Hajdar el-Abadi, shefi i qeverisë irakiane, ka urdhëruar arrestimin e aktivistëve shiitë që hynë dje në ndërtesën e parlamentit në Bagdad.
Mbështetësit e Mukteda es-Sadrit, klerikut shiit, çanë dje përmes pengesave dhe hynë në Zonën e Gjelbër, për të mësyrë më pas në parlamentin e vendit. Prej javësh ata gjenden në protesta, në kërkim të ndryshimeve në qeveri.
Pas protestave të djeshme u shpall gjendje e jashtëzakonshme, si dhe u bllokuan të gjitha hyrjet për në kryeqytetin e vendit.
Një televizion irakian ka transmetuar pamje të kryesministrit teksa ecën brenda Zonës së Gjelbër i shoqëruar nga roje të armatosura, duke i hedhur poshtë zërat për një largim të tij nga Bagdadi.
Ata të cilët sulmuan policinë, ka thënë el-Abadi, kryeministri irakian, dhe shkaktuan dëme në ndërtesat publike duhet të arrestohen.
Protestuesit e kaluan natën jashtë godinës së parlamentit, ndërkohë që një pjesë e tyre gjenden akoma atje. /tesheshi.com/