Në përvjetorin e parë të sulmeve të Parisit, kryeministri francez ka paralajmëruar për zgjatjen e gjendjes së jashtëzakonshme në vend teksa afrohet dhe fushata presidenciale.
Manuel Valls ka folur për programin Hardtalk të BBC-së, ku ka përmendur ekzistencën e kërcënimeve për sulme, për çka dhe pritet që të vijojë gjendja e jashtëzakonshme.
“Eshtë e vështirë sot t’i jepet fund gjendjes së jashtëzakonshme,” ka thënë Valls për mikrofonin e BBC-së.
“Posaçërisht ngaqë do të nisim një fushatë presidenciale brenda pak javëve me tubime, me grumbullime publike. Prandaj duhet të mbrojmë gjithashtu demokracinë tonë,” do të nënvizonte ai.
Masat e gjendjes së jashtëzakonshme i japin policisë fuqi shtesë për të kryer bastisje dhe për t’i vënë njerëzit në arrest shtëpiak.
Gjendja e jashtëzakonshme u vendos fillimisht në Francë pas sulmeve të nëntorit të shkuar, për t’u shtyrë gjatë kësaj vere deri në janar të 2017-s. Fushata elektorale për zgjedhjet presidenciale, dhe vetë zgjedhjet më pas, në pranverën e vitit të ardhshëm, do të jenë me sa duket një arsye për zgjatjen e gjendjes së jashtëzakonshme në Francë. /tesheshi.com/