Monika Kryemadhi paralajmëroi kthimin e të shoqit në krye të LSI-së, një forcë tipike familjare, jo vetëm klienteliste, ku burrë e grua e trashëgojnë ndërsjelltazi.
Kështu, pasi Meta ia përcolli së shoqes gjatë kalimit në Presidencë, tashmë do marrë sërish pas daljes nga Presidenca.
Por jo vetëm kaq. Kryemadhi pretendon se i shoqi do reformojë politikën shqiptare.
Në një aktivitet partiak, ajo iu drejtua të pranishmëve, kryesisht të rinj:
“Jam e bindur se brenda shumë pak muajsh, ai që krijoi LSI do të kthehet te ju. Edhe ai mezi pret që t’ju vijë.
I mungon miqësia juaj, entuziazmi juaj. sinqeriteti juaj.
I mungon mundësia për të ndryshuar realitetin e ndotur të moçalit politik ku kishim qenë”, tha Kryemadhi.
Pra, sipas saj, i shoqi është qelibar, por politika ku ai është protagonist prej gati tre dekadash, është e ndotur, është moçal. /tesheshi.com/