Konferenca e Kryetarëve ka rrëzuar kërkesën e Partisë Demokratike, e cila ka hartuar një rezolutë për heqjen e dekoratave të bashkëpunëtorëve dhe hetuesve të regjimit nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes.
Kreu i grupit kuvendor demokrat, Edi Paloka, sqaroi se mazhoranca u justifikuan me faktin se Partia Socialiste ka paraqitur më herët një rezolutë, por shtoi se në të nuk paraqiten kërkesat e demokratëve.
“Na u tha se nuk u bë kërkesa zyrtare për rezolutën, ndaj ne do e paraqesim sot zyrtarisht edhe në Kuvend”, u shpreh Paloka.
“Komisioni për reformën zgjedhore tashmë ka mbetur tek emrat”, tha kreu i grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka, ku bëri publik edhe emrat e opozitës për këtë komision.
“Emrat kanë mbetur për t’u paraqitur, në komision bashkëkryetar do të jetë Oerd Bylykbashi, anëtar Arben Ristani, Gent Strazimiri, Eduard Halimi dhe një anëtar i takon republikanëve”, tha Paloka.
Lidhur me reformën në drejtësi, ai tha se nuk u diskutua, pasi janë thënë të gjitha dhe se tashmë duhet të flasë qeveria dhe mazhoranca./tesheshi.com/