E pranishme në analizën vjetore të Prokurorisë së Tiranës, Kryeprokurorja e përkohshme Arta Marku ka kritikuar ashpër vartësit e saj për rendiment të ulët pune.
“Çështje mjaft të rëndësishme janë zvarritur pa justifikim, rrinë në sirtar prej vitesh me një mungesë të theksuar përgjegjësie. Për pastrim parash janë regjistruar shumë pak çështje. Kjo situatë nuk i përgjigjet realitetit dhe Shqipëria mund të penalizohet. Hetimet janë të pakta.
Përgjegjësia është e secilit prej jush dhe në një moment secili do të mbajë përgjegjësinë që i takon.
Kërkoj që të vijoni që të punoni dhe kryerjen e veprimeve hetimore. Nëse veprohet shpejt nuk u lihet hapësirë spekulimeve”, tha znj. Marku.
Ajo porositi gjithashtu që të bëhet kujdes me deklarata publike, siduket referuar rastit më të fundit për hetimet ndaj PD-së në lidhje me një aferë financuese lobimi.
“Bëni kujdes me deklaratat publike, pasi rrezikoni funksionin primar, atë të hetimeve. Prokuroria nuk mund t’u përgjigjet politikës çdo herë me deklarata”, tha ajo. /tesheshi.com/