Për shtatë muaj qëndruan bashkë, organizuan protesta në Prishtinë dhe qytete të tjera, por në fund ndan rrugët pa arritur qëllimin që kishin vënë para vetës, rrëzimin e qeverisë aktuale nga pushteti.
Pas këtij dështimi, opozita e bashkuar u ça. Kjo u konfirmua përfundimisht me lidhjen e koalicionit parazgjedhor AAK e NISMA, ku Vetëvendosje u përjashtua.
Derisa muaj më parë akuzonin qeverinë “Mustafa”, ditëve të fundit Vetëvendosje në njërën anë dhe AAK e NISMA në anën tjetër hedhin pa ndërprerë akuza në drejtim të tyre, se kush po filtron më shumë me partite në pushtet.
Portali mbarëkombëtarë tesheshi.com ka realizuar një intervistë me deputetin Enver Hoti të NISMA-s për Kosovën, i cili tregon në detaje pse u prish opozita e baskuar si dhe flet për koalicionin e ndërtuar me AAK-në e Ramush Haradinajt.
Deputeti i partisë së Fatmir Limajt, hedh akuza të rënda në drejtim të Vetëvendosje-s, të cilën Lëvizje e bën fajtore për prishjen e opozitës së bashkuar pasi thotë se vendimmarrës të saj filturan me pushtetin. Ai thotë se pohimet e tij nuk mund t’i kundërshtoj as Albin Kurti, as Visar Ymeri e as Dardan Molliqaj që janë krerët më të lartë të VV-së.
Deputeti Hoti në këtë intervistë flet edhe për çështje të tjera politike në vend, si dhe tregon nëse NISMA e AAK do të pranojnë apo jo të hyjnë në koalicion pas zgjedhjeve me PDK-në dhe LDK-në…
Intervistoi: Blendi Gashi
Ditë më parë partia juaj NISMA nënshkroi marrëveshje koalicioni parazgjedhor me AAK-në. Pse pjesë e këtij koalicioni s’është edhe Vetëvendosje, nuk arritët gjuhë të përbashkët me ta?
Siç e dini më 18 prill Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe NISMA për Kosovën kanë nënshkruar një marrëveshje që bën një bashkëpunim obligativ për dy partitë.
Ky koalicion ka formuar boshtin opozitar i cili bosht do të jetë i hapur edhe për partite tjera politike që nuk janë në pushtet dhe për shoqërinë civile dhe figura të tjera që mund të japin kontributin për zhvillimin e këtij boshti opozitar që do të jetë fitues i zgjedhjeve.
Cila ishte pika që ndau opozitën e bashkuar, pasi gjatë gjithë kohës është proklamuar në opinion se do të dilni me një listë të përbashkët?
Opozita e bashkaur nuk ka pasur marrëveshje për listë të përbashkët dhe ndoshta po bëhet një shfaqje e gabuar nga analistë të ndryshëm. Opozita ka qenë e bashkuar për të kundërshtuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe Demarkacionin me Malin e Zi. Këto dy marrëveshje janë të dëmshme dhe të papranueshme dhe janë dëshmuar si të tilla në çdo aspekt. Pra, këto tema kanë qenë bazë e bashkëpunimit të opozitës si dhe qeverisja e keqe. Nuk është e saktë se VV, AAK e NISMA kanë pasur një koalicion për listë të përbashkët, por është e vërtetë se ka pasur tentativa, bisedime dhe zhvillime të përbashkëta për këtë çështje.
Pse në fund opzoita e bashkuar nuk u dakordua të dalë me një listë të përbashkët?
Së pari duhet të krijohet një kulturë dhe respekt i ndërsjelltë që partitë dhe individët të cilat punojnë bashkë për tema të caktuara, sado që zgjatë bashkëpunimi duhet të jenë korrekt me njëri-tjetrin dhe të mos krijohen akuza dhe mundësi për të shpallur njëri-tjetrin fajtorë. NISMA ka qenë shumë konstruktive jo vetëm në ruajtjen e bashkëpunimit në opozitës së bashkuar por edhe gjatë kohës së VLAN-it dhe në vazhdimësi ka punuar për ta ruajtur fryëm e bashkëpunimit, pasi ka qenë e bindur se vetëm në këtë mënyrë mund të vijë ndryshimi dhe të dërgohet PDK-ja në opozitë.
Eksponentë të caktuar vendimmarrës të Vetëvendosje-s siç duket nuk po janë në gjendje që të dalin përtej një programi dhe pikëpamjeve të deklaruara me vite të tëra dhe për të pranuar pjesë programore dhe pikëpamje të partive të tjera. Prandaj, siç duket Vetëvendosje jo vetëm që ka krijuar mundësi për përçarjen e opozitës në këtë moment por ka krijuar problem edhe brenda vet subjektit të tyre.
Qëndrimet e tilla të forta i kanë kontribuar ftohjes mes raporteve të drejtuesve të partive politike opozitare të cilat rezultuan më pas me një marrëveshje mes AAK-së dhe NISMA-s sepse nuk ka kohë për të humbur dhe për të pritur idetë brenda Vetëvendosje-s. Gjendja në Kosovë është tejet e rëndë andaj nuk ka kohë për t’u marrë me projekte ideologjike të tyre.
Dy partitë që kanë lidhur koalicion parazgjedhor mendojnë se duhet të krijohet një mundësi, bashkim i qytetarëve të vendit për ta ndryshuar gjendjen, të ndërprehet e keqja dhe kjo bëhet duke e çuar vendin në zgjedhje të reja dhe në krye të qeverisë të vijnë njerëz të tjerë. Duhet sa më parë të ndërpritet regjimi PDK-LDK, të ndërpriten bisedimet si të tilla në Bruksel, të ndërpriten parregullësitë që po ndodhin në bordet publike, agjencionet e pavarura, me monopolet etj.
Pas nënshkrimit të koalicionit a keni biseduar me Vetëvendosje-n, a ka gjasa që edhe kjo parti të bëhet pjesë e koalicionit parazgjedhorë? Po, me përfaqësues të shoqërisë civile jeni në kontakt?
Personalisht nuk kam pasur takime me përfaqësues të VV-së, por nuk mund të them se bashkëpunimi është ndërprerë krejtësisht. Qëndrimi i AAK-së e NISMA-s është se janë të hapura ndaj partive të tjera opozitare. I bëj thirrje Vetëvendosje-s që të bëhet pjesë e bushtit opozitarë dhe të merrë pjesë edhe në protestën e 14 majit dhe të përshtatet në pikëpamjet që AAK e NISMA kanë për shtetin. Secila parti opozitare ka vlera dhe ka çka t’i jap njëra-tjetrës për të mirën e shtetit. Vetëvendosje nuk duhet të mbetet në politikën ditore se kush me kënd pinë kafe.
AAK dhe NISMA do të punojnë që të dalin fitues të zgjedhjeve dhe më pas edhe zgjedhin partnerët për qeverië e ardhshme.
Mirëpo, AAK e NISMA nuk mund të marrin vendime për teket e Dardan Molliqajt i cili merr në pyetje subjektet se me kënd do të ndërtojnë koalicion pas zgjedhjeve, ku përmes deklaratave për media konkretisht ka thënë se AAK dhe NISMA duhet të deklarohen qysh tani se çka do të ndodh pas zgjedhejve kurdo që mbahen ato. Kjo deklaratë për mendimin tim është papjekuri politike, sepse as Dardan Molliqaj, as Albin Kurti, as Visar Ymeri nuk mund të garantojnë që eksponentë të caktuar të Vetëvendosje-s nuk janë takuar me partinë në pushtet dhe nuk takohen.
Ka një grup brenda VV-së i cili filtron me partinë në pushtet. Ai grup brenda VV-së e ka konstruktuar edhe përçarjen brenda partive opozitare. Unë nuk mund t’i them me emra edhe pse jam në dijeni se kush janë.
Vet Dardan Molliqaj ka deklaruar se VV është e gatshme të bëj koalicion me LDK-në pa Isa Mustafën. Një grup i ngushtë i Vetëvendosje-s ka nevojë të shërohet, sa më shpjet aq më mirë. Vetëvendosje si parti politike është mjaft e çmuar dhe i ka dhënë shumë pozitivitet opozitës brenda Kuvendit dhe demokracisë, por megjithatë kjo Lëvizje duhet të ndryshoj dhe të hapet.
Nuk e ka të drejtën askush, as nga NISMA, as nga Aleanca, as nga Vetëvendosje që të ul në bankën e dominuesit tjetrin dhe t’i jep këshilla politike, filozofike dhe ideologjike, sepse subjekte funksionojnë të ndara. NISMA ka qenë tejet konstruktive duke e ruajtur subjektivitetin e vet politik duke dhënë gjithçka në mënyrë që të ndërtohet një projekt i përbashkët opozitar që më pas të fitohet pushteti.
Ju po thoni se eksponentë të lartë të VV-së janë takuar me partitë në pushtet. Për të qenë sa më korrekt me opinionin duhet të tregoni se kush nga VV është takuar me pushtetin apo sa persona nga VV po filtrojnë sipas jush me PDK-në dhe LDK-në?
Unë jam i bindur se vendimarrës të Vetëvendosje-s kanë kontakte me pushtetin. Këtë çështje mbetet ta sqaroj Albin Kurti brenda partisë së vet.
Pse Albin Kurti, ai nuk është kryetar i Vetëvendosje-s?
Sigurisht Albin Kurti është bartës i të gjitha projekteve në Vetëvendosje dhe për mua është e natyrshme dhe normale dhe respektuese një gjë e tillë.
A është vendosur kush do të jetë bartës i listës së koalicionit parazgjedhor AAK-NISMA, Ramush Haradinaj apo Fatmir Limaj?
Koalicioni është jashtëzakonisht i harmonizuar dhe ai nuk është ndërtuar për poste. Nuk ka rëndësi se kush do të jetë bartës i ligjit. NISMA është e interesuar që projekti të dalë fitues sepse nuk e sheh projekt të ndarë por të përbashkët dhe të fitores. Për këtë çështje janë në bisedime grupet punuese të partive që kanë për obligim t’i trajtojnë të gjitha çështjet.
Ndarja e posteve nuk do të jetë në asnjë mënyrë pengesë për bashkëpunimin ndërmjet AAK-së dhe NISMA-s.
NISMA ka refuzuar të gjitha ofertat e PDK-së dhe LDK-së për të hyrë në qeveri me këto dy parti sepse beson në ndryshim.
Në vazhdimësi po kritikoni koalicionin qeverisës PDK-LDK. Çfarë do të ndryshoni ju si parti nëse vini në pushtet? Pse qytetarët me ju dhënë besimin juve?
Jam i bindur se projekti AAK – NISMA është koalicion fitues i zgjedhjeve. Që nga nënshkrimi i koalicionit parazgjedhor i kanë hy dridhjet PDK-së dhe LDK-së. AAK dhe NISMA kanë në gjirin e saj njerëz me kapacitete të dëshmuara shtetformuese me një becakgraund jashtëzakonisht të pasur.
A kanë ndërtuar AAK e NISMA një program qeverisës? Nëse po, cilat do të jenë temat kryesore që do të fokusohen nëse marrin pushtetin?
Vendi ka nevojë për zbatim të ligjit. Çdo qeveri e ka për obligim të krijoi një sistem të drejtësisë funksional ku të gjithë qytetarët duhet të jenë të barabartë para ligjit. Është nevojë që Kosova me partnerët ndërkombëtarë të shikoj pozicionin e vet, dukepërfshirë edhe bisedimet me Serbinë, jo duke i ndërprerë, jo duke nxjerrë gjoksin para partnerëve ndërkombëtarë dhe jo duke e krrusur kurrizin, por duke krijuar një partneritet të gjërë mbi baza të shëndosha, duke e marrë përgjegjësinë si shtetformues, e jo që bisedimet t’i drejtoj Nikoliqi.
Pika tjetër që garanton AAK dhe NISMA është fyrmëmarrja e demokracisë. Nuk ka sistem të demokracisë në vend. Monopolet janë duke e ngulfatur çdo ditë këtë vend, prandaj me ardhjen në pushtet të AAK-së dhe NISMA-s do të vendoset një sistem funsional i drejtësisë, partneriteti dhe interesat e Kosovës karshi Serbisë por edhe në raport me ndërkombëtarët do të jenë brenda kushtetutës dhe të udhëhequr nga njerëz kompetent dhe do i sjellin avancime vendit.
Poashtu, do të ndryshon çështja sociale në vend dhe kjo bëhet duke futur në zbatim ligjet. Nuk guxojmë të heqim dorë as nga siguria në vend sepse është e lënduar. Mekanizmat e sigurisë në Kosovë janë tërësisht të varur nga të tjerët, andaj duhet të ketë një vëmendje të veçantë dhe nuk mund të vazhdoj loja do të bëhet ose jo ushtria e Kosovës. Duhet të shikohet niveli i kapaciteteve të sigurisë dhe të forcohen institucionet e brendshme, sistemi i drejtësisë, marrëdhëniet në raport me ndërkombëtarët dhe një zhvillim ekonomik me mundësi të barabarta për të gjithë dhe jo i monopolist.
Gjatë gjithë kohës po thoni se qeveria aktuale duhet të ec në shtëpi, sepse ka keqqeverisur me vendin. A jeni të gatshëm që pas zgjedhjeve të hyni në bashkëqeverisje me PDK-në apo LDK-në?
Duke parë degradimin e kësaj qeverie si në bisedimet me Serbinë, si me qeverisjen e vendit, funskionalitetin e institucioneve të vendit, si Kuvendin apo institucioneve tjera shtetërore, boshti opozitar do të punojë shumë që vendi të shkoj në zgjedhje të parakohshme dhe më pas të fitojë zgjedhjet. Por, nëse ndodh që qytetari i Kosovës nuk i sheh gabimet që i ka bërë Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa dhe prapë i voton PDK-në dhe LDK-në, atëherë duhet pranuar vullneti i qytetarëve. Si parti politike do t’i shikojmë rrethanat pas zgjedhjeve dhe do ta marrim vendimin që është në të mirë të vendit.
Ta qartësojmë për opinionin, po e përjashtoni apo jo një koalicion të mundshëm pas zgjedhor me PDK-në ose LDK-në?
As nuk po e përjashtoj, as nuk po e deklaroj, por AAK dhe NISMA po punojnë fuqishëm që të dalin fitues të zgjedhjeve të reja sepse kjo është në interes të qytetarëve të vendit.
Krejt, për fund si po shkon procesi zgjedhor i brendshëm në NISMA, sa ka hapësirë për figura të reja?
NISMA ka hapur zgjedhjet e brendshme. Rinia e NISMA-s për Kosovën i ka përfundu zgjedhjet e brendshme. Brenda dy ditësh pritet të mbahet edhe Kuvendi zgjedhor i gruas. Ka interesim nga njerëzit për të marrë përgjegjësi, është një proces krejtësisht një process normal. Të gjitha pozitat në parti janë të hapura nga pozita e kryetarit e deri te nëndegët, njerëzit mund të konkurojnë në bazë të vullnetit të tyre.
Në fund të qershorit do të mbahet Konventa e partisë ku edhe do të zgjedhen organet drejtuese të partisë.
Kurse, sa i përket çështjes se ku qëndron për nga fuqia e elektoratit NISMA dy vjet pas themelimit, me shumë përgjegjësi mund të them se NISMA është dyfishuar në vota, çdo ditë po rritet dhe po hapet për njerëz të rinjë.
NISMA i bën thirrje qytetarëve që të shfrytëzojnë këtë subjekt të ri politik, si mundësi e re për të dhënë kontribut në shtetndërtim, në zhvillim, në mirëqenien e tyre, individuale, shoqërore dhe përgjithësi në vend. /tesheshi.com/