Nga Armand Bora
Në njërën nga intervistat e tij, shkrimtari brazilian Paulo Coelho shpjegon se “…të gjithë personazhet e mi (…) janë pasqyrat e mia. Unë jam dikush që vazhdimisht përpiqet të kuptojë vendin e tij në botë dhe se letërsia është mënyra më e mirë që kam gjetur ku mund të shikoj veten.” Ky shpjegim i Coelho bëhet i rëndësishëm nëse përpiqesh të kuptosh raportin që vendos shkrimtari midis letërsisë dhe së vërtetës. Ka nga ata, që zgjedhin të fshihen, të paraqiten ndryshe, jo ashtu si janë, por ashtu si do të dëshironin të ishin në sytë e lexuesit. Ka të tjerëve, që jo vetëm nuk i tremben zbulimit dhe lakuriqësisë përpara lexuesit, por janë edhe të shqetësuar dhe plot ankth nga frika e një moskuptimi. Kim Mehmeti është njëri nga këta.
Në prozën e shkurtër të Kim Mehmetit gjen tregime ku rrëfimi i personazhit përziehet herë pas here me shqetësimin e autorit për t’u marrë vesh e për t’u kuptuar me lexuesin që në krye të herës. Për t’i shpjeguar atij mënyrën se si shkruan deri edhe për ta këshilluar se si duhet lexuar proza e tij. “Sepse proza e Kim Mehmetit duhet lexuar ndryshe nga ajo e traditës klasike realiste”, do këshillonte kritiku dhe studjuesi Ali Aliu.
Çfarë e bën të veçantë dhe të ndryshme prozën e Kim Mehmetit ndërkohë që rrëfimi i tij është i thjeshtë, i lehtë dhe i qartë? Çfarë e bën Kim Mehmetin që të kërkoj me shumë ngulm besimin e lexuesit? Mjafton që të lexosh disa nga tregimet e përmbledhjes “Në xhepin e jelekut të gjyshes” ose “Shtëpia në fund të fshatit” për të kuptuar se pse proza e tij është e ndryshme dhe se pse shkrimtari, në çdo çast është i kujdesshëm ndaj lexuesit. Tek sa lexon prozën e Kim Mehmetit ndjen se nuk je i vetëm, ndjen se autori është aty duke të udhëhequr, duke të shoqëruar i bërë njësh me ty dhe me kërshërinë tënde si lexues.
Rresht pas rreshti e faqe pas faqeje shkrimtari fillon dhe zbulon frikën e tij përpara syve të lexuesit. “ Andaj, shkruan ai, tani kur jam duke bërë gati shtratin nga do të rrjedhë rrëfimi që dua ta lexoni, përderisa qëndroj i trishtuar pranë lumit të ngjarjeve dhe përjetimeve që dua t’ua rrëfej, ndihem si ai që trishtueshëm pëballet me shtrëngatën mes të cilës është gjetur papritur dhe që ngushëllohet vetëme me atë që askush nuk është dëshmitar i frikës së tij”.
Të vërtetat dhe pohimet që bëjnë personazhet e tij janë të vërteta të vështira për t’u pranuar lehtësisht. Rrëfimi i nënës mbi atësinë e fëmijës është një pohim sa i dhimbshëm po aq edhe i guximshëm për shoqërinë shqiptare. “Njërin nga ata e ndëshkova, rrëfehet ajo, e kam bërë t’i gëzohet fëmijës që nuk është i tij, djalin që e ngjiza me atë që ma donte zemra”. Tradhëtitë, pabesitë, dyshimet, xhelozitë, shprishjet dhe mjerimi moral janë zbulesat e shëmtuara të lakuriqësisë së shoqërisë janë dëshmi e qëllimit, të Kim Mehmetit, për të mbetur ”asketisht fanatik i zërit të vet. Si njeri totalisht i lirë dhe me një programim të vet të brendshëm”. Në vetëdijen e Kim Mehmetit, Ballkani ekziston si “fytyra e pazbukuruar e evropës”. Kjo mënyrë të pari të nxit të mendosh se edhe personazhet, bashkëfshatarë të tij nuk janë gjë tjetër vetëm se një pëpjekje për të projektuar në letërsi fytyrën e vërtetë dhe të pazbukuruar të shqiptarit.
E gjithë proza tregimtare e Mehmetit rrjedh nga dy burime të ndryshme duke u zhvilluar, më pastaj, po në dy shtrate të ndryshme. Burimin e parë e gjejmë ndën vatrat e kujtesës së tij emocionale të përthyer filtrave të përjetimit fëminor. Janë këto vatrat nga ku burojnë personazhe, histori, tronditje, bëma dhe gjëma të ndodhura fshatit të tij. Lëndën nga ky lloj burimi Kim Mehmeti e ka përdorur në tregimet “Në xhepin e jelekut të gjyshe”, “Shtëpia në fund të fshatit”, apo “Oda e burrave”. Prej burimit të dytë rrjedh një prozë e cila për nga forma e rrëfimit dhe teknikat narrative mund ta konsiderojmë si produkt i një imagjinate dhe fantazie të pastër të autorit ku pjesë e saj bëhen ëndërrat, magjitë, një botë mistike, irreale dhe e pashpjegueshme. Kjo është atmosfera që vjen prej tregimit “Dasmë në Stamboll”, “Pronarja e ëndrrave”, “Peshku ekstazis, “Lulehëna” etj.
Dy vektorë të tjerë, Koha dhe Hapësira, i gjejmë, në prozën e Kim Mehmetit, të zhvillohen ndryshe nga njëri tjetri. Me atë lehtësi dhe mjeshtëri që i ndan dhe i bashkon duke i shkrirë në një të vetëm shtratin e realitetit konkret me atë imagjinar me po të njëjtën lehtësi shkrimtari zotëron dhe drejton kohën dhe hapësirën në tregimet e tij. Kalërimi mbi kategorinë e kohës vjen si një bredhje sa para prapa, sa këtej aq edhe përtej kohës duke e drejtuar lexuesin në një pikë ku koha e humbet sensin e saj kronologjik.
Historitë dhe personazhet e mbivendosura në kohë e bëjnë prozën e tij një prozë të pakohëshme dhe si rrjedhojë edhe të gjithkohëshme. Ndryshe ndodh me hapësirën gjeografike në tregimet e tij ku skena dhe dekori i pjesës më të madhe të tyre është fshati i tij. Një fshat i ndërtuar si një botë e plotë e mbyllur e padëshiruar për të pritur apo për të nxjerr gjësendi a gjëkafsh jashtë saj. Një fshat i përhumbur në ajrin e të cilit duket se noton mistershëm një mallkim.
Nga ana tjetër, një fshat i vizatuar dhe përshkruar kaq imtësish sa ndjen brenda teje besimin se po të nisesh dhe ta kërkosh do ta gjesh atje majë kodrës si një pikturë post-impresioniste. Në qendër të sheshit pranë xhamisë tri pemë të qëmotshme, pak më larg një pjesë nga çatia e shtëpisë së braktisur të magjistares Fatkë mbuluar nga kullesa e gjelbër, më tutje, në fund të fshatit, gati si një njollë shtëpia e mallkuar nga ku fshatarët e shmangin rrugën si kur shkojnë nën rrezet e verdha të diellit të mesditës ashtu edhe kur shkojnë nën dritën e ftohtë dhe të bardhë të hënës së plotë. Peisazhe të përshkruar me ngjyra të forta dhe të pastra që të sjellin në kujtesë tablotë “Fshati i kuq”, “Shtëpitë në muzg” apo “Natë me yje” të piktorit hollandez, Vincent van Gogh.
Si përfundim, proza e shkurtër e Kim Mehmetit, mbetet një udhërrëfyese e mirë për këdo që do përpiqet të njohë dhe kuptojë tokën dhe njerëzit e tij. /tesheshi.com/