Në kulmin e një krize politike që nga opozita është ngjizur me të ashtuquajturën “Dosje 339”, kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako, personazh kryesor i saj, u thirr në Prokurorinë e Krimeve të Rënda ku dha shpjegime për rreth katër orë.
Kjo është hera e parë që ai thirret nga hetuesit për t’u pyetur mbi një vandak përgjimesh në rreth 700 CD, ku ai del të ketë komunikuar me Avdulajt e Shijakut, të arrestuar muaj më parë për një tjetër dosje, atë “Vol-vo”.
Një bisedë mes Dakos dhe Avni Avdulajt është përkthyer nga opozita si afirmim i faktit se krimi ka blerë vota, ndonëse nuk nuk thuhet literalisht në asnjë rresht të fjalive mes tyre.
Dako nuk e ka mohuar faktin se në kuadër të fushatës elektorale ka bashkëpunuar me shumëkënd, përfshirë dhe Avdulajt që sipas tij në atë kohë kur ka ndodhur komunikimi kanë qenë pa implikime penale. Por Dako mohon që biseda mes tyre të ketë qenë për shit-blerje votash. Sipas tij, ajo ka qenë thjesht falenderuese për angazhim në fushatë, diçka që për të përbën një praktikë të zakonshme ç’prej kur është angazhuar në zgjedhje. /tesheshi.com/