Ndërprerjet në trafikun detar në Detin e Kuq do të rrisin çmimet e mallrave të konsumit, veçanërisht në Evropë, tha Yuvraj Narayan, drejtor financiar i kompanisë shumëkombëshe të logjistikës DP World.
Ky përfaqësues i kësaj kompanie me seli në Emiratet e Bashkuara Arabe, pret që barra më e madhe e rritjes së çmimeve për shkak të ndërprerjeve në transport do të bjerë mbi kurrizin e konsumatorëve në Evropë, transmeton Reuters.
“Çmimi i mallrave që vijnë nga Azia në Evropë do të jetë dukshëm më i lartë,” tha Narayan në takimin vjetor të Forumit Ekonomik Botëror.
“Konsumatorët europianë do të ndjejnë pasojat… Ato do të jenë më të rënda në ekonomitë e zhvilluara sesa në ato në zhvillim”, shtoi shefi i financave të kompanisë logjistike.
Primet e sigurimit të rrezikut të luftës për dërgesat që udhëtojnë përmes Detit të Kuq po rriten gjithashtu, thanë burimet e industrisë së sigurimeve.
Anijet me kontejnerë presin në hyrje të Detit të Kuq ose zgjedhin një rrugë më të gjatë, rreth Afrikës dhe Kepit të Shpresës së Mirë.
Dhe e gjitha kjo situatë ka ardhur për shkak të asaj çfarë ndodh në Gaza, duke detyruar grupimin Houthi në Jemen që të mos lejojë, siç thonë ata, kalimin e anijeve që kanë lidhje me Izraelin. /tesheshi.com/