Prej ditësh, Lëvizja BESA në Maqedoni ka një kryetar të ri, Afrim Gashin, njëherësh një ndër themeluesit e saj. Është ky pra njeriu të cilit i është besuar ringritja e Besës, sicc është thënë, edhe prej Gashit, pas një viroze të lehtë stinore. BESA, si për ironi, kaloi një periudhë “prerje ne besë” nga brenda, të cilën e pranon dhe kryetari i ri; ama sicc thotë Gashi, kjo është një parti që nuk përflitet as për afera, as për korrupsion, e as abuzitete të natyrave të të tjera të ulëta, karakteristike për të tjera parti.
Dhe Gashin beson se BESA po hap një faqe të re, e cila përkon dhe me stinën e re që po afron…
Bisedoi: Ermir Hoxha
Cili ishte mendimi i parë, apo përjetimi, në çastin kur u konfirmua se ju do jeni kreu i ri Besës?
Po unë nuk jam sot në politikë dhe sfida të këtilla ose të ngjashme kam pasur edhe më parë. Natyrisht, kjo është sfida më e madhe e deritanishme. Sikur të kisha hyrë sot në politikë edhe mund të ekzaltohesha, por duke qenë tashmë katër vjet në politikë aktive dhe në detyra të larta partiake dhe deputet në Kuvend, zgjedhja për Kryetar të Lëvizjes BESA edhe atë në një kongres me mbi 500 delegatë, për mua është një barrë e rëndë dhe përgjegjësi e madhe. Unë ndjehem peng nëse vetëm një njeri më beson, e le më të më shfaqin besimin 500 e më shumë njerëz.
Gjithnjë në jetë kam qenë i sfiduar që besimin që dikush ma ka ofron të mund të jem korrekt me të. Prandaj, pas këtij besimi të madh, që së paku për mua është i tillë, më është rritur ndjenja e përgjegjësisë dhe kujdesit që atë besim ta arsyetoj me punë. Prandaj edhe kur u shpalla kryetar, kjo për mua nuk ishte privilegj, por vetëm përgjegjësi. Unë me prejardhje jam nga Kosova dhe atje e kemi një këshillë të pleqve “Për burrin asnjëherë nuk është vonë me u korit”. Prandaj, e pranoj se kam pranuar një barrë dhe do të mundohem ta arsyetoj besimin e të mos koritem.
Besa shënoi një precedent të rrallë në politikë: një sukses të beftë elektoral në të parat zgjedhje që mori pjesë, e më pas një rënie në zgjedhjet pasuese, gati e pashpjegueshme. Pse?
Unë nuk do të kisha thënën se kemi pasur rënie dramtaike, sepse votat e zgjedhjeve lokale nuk janë të krahasueshme me ato parlamentare, por është evidente se kemi pësuar një rënie të lehtë. Ne i kemi analizuar se ka një sërë faktorësh që kanë ndikuar dhe ato sigurisht do të kihen parasysh në të ardhmen. Politika, veçmas në Ballkan, gjithnjë do të mbetet në luhatje mes nevojës së votuesit dhe misionit të subjektit.
Ishim të suksesshëm kur e luftuam regjimin, por mbase nuk e ditëm ta luajmë më së miri pjesën e dytë të lojës, pas rrëzimit të një pjese të regjimit. Ne zgjodhëm ta mbrojmë misionin – në vend që të jemi pragmatikë, ne ishim misionarë dhe mbase ky është çmimi i zgjedhjeve lokale. Por, e mira e politikës është se nuk ka goditje absolutisht të qëlluara dhe gabime të pariparueshme. Çdo ditë e re sjell mundësi të reja dhe mendoj se gjatë kohës që ka kaluar kemi pasur mundësi të mësojmë shumë dhe kjo përvojë do të jetë e rëndësishme për të ardhmen tonë politike. .
Dhe më pas vjen një ndarje e brendshme që është quajtur dhe një “rrufë që do kalojë”. Jeni i bindur se vërtet ishte veç se një rrufë, e që do të kalojë?
Po, jam i bindur se gripi, sado i rëndë të jetë, kalon. Pranvera sjell shëndet. Ashtu si secili fëmijë që fiton imunitet përmes sëmundjeve në fëmijëri, ashtu mendoj se edhe një subjekt politik e rrit imunitetin politik përmes këtyre turbulencave. Mendoj se Besa ka qenë një organizatë politike shumë heterogjene dhe kjo që ka ndodhur e ka homogjenizuar organizatën dhe besoj se e ardhmja do të jetë e ndritur. Për këtë do t’i kemi test zgjedhjet e ardhshme, kur besoj se do ta dëshmojmë veten se vërtet ky ka qenë një grip ose një virozë dhe se kjo tashmë është një e kaluar e hidhur. Me gjuhë të politikës kjo i bie një përvojë e re, e cila do të na shërbejë në organizimin tonë të mëtejmë politik.
“Ideja vazhdon”…cila ide?
Besa, para se të jetë organizatë politike, ka qenë ide politike. Dhe, ajo ide nënkupton përfaqësimin atipik ose, si e quajmë ne, përfaqësimin autentik të shqiptarëve të Maqedonisë, që nënkupton realizimin e lirisë jo duke ia përshtatur qenien rrethanave, por duke ia përshtatur rrethanat qenies. Sipas nesh, kombi shqiptar, duke qenë heterogjen për shkak ta rrethanave politike e kulturore, ka krijuar edhe tipa të ndryshëm të nacionalizmit, andaj ne duam që përmes Besës ta artikulojmë nacionalizmin tipik shqiptar në Maqedoni, duke i respektuar konstelacionet globale, rajonale dhe shtetërore e duke kërkuar modalitete të reja të realizimit tonë si komb në Maqedoni.
Dimension tjetër është që ne të prodhojmë një subjekt politik autokton, që ngrihet me kapacitete autoktone dhe që ia njeh kombit shqiptar historinë, traditën dhe kulturën dhe, konform tyre, të prodhojë një subjekt politik. Duke qenë një organizatë politike e djathtë, ne nuk mendojmë se duhet të shpikim shqiptar ose të gatuajmë shqiptarë, siç ka synuar padrejtësisht e majta, por ne duhet të krijojmë subjekt politik që i përfaqëson shqiptarët ashtu siç janë ata realisht. Dhe, dimensioni i tretë është autonom, duke menduar se shqiptarët e Maqedonisë duhet të krijojnë një politikë autonome, që e njeh urtinë e popullit “e di luga çka ka vorba”. Nuk mund të lejojmë më që dikush që nuk jeton këtu, që nuk i jeh rrethanat tona, të marrë vendime për shqiptarët e Maqedonisë. E respektojmë secilin, por ne duhet të jemi vendimmarrës, sepse ne e paguajmë çmimin e vendimeve tona.
Në aspekt të artikulimit politik, ne identifikohemi përmes RIDEFINIMIT, që nënkupton korrigjimin e definicioneve të gabuara mbi shtetin e Maqedonisë, duke konsideruar se ky shtet është ndërtuar mbi definicione të padrejta dhe kjo ka prodhuar një asimetri mes shtetit plotësisht njëetnik dhe shoqërisë shumetnike. Intenca e RIDEFINIMIT është korrigjimi i kësaj asimetrie dhe shndërrimi i Maqedonisë në një shtet njëmend multietnik. Kjo është ideja që vazhdon…
Por sfidat e brendshme të Besës janë të mëdha. Të rikrijosh atë profil simpatik të fillimeve, duhet jetë e vështirë. Cili është projekt i juaj për ta rivitalizuar Besën, për ta bërë atë vërtet të “frikshme” e “kërcënuese” për estabilishmetin?
Ai që dëshiron të punojë nuk kërkon 100 arsye se si nuk mund të bëhet një punë, por e kërkon vetëm një arsye se si mund të bëhet një punë. Pesimisti gjen arsye, optimisti gjen mundësi. Ne në kongresin e të dielës hapëm një faqe të re të Besës, duke ofruar një program politik, i cili mbështetet në katër shtylla, siç janë Zhvillimi, Integrimi, Ridefinimi dhe Drejtësia, që mendoj se do të jenë një rrëfim i ri dhe një artikulim i ri politik në skenën politike të etur për ofertë konkrete si kjo. Jam i sigurt se rivitalizimi do të bëhet më shpejt seç e imagjinojnë edhe pesimistët, ashtu që shumë shpejt këndellja do të jetë një fuqi, për të mos thënë një uragan, që synon ta përmbytë varfërinë, krimin, korrupsionin, padrejtësinë dhe izolimin.
Çdo të thotë t’i besosh Besës, edhe kurajo shfaq ndonjë problem shëndeti?
T’i besosh Besës nënkupton para së gjithash të jesh vetë besnik. Ne, edhe pse jemi prerë në Besë nga disa njerëz, kemi vazhduar të mburremi me virtytin shqiptar të Besës. Megjithatë, ne jemi faqebardhë para të gjithë votuesve tanë se askënd nuk e kemi shkelë në Besë. Te ne nuk kemi asnjë skandal krimi, korrupsioni, amoraliteti ose abuzimi. Prandaj, kur kësaj ia shtojmë edhe ofertën tonë programore, mendoj se një votues i informuar mirë e ka fare të lehtë ta vendosë se pse duhet t’i besojë Besës.
Bëheni kryetar i Besës me një mision jo të lehtë pra, t’i riktheni shkëlqimin e humbur. Ku e mbështesni besimin se mund t’ja arrini?
Unë nuk jam profet që ta di të ardhmen, por një gjë e di: derisa unë besoj se këtë që e bëj është për të mirën e popullit tim, jam shumë i sigurt se suksesi nuk do të mungojë. Duke qenë, përveç besatar, edhe besimtar, jam i sigurt se Zoti nuk e lë pa shpërblyer mundin dhe sakrificën e sinqertë që bëhet për të mirën publike. Janë shumë faktorë empirikë, si oferta, artikulimi, aktivizmi, puna e angazhimi konkret, që e përcaktojnë këtë sukses, por është edhe metafizika, e cila herë-herë sjell mrekulli të paparashikuara. Mjafton ne të jemi në rrugë të drejtë dhe të jemi të sinqertë në synimet tona. /tesheshi.com/