komunës paralele të Leposaviqit, Dragan Jabllanoviç i ka thënë Tanjugut se në vendkalimin në Jarinjë në veri të Kosovës po kalohet dhe se policia nuk ka ndryshuar regjimin për askënd, as për ata të cilët jetojnë në Kosovë e posedojnë letërnjoftime serbe.
Vitin e kaluar, i njëjti vendim ishte në fuqi për disa orë dhe më pas autoritetet e pezulluan përkohësisht, me arsyetimin se letërnjoftimet serbe janë të vlefshme vetëm për një periudhë kalimtare.
Ministria për Dialog, Edita Tahiri, të premten përmes një komunikate ka bërë të ditur se duke filluar nga 18 prilli nuk do të lejohet hyrja/dalja në Republikën e Kosovës për të gjithë personat që posedojnë letërnjoftime të lëshuara nga strukturat paralele të Serbisë në Kosovë. /tesheshi.com/