Nga Muhamet Selmani*
Maturantët, ridimensionimi i kuptimit të festës së maturimit si eveniment solemn i sukseseve dhe arritjeve të tyre në edukim, dituri dhe arsimim dhe jo spektakël i dalë jashtë integritetit edukativo-moral shkollor, ky është qëllimi i këtij shkrimi.
“Të lindur qofshi për të kërkuar virtyte e dituri”, thoshte Aligeri.
“Prej ç’farë jeni s’duhet të harroni: ku s’keni lindë sa me ngrënë si shtazë, po që virtyt e dituri t’i doni”, do thoshte Uliksi.
Si (nuk) duhet të jetë Mbrëmja e Maturës
Matura presupozon festimin e dijes, pra maturimit në formim. Diplomimi i maturantëve është përfundimi simbolik i një periudhe studimesh. Maturantët shënojnë solemnisht sukseset dhe arritjet e tyre disavjeçare në arsimim dhe që kulmon me ceremoninë e maturës. Evenimenti i matures, ose ndryshe Mbrëmja e Maturës, kthyer në një festë adoleshente, duhet të jetë një ngjarje solemne që vjen si kurorëzim i përpjekjeve të nxënësve për shumë vite në rrugën e dijes dhe formimit.
Si për nxënësit por edhe mësuesit e prindërit është një arsye për t’iu gëzuar finalizimit të arritjeve dhe suksesit në dituri. Mirëpo evenimenti i maturës nga viti në vit, mënyra e të festuarit të tij, po del jshtë kontekstit duke u shndërruar si një spektakël dhe ndoshta ky veprim i pavetëdijshëm tregon për mosnjohjen e esencës së ceremonisë dhe që deformon ndërgjegjen tonë.
Ky brez i prirur nga imitimi bënë çudira pozitivisht dhe negativisht, duke deformuar në një ditë të gjithë formimin e marrrë ndër vite, me shndërrimin e yjeve të diturisë në tendencë për t’íu përgjasuar yjeve të modës dhe spektaklit.
Në mbrëmjen e maturës vajza të veshura dhe të zhveshura me fustane nusërie dhe djem me kostume maturanti bëjnë një shëtitje në çift. Nga ky moment ngelesh i shtangur nga mënyra se si maturantët komunikojnë përmes veshjes. Ky komunikim konsensual që shpesh quhet modë është kthyer në sistem, në një kulturë edhe në mbrëmjen e maturës. Pikërisht ky është keqkuptimi më i madh që ndodh kur ne ngatërrojmë uniformën simbolike të maturës me veshjet e modës. Të rejat bëhen njësh me modelet e spektaklit dhe kjo tendencë ngjitet lart deri në arsim. Nga këtu fillon tjetërsimi i këtij eventi: nga eveniment i diturisë në spektakël mode dhe realisht janë shfaqje që bien ndesh me normat kulturore të popullit shqiptar.
Një mënyrë e tillë ideografie cenon inegritetin shkollor. Edukimi shkollor po rivalizohet nga mendjelehtësia, sjelljet devijante dhe spektakli. Fuqinë ndikuese të shkollës e ka mrrë tregu zbavitës nën ndikimin e spektaklit. Mbrëmja e maturës është festë e kokës së mbushur jo e trupit të zhveshur. Mbrëmja e maturës është kthyer si një sfilatë mode ku është zbehu pjesa cermoniale, ajo e diplomimit.
Pse Mbrëmja e Maturës duhet të ketë shije kombëtare
Si rregull, në gjysmën e dytë të qershorit në ambientin e shkollës zhvillohet ceremonia e maturës. Fjalime falenderimi të maturantëve me përshtypjet e mësuesve për përpjekje të veçanta të nxënësve dhe fjalë nderuese nga drejtori i shkollës. Një praktikë e mirë do të ishtë që të stimuloheshin nga Bashkitë përkatëse nxënësit shembullorë. Vajzat dhe djemtë vijnë në shkollë duke respektuar kodin e veshjes. Kapelja dhe uniforma që simbolozon diturinë vazhdon të jetë si pjesa më e dlirë/e pastër e integritetit shkollor në ditët tona, sidomos përgjatë evenimenteve shkollore, temave universitare dhe graduimit/përfundimit të mësimeve universitare.
Kapelja dhe veshja e trupit të cilën studentët e diplomuar e vendosin mbi kokë është simbol i uniformës së diturisë dhe lartësisë. Por ajo që ndodh në Shqipëri është huazimi i formave më liberale prendimore si në veshje, sjelljet devijante, lloji i muzikës zhurmuese, pra një degradim mental me plotë antivlera dhe në neglizhencë ndaj vlerave tona kolturore kombëtare. Një imitim i tillë pa filtrim si ki importeve të jashtme ndonjëherë mund të jenë edhe pikë çorientimi. Nëse trupizhveshur është argument civilizimi, atëherë urime kafshëve. Kontribut në këtë krizë po japin edhe disa media televizive duke promovuar prerje dhe kostume që nuk i përshtaten kulturës tonë shqiptare. Ne kemi kostumin tonë kombëtarë, vlerat, traditat tona kombëtare dhe si të tilla duhet t’i ruajmë dhe të mos i zëvendësojmë, pasi zëvendësimi është asgjësim.
Edukim i brezit të ri me frymën e kujdesit ndaj vlerave, virtyteve të trashëguara ndër breza është një sfidë e kohës me qëllim që të mos ndodh që injoranca të errësojë dijen dhe budallallëku mençurinë. Kur nuk do të kemi identitet dhe kur nuk do të kemi rrënjë, nuk do të kemi vetëdije dhe do të jemi të paaftë të mbrojmë të drejtat tona. Kultura jonë është historia jonë, është AND-ja jonë.
Diplomimi në disa vende të botës
Japonia është shembulli i përmbajtjes dhe të përkushtimit ndaj traditës kombëtare. Pa festa të zhurmshme dhe jo argëtim të papërshtatshëm. Alkoli në përgjithësi është i ndaluar në eventet shkollore. Të gjithë maturantët duhet të jenë me një uniformë shkollore, me një kod zyrtar të veshjes. Festojnë duke sjell shijen e tyre kombëtare dhe jo spektakël antivleror me sjellje dëmtuese.
Dinjiteti njerëzor dhe ndërgjegjja morale, përballë konformizmit dhe asimilimit
Dinjiteti është tërësia e vlerave morale. Ndërgjegjja është arbitri i brendshëm i njeriut që ka të bëjë me jetën morale, diturinë, karakterin, botëkuptimin e vlerave. Kush mund të quhet njeri me dinjitet dhe i ndërgjegjshëm? Një njeri që vepron dhe sillet sipas një sistemi vlerash. I pandërgjegjshëm quhet ai njeri që nuk i përfill vlerat dhe parimet, por sipas vendit bën kuvendin duke u konformuar. Konformizmi del si pengesë për të bërë zgjedhjet tona qoftë edhe kundër rrymës. Individi heq dorë nga personaliteti i tij që të bëhet i pranuar nga shoqëria dhe i dominuar nga konformizmi. Gjithmonë peshku i ngordhur shkon me rrymën. Jo çdo herë shumica është kriter i së vërtetës nga e cila konformohemi dhe del si një formë imponimi të ndërgjegjes.
Shkalla e gjykimit moral sipas Lawrence Kohlberg shpjegon se rregullat morale dhe vlerat janë pikësynimi i arsimit dhe arsimi luan një rol të rëndësishëm në gjenerimin e vlerave. Ndaj detyra e arsimit është përgatitja e nxënësve si qytetarë të mirë me vlera dhe virtyte. Një arsim i mirë duhet të gjejë balancën e duhur në edukimin e këtyre vlerave. Kemi nevojë të ndryshojmë qasjen tonë ndaj dijes, dije-virtyte.
Janë rreziqe për virtytin njerëzor kënaqësia pa ndërgjegje dhe dituria pa karakter.
Zhvillimi i mendjes është i rëndësishëm, por zhvillimi i ndërgjegjës është dhurata më e çmuar.
Inteligjenca dhe karakteri, ky është qëllimi i edukimit.
Mos e bën karakterin tënd si një rrugë që shkel gjithkush, por si yjet që s’mund t’i arrijë çdokush.
Keqkuptimi i lirisë, mendo mbi semaforin
Ka ndryshim të madh mes atij që i kupton normat morale si kufizim të lirisë dhe atij që i kupton si siguri për jetën. Normat morale dhe sjellja e disiplinuar janë si sinjalistika rrugore pa zbatimin e së cilës do të krijohej një kaos i madh me pasoja dëmtuese. A mund të kemi liri pa kufi në qarkullimin rrugor? Sigurisht që jo sepse mos respektimi i sinjalistikës rrugore të rrezikon jetën, e njëjta edhe mos respektimi i normave dhe parimeve morale të rrezikohet jeta. Parimet dhe normat e ruajnë shoqërinë njerëzore nga shkatërrimi. Kush del jashtë normave morale natyrshëm ka dëmtuar vetveten. Problemi me adoloshentët është se ata nuk mendojnë për pasojat e sjelljeve jonormale, ndaj dhe kami lajme për aksidente në natën e festës së maturës, përgjithësisht nga dehja me alkool.
Çdo sjellje e cila përbën rrezik për mirëqenien është e papranueshme dhe toleranca ndaj saj rezulton jo rrallë herë me dëme dhe rreziqe të pallogaritshme.
Dallimi i së drejtës nga e gabuara është e domosdoshme dhe është ajo që bazohet në parime universale si integriteti, ndershmëria, drejtësia, cdinjiteti, mirësia. Maturantët janë si uji i pastër dhe si të tillë duhet të ruhen duke mos u ndotur nga sjelljet toksike dhe devijante me pasoja të dëmshme që vijnë mbrapa.
“Mund të mos jemi përgjegjës për situatën në të cilën ndodhemi, por do të jemi në qoftë se nuk bëjmë asgjë për ta ndryshuar”, thotë Martin Luther King, shkurt por të bën të mendosh gjatë.
Përgjegjësia prindërore, emergjente
Ngritja e përgjegjshmërisë prindërore për rolin e madh që kanë ndaj fëmijëve të tyre është emergjente dhe thelbësore. Mpirja psiqike, pavëmendja dhe toleranca e tepruar neglizhuese ndaj fëmijëve, mungesa e dhënies formë, bëjnë që forma të jetë mungesa e formës. Prindërit në një pjesë të mirë i kanë lënë fëmijët të lirë, disa nga pamundësia e disa nga mendësia se duke i lënë të lirë do ta kuptojnë vetë jetën. Prindërit janë në dilemë të madhe sot se ku mbaron ajo që duhet t’i ndalojmë dhe ajo që duhet t’u lejojmë fëmijëve.
Në aktivitete të tilla shpesh cenohen parimet etike, pihet alkool dhe nuk tregohet shumë kujdes. Nuk është në qendër të vëmendjes kultura por instiktet, argëtimi pa kufi, pa limite.
Tregon pronari një lokali të një nga qytetet e Shqipërisë për rastin e një nëne e cila vjen në 12 të natës për të marrë vajzën e saj që të mos e lërë në atë banalitet që zhvillohej, por vetëm një prind e bëri këtë dhe asnjë tjetër.
Mbrëmja e matures, banaliteti që cënon shenjtërinë e shkollës ku në emër të festës dhe argëtimi pjesëmarrësit normalizojnë marrdhëniet deri aty sa që asgjesojnë intimen dhe individët kontrollohen nëpërmjet ndjenjave të kënaqësisë duke pëlqyer të dorëzojnë lirinë me dëshirë ku njeriu kërkon skllaverinë e vetës. Në këtë kontekst mund të themi se në festa të tilla ndërgjegja nuk ekziston më, pasi festa të tilla korruptojnë rëndë moralin e të rinjve dhe të rejave.
Si mund të ketë prindër që të lënë krijesën e tyre më të dashur në ambjente të tilla toksike?!
Asgjë në këtë botë nuk është më e rrezikshme se injoranca e sinqertë dhe marrëzia e ndërgjegjshme.
Ndaj duhet t’u kthehen vlerat këtyre momenteve solemne, ku argëtimi të mos kompromentojë të virtytshmen, pasi ceramonia e maturës është me karakter vleror.
Për fund
Sigurisht që sot jemi dëshmitarë të përparimit shkencor, teknik dhe ekonomik, por a nuk po përjetojmë aktualisht dhe një rënie të vazhdueshme intelektuale, morale dhe emocionale?! Neil Postman, një sociolog dhe kritik i kulturës bashkëkohore, i cili ndër të tjera thotë: “Kur një popull i tërë vëmendjen e ka tek banaliteti, ky populli shndërrohet në një tragjikomedi kombëtare, atëherë mund të themi se një komb i tërë është në rrezik; vdekja kulturore e tij bëhet e mundshme”.
Kurse një mendimtar tjetër thotë:
“Shikoni njerëzit që shoqëria i vlerëson dhe ju më pas e dini trendin civilizues mbizotërues në atë shoqëri dhe fatin e saj” – Dr. A. Uerdi
Tre nivelet e qenies njerëzore sipas babait të sociologjisë Ibn Halduni:
– Niveli instiktiv
– Niveli racional
– Niveli intelektual
Mungesa e të menduarit intelektual dhe të argëtimit racional ia lë vendin operimit sipas instiktit e ky është një tregues i fazës së avancuar të degadencës. Në shoqërinë e sotme në sy nuk bie mençuria, maturia, ndershmëria apo normaliteti, por idiotësia, paturpësia, anormaliteti. Gjëja më e zgjur në jetë është përpjekja për të qenë një person me moral; parësore është ruajtja e tipareve identitare, mostjetërsimi dhe qëndrueshmëria mbi parimet me të cilat jemi edukuar në bankat e shkollës.
Zonja e famshme angleze Edih Durhami, në gjysmën e parë të shekullit të 20-të do të thoshte:
“Degradimi i racës njerëzore rrezikohet më tepër nga ‘toleranca’, se sa nga vetëpërmbajtja që duhet të karakterizojë njeriun e kulturuar. Zot na ruaj nga paralelizmi i përparimit teknologjik me degradimin moral të njeriut, gjë që do sjellë edhe ndëshkimin e fundit”.
*Mësues në Kala e Dodës, Dibër, Msc. Shkenca Sociale