Kreu i diplomacisë finlandeze Pekka Haavisto, ishte për një vizitë zyrtare në Tiranë ku deklaroi se shtetet skeptike ndaj hapjes së negociatave nuk të bëhen pengesë me problemet e tyre të brendshme sa i përket vizionit të zgjerimit.
“Problemet e tyre të brendshme nuk kanë pse të pengojnë procesin e zgjerimit”, theksoi Haavisto, duke qenë kështu në të njëjtën linjë me shefin e qeverisë Rama, i cili mbron tezën se “Jo”-të e mundshme, siç aludohet, nga Franca apo Hollanda, nuk vijnë nga arsye shqiptare.
Më tej, kryediplomati i Helsinkit kritikoi qasjen skeptike ndaj zgjerimit, duke thënë: “Ballkani Perëndimor nuk është në një qoshe të largët, por është në qendër të Evropës. Ne i mbështesim bisedimet që po zhvillohen me Malin e Zi dhe Serbinë, tani duam që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të nisin bisedimet. Ne nuk jemi të vetëm në marrjen e vendimit, por ai duhet të merret në unanimitet me të gjitha vendet. Ne jemi në bisedime me të gjitha vendet dhe me Tiranën për progresin e bërë. Vendet nuk i bëjnë këto ndryshime për shkak të BE, por për zhvillimin e tyre. Të gjitha këto hapa janë pjesë e demokracisë dhe transparencës demokratike”.
Deklarimet e tij u bënë gjatë një konference për shtyp me ministrin e Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj. /tesheshi.com/