Intervistoi: Shkëlzen Rrecaj
Shpeshherë është vënë në pikëpyetje cilësia e ushqimit që konsumojmë në tryezat tona. E gjithë kjo nga importi i madh që po rritet dita ditës dhe mungesës së prodhimit vendor. Në markete disa herë qytetarët kanë gjetur ushqime të prishura, me skadim të afatit të prodhimit, dhe shumë herë është thënë që disa ushqime të importuara janë edhe të rrezikshme për konsum.
Këtë e hedh poshtë kreu i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë në Kosovë, z. Valdet Gjinovci, i cili në intervistën për portalin tesheshi.com ka thënë se të gjitha produktet të cilat kontrollohen dhe certifikohen nga AUV, janë produkte të sigurta dhe lejohet të përdoren për konsum nga ana e qytetarëve të vendit.
Dhe kjo sipas Gjinovcit vlen dhe për produktet që vijnë nga Serbia.
Gjinovci, një ndër prioritetet e AUV-it mbetet mbrojtja e shëndetit të njerëzve. Çfarë masash AUV-i ndërmerr në këtë drejtim?
E para ajo çka duhet të përmendet është se Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, si autoritet kompetent për kontrollin e sigurisë së ushqimit në nivel vendi, ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme sa i përket mbrojtjes së shëndetit publik përmes kontrollit të produkteve ushqimore, qoftë atyre të cilat prodhohen nga ana e prodhuesve vendorë, ashtu dhe produkteve ushqimore të cilat importohen. Në kuadër të kësaj, lirisht mund të them se të gjitha ato i nënshtrohen një kontrolli të rreptë, duke filluar që nga origjina e tyre përfshirë edhe kontrollin e dokumentacionit. Shpeshherë për rastet e dyshimta merren lloje të ndryshme të mostrave për analiza laboratorike për të vërtetuar saktësinë apo për të vërtetuar sigurinë e këtyre produkteve ushqimore, të cilat sillen për furnizim tek konsumatorët tanë. Por, ajo çka është e rëndësishme për ne si autoritet është se me kohë ndërmarrim veprime të cilat janë konform ligjit të ushqimit me të vetmin qëllim, atë të mbrojtjes së shëndetit publik dhe ofrimit të produkteve të sigurta për konsumatorët dhe qytetarët e vendit pa dallim etnie.
Në marketet tona janë të pranishme produkte ushqimore të importuara nga shumë vende të botës. Sa janë të sigurta dhe sa kontrollohen ushqimet që i konsumojmë në tryezat tona?
Të gjitha produktet ushqimore të cilat gjenden në tregun tonë, e përmenda më herët si ato që importohen ashtu dhe ato të prodhuesve vendorë, janë të certifikuara. Për këto konsideroj dhe lirisht mund të them se janë produkte të sigurta, të cilat ofrojnë standarde të sigurisë së prodhimeve të tyre. Prandaj, në kuadër të kësaj lejohet që ato të përdoren për konsum nga ana e qytetarëve të vendit.
Nuk është vetëm masa e kontrollit e cila realizohet nga ana jonë, në këtë rast nga AUV-i, që duhet respektuar. Në këto raste ne japim garanci sa i përket këtyre produkteve. Mirëpo janë edhe vetë operatorët e biznesit dhe pikat e shitjes ato të cilat duhet ta respektojnë mirë trajtimin e këtyre produkteve ashtu siç duhet dhe ashtu siç kërkohet, për arsye se në disa raste ndoshta për shkak të problemeve teknike, të cilat manifestohen tek operatorët e biznesit një farë forme e komprometojnë vetë produktin. Edhe unë besoj që operatorët e biznesit dhe pikat e shitjes nuk janë të interesuara që në mënyrë të vetëdijshme të komprometojnë produktet ushqimore të cilat u ofrohen konsumatorëve, qofshin ato të importuara, në veçanti produktet ushqimore, qofshin vendore. Kështu që ky është një zinxhir i cili duhet respektuar. Pra, agjencia e kryen kontrollin dhe certifikon ato sa i përket sigurisë së tyre, mirëpo edhe operatorët e biznesit, përfshirë këtu vetë pikat tregtare – pikat e shitjes, duhet ta trajtojnë mirë produktin apo të respektojnë kriteret të cilat vetë produkti i kërkon për trajtim të mirë që i bie plotësimin e standardeve të ruajtjes së tyre.
Në tregun e Kosovës janë shfaqur dyshime për produktet që importohen nga Serbia apo edhe nga vende të tjera. A kontrollohen këto produkte?
Sa i përket dyshimit të cilësisë së produkteve, të cilat importohen nga Serbia apo nga vendet e tjera të rajonit, ne gjithmonë kemi ndërmarrë veprime të kontrollit e në veçanti kur kemi raste të dyshimta. E rëndësishme të përmendet është se Agjencia e Ushqimit ka një bashkëpunim të mirë me Komisionin Evropian kur kemi të bëjmë me rastet e dyshimta apo në rastet kur kemi të bëjmë me produkte të cilat nuk i plotësojnë kriteret e sigurisë së përdorimit të tyre. Kështu ne njoftohemi përmes sistemit të alertit apo sistemit të informimit nga ana e KE-së, për artikuj të caktuar, p.sh që ky artikull nuk lejohet të përdoret për arsye të prezencës së materieve të padëshiruara apo për shkak të rrezikut potencial që ai mund ta ketë. Në këto raste ndërmerren veprime konkrete. Në kuadër të kësaj respektohen edhe masat e kontrollit apo masat e monitorimit, bazuar edhe në analizat e riskut (rrezikut) që shpeshherë ndërmerren veprime konkrete në marrjen e mostrave dhe dërgimit të tyre për analiza laboratorike që vërtetojnë sigurinë e këtyre produkteve apo edhe për prezencën e materieve të padëshiruara. Në këtë mënyrë agjencia jonë ndërmerr veprime konkrete në parandalimin dhe futjen e produkteve të dyshimta në vendin tonë. Fatmirësisht ne nuk kemi raste të dyshimta. Kështu që lirisht mund të them të gjitha ato produkte të cilat kontrollohen dhe certifikohen nga AUV-i, janë produkte të cilat plotësojnë kriteret e sigurisë dhe janë të sigurta për përdorim.
Kur jemi te importi i mallrave, a keni në pikat kufitare laboratorë për kontrollin e produkteve ushqimore dhe bujqësore që hyjnë në Kosovë?
Ne nuk kemi laborator mobil, por kemi inspektor që janë mirë të përgatitur, të trajnuar dhe në këtë formë realizojmë edhe kontrollin e produkteve të importuara. Ne zakonisht, përveç dokumentacionit i cili kontrollohet nga ana e vetë inspektorëve tonë, shpeshherë realizohet edhe kontrollin organo-optik nëse vërejmë ndonjë dyshim. Kështu ne reagojmë shpejt dhe parandalojmë importin e produkteve të dyshimta. Në kuadër të kësaj inspektorët ndërmarrin edhe veprime konkrete në marrjen e këtyre produkteve apo marrjen e mostrave të produkteve ushqimore dhe dërgimin e tyre për analizë laboratorike. Jo vetëm produktet me origjinë bimore apo shtazore, por të gjitha produktet iu nënshtrohen kontrollit të detajuar nga ana e inspektorëve tonë të pranishëm në fushën përkatëse. Edhe atëherë kur dyshojmë për sëmundje të ndryshme, p.sh. tek bimët, çdo herë marrim veprime në bllokimin e tyre, dërgimin e tyre për analiza laboratorike dhe presim deri në certifikimin nga ana e laboratorëve përkatës, p.sh. në Institutin Bujqësor, ku bëhet edhe përcaktimi i drejtë, i saktë dhe në fund bëhet certifikimi i produkteve bimore që lejohet qoftë për mbjellje apo edhe produkte të ndryshme të cilat mund të lejohen edhe për riprodhim.
Në anën tjetër, ka një rritje të prodhimeve vendore, përfshirë këtu edhe ato bujqësore. Sa kontrollohen ato dhe ç’mendim keni për cilësinë e tyre?
Nëse bëjmë një kronologji të gjendjes dhe zhvillimeve të cilat kanë ndodhur në Kosovë, e në veçanti situatën socio-ekonomike e cila mbretëron në vendin tonë, lirisht mund të themi se rritja e prodhimtarisë vendore ka shënuar rezultate dhe suksese të mira, e që është për lakmi. Në përgjithësi, nga vizitat tona që i realizojmë në terren , jemi dëshmitar të asaj se prodhimtaria vendore dita-ditës është duke u rritur, është duke u shtuar prodhimtaria blegtorale, qoftë shtimi i fermave, e në veçanti ka shënuar një rritje të konsiderueshme kultivimi i kulturave të ndryshme bujqësore, frutave dhe perime, që është një sukses i madh falë edhe mbështetjes e cila u është ofruar përmes granteve nga MBPZHR-ja, por edhe nga ana e KE-së. Nëse e marrim industrinë e përpunimit të qumështit që është tani dhe e krahasojmë atë me vitet e mëhershme, lirisht mund të them që jemi model në rajon sa i përket zhvillimit të suksesshëm dhe zhvillimit të shpejtë të këtij sektori.
Kjo është arritur në sajë të një bashkëpunimi institucional si me Ministrin e Bujqësisë, mirëpo, edhe mbështetjes së vazhdueshme nga ana e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë në drejtim të ofrimit të këshillave profesionale sa i përket praktikave të mira higjienike apo praktikave të mira të prodhimit. Në kuadër të kësaj mund të them që ne e mbështesim sektorin e qumështit. Fjala vjen analizat që qumështarët tanë i bëjnë për cilësinë e qumështit në AUV, kryhen pa pagesë. Në një farë forme mund ta konsideroj si subvencion apo si mbështetje për prodhuesit e vendit tonë.
E njëjtë është edhe tek prodhimtaria bimore – tek kultivuesit e fruta-perimeve. As këtu nuk mungon mbështetja nga ana e stafit apo ekspertëve të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë në dhënien e këshillave profesionale si dhe në drejtim të parandalimit shfaqjeve të sëmundjeve të ndryshme përmes kontrollit. Kështu që lirisht mund të themi që prodhimtaria vendore, përfshirë prodhimtarinë blegtorale dhe atë bimore, ka avancuar në drejtim të duhur dhe mund ta konsideroj si storie suksesi të zhvillimit në vendin tonë. çdo herë duke pasur parasysh edhe kushtet apo gjendjen socio-ekonomike e cila mbretëron tek ne.
Sa i përket cilësisë së tyre, mund të them se janë të krahasueshme edhe me produktet të cilat vijnë nga importi. Ne jemi dëshmitarë të asaj që janë produkte konkurrente sa i përket dizajnit, sigurisë dhe cilësisë së tyre dhe dita-ditës janë duke u bërë të pëlqyeshme dhe të përdorshme edhe nga ana e vetë konsumatorëve.
Cili është bashkëpunimi juaj me këta prodhues dhe a keni kapacitete që t’u bëni ballë kërkesave të tyre?
Bashkëpunimi i AUV-it, me prodhuesit dhe përpunuesit është i një niveli të kënaqshëm. Shpeshherë organizohen edhe takime dhe biseda sa i përket problemeve të cilat ata mund t’i kenë, p.sh qoftë te prodhimtaria blegtorale apo edhe tek problemet e ndryshme të cilat mund të paraqiten edhe te kulturat bimore. AUV-i ofron këshilla profesionale ashtu që ata të ndërmarrin veprimet e duhura me kohë me qëllim që të jenë rentabil, të jenë përfitues dhe të kenë të rezultate ekonomike ashtu siç kërkojnë dhe dëshirojnë në fermat e tyre. Ne mundohemi që gjithherë të jemi në hap me kohën, t’i njoftojmë e ndihmojmë me kohë dhe t’u ofrojmë shërbime cilësore, ashtu siç kërkohet.
A certifikohen produktet “hallall” nga AUV?
Sa i përket certifikimit të produkteve, roli dhe mandati i agjencisë është në certifikimin e sigurisë se produkteve të cilat përdoren. Tani shumë nga prodhuesit dhe përpunuesit e ndryshëm fitojnë certifikata nga shoqata të ndryshme dhe këtu hyjnë edhe certifikatat hallall dhe të tjerat. Mirëpo roli dhe mandati i agjencisë së ushqimit është ofrimi i produkteve të sigurta për konsumatorët dhe qytetarët e vendit. Prandaj ne jemi autoritet përgjegjës dhe kompetent për ofrimin e produkteve të sigurta e jo për certifikata të produkteve qofshin ato hallall apo diçka tjetër.
Çfarë strategjie ka agjencia juaj në parandalimin e sëmundjeve të kafshëve?A po kryhet me rregull vaksinimi i tyre dhe sa janë të interesuar pronarët e kafshëve për t’i vaksinuar ato?
Ajo çka është e rëndësishme, AUV-i në kuadër të mbrojtjes së shëndetit dhe mirëqenies së kafshëve implementon programin e monitorimit të sëmundjeve të ndryshme infektive të cilat mund të jenë të pranishme e në veçanti kur kemi lloje të dyshimeve për prezencën e tyre. Në kuadër të kësaj Agjencia e Ushqimit kryen vaksinimet e rregullta përmes veterinerëve të kontraktuar në të gjitha komunat e vendit tonë. Ata janë përgjegjës të bëjnë monitorimin dhe hulumtimin e prezencave të sëmundjeve të ndryshme. Po në kuadër të kësaj, ne bëjnë zbatimin e programit monitorues, i cili dërgohet nga ana e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, sa i përket shëndetit të kafshëve. Prandaj, sa herë që kërkohet marrja e masave të ndryshme për hulumtimin e prezencës së sëmundjeve infektive apo edhe momente kur kërkohet vaksinimi i tyre, ne zbresim në terren dhe përmes praktikave private, veterinerëve të kontraktuar i kryejmë këto shërbime, të cilat janë falas, përfshirë këtu edhe pjesën veriore. Në këto raste bëhet monitorimi dhe kontrollimi i sëmundjeve të kafshëve qofshin ato të imëta si dele, dhi apo edhe derra, e po ashtu të kafshët e mëdha gjedhët, etj.
Po për numrin e identifikimit unik a janë të obliguar të gjithë mbajtësit e bagëtisë, që të pajisën më këtë numër dhe a matrikulohen të gjitha kafshët?
Sa i përket identifikimit dhe regjistrimit të kafshëve, lirisht mund të them se AUV-i, para se të fillojë identifikimin dhe regjistrimin e banorëve të vendit, ka filluar identifikimin dhe regjistrimin e kafshëve, e që është një e arritur e madhe. Këtu dua të theksoj se të gjithë fermerët e vendit bëjnë identifikimin dhe regjistrimin e kafshëve në fermat e tyre, përfshirë edhe lindjen e kafshëve të reja. Regjistrimi kryhet në kuadër të marrëveshjeve të cilat janë të bëra me veterinerët e vendit tonë. mirëpo edhe vetë fermerët janë të obliguar që të njoftojnë mbi zhvillimet të cilat ndodhin në fermat e tyre qoftë ato lindje të reja, ngordhje, therje, etj. Në këtë drejtim bëhet informimi me kohë, por ajo që është më e rëndësishme se regjistrimi i të gjitha kategorive të kafshëve vendoset në bazën e shënimeve të agjencisë, e cila është një masë mbështetëse për punën tonë. Prandaj, shfrytëzoj rastin t’u bëj apel fermerëve të vendit që në momentin e lindjes të kafshëve të reja ta bëjnë regjistrimin e tyre për arsye se është masë mbështetëse për ta, është në të mirë të fermave të tyre. Kjo për arsye se në momentin që e dimë situatën mbi gjendjen shëndetësore të kafshëve në fermat e tyre në veçanti kur i kanë të identifikuara, e kanë me lehtë t’i shesin, t’i tregtojnë dhe në kuadër të kësaj e kanë më lehtë të identifikohen qoftë produktet që i ofrojnë tek pikat e grumbulluara të qumështit apo të prodhuesit dhe përpunuesit e produkteve ushqimore. Kështu që të gjitha kafshët identifikohen, regjistrohen dhe ato që përdoren matrikulohen dhe në fund vendosen në bazën e shënimeve të agjencisë. Pasi që i gjithë ky shërbim kryhet nga ana e AUV-it dhe është pa pagesë, fermerëve nuk u mbetet gjë tjetër pos që ta njoftojnë veterinerin e afërt apo të kontraktuar ana AUV-i që t’i kryejnë këto shërbime. E mira e së mirës është që të kryhen me kohë, pasi që është në dobinë e tyre si ekonomike ashtu dhe shëndetësore.
A janë unifikuar procedurat e sistemit të menaxhimit dhe standardeve të prodhimeve ushqimore të Kosovës me ato të Shqipërisë dhe se a ka ende barriera të dyanshme në këtë drejtim?
Është e rëndësishme të potencohet se AUV-i me Autoritetin Kombëtar të Ushqimit ka pasur takime dhe vazhdojmë t’i zhvillojmë akoma më shumë. Sa i përket unifikimit të procedurave, të kontrollit, të standardeve të prodhimit ushqimor dhe në kuadër të kësaj produktet ushqimore të cilat certifikohen nga ana autoriteteve përkatëse në këtë rast AUV-it, të cilat shkojnë për eksport në Shqipëri, të gjitha këto dokumente njihen, janë unike, dhe lejohet eksporti i këtyre produkteve e po ashtu lejohet importi nga ana e AKU-së në vendin e tyre. E njëjta veprohet dhe e njëjta masë respektohet edhe nga ana e AUV-it, që të gjitha ato produkte të ushqimit të cilat i certifikon Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në Shqipëri ne e lejojmë importin e tyre.
Kështu që AUV-i nuk krijon barriera të panevojshme dhe të paarsyeshme për produktet ushqimore të cilat prodhohen nga ana e prodhuesve shqiptarë. E njëjta vlen edhe për produktet e prodhuesve kosovarë, të cilat lejohen të importohen pa problem nga ana e autoriteteve shqiptare dhe largimi i barrierave të panevojshme dhe të paarsyeshme nuk ka vend. Po ashtu është në rritje niveli i bashkëpunimit ndërmjet autoriteteve shtetërore, si autoritet kompetente për kontrollin e sigurisë së ushqimit apo produkteve ushqimore qoftë atyre bimore apo shtazore.
Për fund, cila do të ishte porosia juaj drejtuar prodhuesve dhe konsumatorëve kosovarë?
Mesazhi im drejtuar prodhuesve kosovarë është që t’i plotësojnë kushtet dhe kriteret e sigurisë, t’i avancojnë edhe me tepër aty ku ka vend për t’u bërë dhe kërkohet plotësimi i tyre me qëllim që të jenë konkurrentë me produktet e importuara dhe t’i ngrehin edhe me tepër masat e sigurisë së tyre. Po ashtu që jenë konkurrentë në treg ata duhet t’i kushtojnë rëndësi edhe marketingut dhe dizajnit në mënyrë që sa më mirë t’i prezantojnë produktet e tyre në treg.
Ndërsa konsumatorëve do t’i kërkoja që sa më shumë të konsumojnë produkte vendore të cilat gjithmonë kontrollohen, monitorohen dhe certifikohen nga AUV-i, sa i përket sigurisë së tyre për përdorim. Po e ritheksoj se produktet vendore janë duke u bërë konkurrente të denja atyre të importuara. E them këtë me bindje të plotë sa i përket edhe mesazhit të konsumatorëve vendorë që t’i përdorin këto produkte në masë të konsiderueshme dhe t’u japin prioritet blerjes së tyre në pikat e shitjes. Duke pasur parasysh se industria ushqimore në Kosovë është industri e re, që nga objektet, teknologjia, stafi, etj, megjithatë janë produkte cilësore, të sigurta dhe të cilat dita-ditës janë duke i zëvendësuar edhe produktet të importuara. Kështu që mesazhi im është të konsumojmë prodhimet vendore dhe kështu ta mbështesim prodhimtarinë vendore përmes përdorimit të tyre./tesheshi.com/